Wednesday 17 September 2008

Drama e përjetshme e Hamletiane





Nga Ndue Ukaj

Historia e qytetit danez Halsingor është e gjatë dhe interesante, ajo lidhet me dramën e famshme të quajtur Hamlet. Udhëtimi nëpër qytetin danez Helsingor përshkohet me emocione të ankthshme dhe vërtet i ngjason një drama të thellë, përmasat e së cilës të tronditin në shpirt. Është kjo drama e përjetshme e Hamletit që ka shekuj duke sfiduar mendjet njerëzore. Qyteti i shumëvizituar, me infrastrukturë që përthyhet mes modernes dhe klasikes, i shtrirë pranë detit të ftohtë nordik, në një lartësi lehtë dukshme ka Kështjellën e Hamletit e ndërtuar në fund të viteve 1500 nga mbreti Frederik i II. Dhe është pikërisht kjo që e bën ketë qytet të veçantë, të njohur, të dashur e të frikshëm. Kështjella rri pushtetshëm, ndërsa rrugët e shumta të modelit mesjetar, nëpër të cilat u ngjiz ngjarja e cila bëri jehonë botërore, kanë pamje të frikshme. Vetëm njëzetëminuta duhet një udhëtim me anije nga qyteti suedez Helsingbor deri tek Kështjella e Hamletit, një qyteti i mrekullueshëm, ku çdo gjë është në vendin e vet, një përpikëri tipike skandinave.
Suedinë dhe Danimarkën, dy shtete të cilat i ndan deti i ftohtë nordik, i lidh ura më e madhe në Europë, njëra nga çuditë dhe mrekullitë arkitektonike të shekullit e XXI. Në të vërtetë, Suedinë Jugore dhe Danimarkën, përveç urës i lidh një histori e çuditshme; mbi to qëndron gjithëpushtetshëm fantazma e Hamletit, princit famoz të Danimarkës; vendit prej ku u ngjiz njëra nga ndodhitë me të veçanta të botës së letërsisë, vendit ku shqiptua një pyetje e dilemë e thellë, e makthshme, në mënyrën me të dhimbshme e më tragjike të mundshme, “të rrosh apo mos të rrosh”, pyetje e dilemë që tronditë vetmit krijuese gjithherë, tashmë shekuj të tërë.
Unë i shoqëruar nga im bir Luisi dhe im shoqe Edita, eci me trishtimin e tragjikes hamletiane. Askush s’mund të mos tronditët kur sheh rrugët me emra që bartin në vete histori të përmasave botërore, restorantet dhe hotelet që mbartin ne vete tipare të shumtë të ndjesive njerëzore: vrasje, dashuri, tradhti, hakmarrje e çka jo tjetër.
Dhe përsëri mua me rëndon dilema: “të rrosh apo të mos rrosh”, para aktit të hakmarrjes dhe nuk kam sesi të mos mendoj për Kalatë e shumta shqiptare dhe hakmarrjen si tipar shqetësues kombëtar. Kjo pyetje e dilemë që ka gjenezën nga ankthi e vrasja enigmatike sillet në memorien time, ashtu sikundër ne memorien e njerëzimit, si ngjarje shumëdimensionale, pa ndonjë shpjegim të pranuar gjithaq dhe sforcon deri në trishtim enigmën hamletiane. Në atë kështjellë, sipas shkrimtarit anglez Shekspirit u ngjiz dashuria jashtëmartesore, u krye akti makabër i vrasjes së mbretit Hamlet nga i ungji Jutlandin dhe bashkëshortja, dhe më në fund u jetësua dilema e përhershme, e pambarim, e hakmarrjes. Ndërsa edhe sot, pas kaq shekujsh duken gjurmët e një historie që vazhdimisht dëshirojmë ta kujtojmë, ta lexojmë e përjetojmë. Kështjella rri e heshtur, e pajetë, por tronditëse. Dy ushtar sikundër ne skenë teatrale sillen rreth e përqark për të përkujtuar mbretërinë. Përfytyroj aty princin Hamlet, në tundimet e maktshme, si hyn në mjegullën e misterit të vrasjes së të atit, ku me net të tëra i shfaqet fantazma e tij dhe sfilitet me trishtimin dhe dhembjen e humbjes së babait. Vizitorët e shumtë, e të gjitha racave e etnive, ecin rrugëve të kësaj Kështjellë në qetësi, sikur të ishin në ndonjë tempull të shenjtë. Ata i përcjell në mënyrë të çuditshme një heshtje zhbiruese, sikundër përkundin ne vete dilemën e pakapërcyeshme: “te rrosh apo të mos rrosh” dhe sfidën e hakmarrjes nga motive dashurie e urrejtje. Ishte pena gjeniale e Shekspirit e cila e ngriti ketë ngjarje në piedestalet e artit universal. Me një stil madhështor, Shekspiri i jep kësaj ngjarje nuanca përtej historike, e denacionalizn, do thoshim Halmetin dhe e bën pjesë të kulturës e identiteti kulturor të çdo kombi. Që këndej Hamleti sa është i danezëve, është i Anglezëve, është i shqiptarëve, e të tjerëve në saje të penës së Shekspirit. Por, vërtet tingëllon çuditshëm, por për ne shqiptarët duket me afërt. Me të drejtë në shekullin tonë, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohor botëror Ismail Kadare, në kulmin e krijimtarisë së tij i rikthehet Hamletit, tek i cili sheh lidhje semantike me gadishullin e Ballkanit, respektivisht me shqiptarët. Duke diskutuar ketë fenomen letrar e përtej letrar, i bashkuar me Tomas S. Eliotin, sikundër thotë se “Hamleti” i kapërcente mundësitë e Shekspirit, ndoshta “Hamleti” kapërcente çdo mundësi. Sepse kjo është një drame e pamundur, një dramë krejt e veçantë në vete, e vështirë për t’u shpjeguar, sepse ajo prek hyjnoren dhe tokësoren, të bukurën dhe të shëmtuarën, humanen dhe çnjerëzoren.
Në të vërtetë, drama Hamleti është prela që ngitet ne piedestalin e lartë të vlerave të letërsisë botërore, mbase edhe dramaturgjisë dhe artit skenik, e botës së madhe të librit, prej ku poet, shkrimtar, dramaturg, skenarist “vjedhin” copëza eksperiencash, prirjesh estetike e semantike. Veç kësaj Hamleti është një nga ndodhitë tronditëse që ka intriguar dhe vazhdon të intrigon rrafshe të shumëfishta interpretuese, prej atyre filozofike, psikologjike, religjioze, mitike etj, interpretime që nuk ndalen as pas shumë shekujve jetë.
Të vizitosh qytetin Helsningör dhe Kështjellën e Hamletit vërtetë është emocion i natyrës së veçantë; emocion që në trajtat më të vështira mund të përkthehet ne letërsi, sepse aty ka diçka nga ajo që Elioti e quan të pamundshme. Janë një sërë arsyesh pse e bëjnë këtë vizitë specifike, të veçantë, emocionuese: aty ngërthehen pasionet, mëria dhe dashuria, vrasja dhe gjakmarrja, besëtytnitë dhe dimensionet religjioze, të përplasura në mënyrën më të vrazhdë, të cilat nga dora e Shekspirit u shndërruan në mite, vlera të tejëkohëshme e universale. Prandaj ballafaqimi me këtë fenomen ka ngarkesë të veçantë emocionale, ka në vete makth të pashpjegueshëm. Rruga nga Malmö për në Helsingör, qytet ky ku rri pushtetshëm me hijen dhe misterin e përjetshëm Kështjella e madhe e Hamletit, është pak më shumë se një orë. Nga qyteti jashtëzakonisht i bukur suedez, Helsinngbor marr anijen, e cila qanë fuqishëm detin, përballë së cilit qëndron Kështjella e Hamletit. Ajo është e qetë, prehet në vetvete, sikur të ruante e të përkunde akoma kumtin e vrasjes misterioze; ajo është misterioze sikur të ruante brenda dashurinë tradhtare, kupën e helmit, peripecitë e zgjedhjes së dilemës dhe hakmarrjen si tipar i rëndësishëm psikologjik i kësaj drame. Kështjella dhe vendi përreth saj është i ankthshme, por tërheqëse, sfiduese, me një mal dilemash që sa vijnë jo se nuk mplaken, por gjallërohen e kumbojnë fuqishëm. Anija është e stërmbushur me vizitorë, aty fliten gjuhë të ndryshme. Gjithë kanë destinacion Helsingörin, vendin ku u ngjizë dhe u prodhua miti për Hamletin. Sapo dalim nga uji, në tokë na shoqëron për çudi një ndjenjë e çuditshme. Peizazhe të bukura, estetike. Deri sa dilnim nga anija, vetëm disa qindra metra shihet një pallat kryelartë. Pranë detit është kështjella gjigante, e formës klasike, e rrethuar në të katër anët me ujë, mes së cilës ngrihet minarja që simbolizon Kishën. Përballë saj qëndron në heshtje katedralja, pas së cilës shtrihet qyteti që asnjëherë nuk u “shkëput” nga hija, nga fantazma e Hamletit. Them me vete, sa e vështirë është të jetohet me emocionin e kësaj hije, me ankthin e fantazmës që ngjallë mëri e dashuri përnjëherë, me ato emra hotelesh e retorantesh që mbartin në vete emcione specifike. “Hamleti”, “Ofelia”, etj. janë emrat e hoteleve e restoranteve të bukura, ndërsa rrugët gumzhijnë nga vizior të shumtë. Ato janë rrugë të vogla, të rrethuara nga ndërtesa mesjetare, shumica prej së cilave datojnë nga shekulli XVI. Unë eci me emocionet e mia që trazoheshin edhe më shumë, teksa im bir Luisi, sikur kupton përmasën e çuditshme dhe misterioze të Kështjellës dhe vështronte në heshtje. Ai kundronte dhe nën fytyrën e butë fëmijrore reflektonte heshtjën. Teksa im shoqe Edita, më thotë: është e rënd të jetohet me ndjenjën e fantazmës, hakmarrjes, tradhëtisë në një vend të bukur si ky? Kalojnë autobusë të shumtë nga gjitha vendet Europiane e përtej Europiane e unë përtyp pyetjen e tim shoqe, teksa këmbët me hedhin pranë hyrjes së madhe të Kështjellës. Hasmëria, pasioni i dashurisë së zjarrtë, dashuritë tradhtare, Hija e Babës së vdekur, dritaret e larta brenda së cilës janë shpata, gota e verës, shtrati i epsheve dashurore, tmerri para përgjegjësisë për të marr hakun ndaj së ëmës e ungjit. O Zot, them sërish me vete, sa fuqi ka një Kështjellë, që nuk ju ngjason Kështjellave Shqiptare, ajo është një ndërtesë, ku bënte jetën mbretëria e fuqishme daneze e nga ku muzat frymëzuan Shekspirin Hyjnor për të përjetësuar një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, me të cilët komunikohet në çdo kohë. Në shkallët e amfiteatrit të improvizuar jashtë, rrinin të nemitur dhe të vëmendshëm koka të shumta të përhumbura nga vendi gjigant.
Në Helsingör, në një Kështjellë mbledh gjitha kombësitë, gjitha moshat. Jo aq për atraksionin e veçantë që ka qyteti, sa për semantikën që simbolizonte Kështjella, rrugët e qytetit, emrat e kafeve dhe hoteleve, por mbi të gjitha për marrëdhënien që ka krijuar Hamletit me çdo qenie njerëzore. Ndikimi i kësaj kështjelle dhe ngjarjes misterioze, pastaj pasionit dhe dashurisë që janë zhvilluara brenda mureve të tyre, kanë influencuar në përmasa të jashtëzakonshme në kulturën botërore, veçmas atë europian. Dhe ka të drejtë Kadare kur shkruan: “Është, pa dyshim, shekulli me i egër pas Krishtit, shekulli kur vrasite e mëdha jo vetëm u kryen me mizorisht se kurrë, por një pjese e tyre po aq mizorisht u mbuluan, e ende vazhdojnë te mbeten ne terr. Ky ka qene shekulli i krimit, i çmendurisë, i maskave e i dyfytyrësisë se pafund, kështu qe “Hamleti” me fort se çdo drame tjetër shëmbëllente fytyrën e tij. Lidhur me ketë, arsyeja plotësuese, fakti qe ne, ndryshe nga njerëzit e shekujve te tjerë, jemi sot ne dijeni te atypëratyshme te tmerreve qe ndodhin, është një arsye me tepër për te qene me te ndjeshëm ndaj enigmës se Hamletit.” .
Dhe ne mbyllim vizitën duke e shtuar enigmën hamletiane, enigmë kjo që konoton fuqishëm ne kontekstin shqiptar.

No comments: