Wednesday 3 September 2008

TË VËNÇA EMRIN E ENVER HOXHËS



-tregim-

Luan Xhuli

...Periudha e viteve 60-70-të ishte nga më të bollshmet në përqindjen e shtimit të popullsisë..Të gjithë vëndin e kishte përfshirë mania e emrave.Ishte një hob i çifteve të reja ,që fëmijës së parë duhet ti venin emrin e një njriu me emër, të një njeriu të ditur , apo të një tjetri që që kishte mbetur në histori ...Ishin hapur katalogët e historisë, të theatrit dhe të kinematografisë, për të kërkuar emrat e fëmijëve që do të lindnin...Në shumë qytete bile , nëpër gjëndjet civile ,kishin përgatitur lista të gjata dhe pa mbarim ,që fillonin me emrat e njohur Enver, Kadri, Mehmet ...e deri tek emrat e huaj të kinematografisë së kohës si Roberto, Alvaro, Alen Delon e deri Merlin Monro...Në fshatin tim më të preferuar ishin emrat Enver dhe Vangjel, që kishin të bënin me personalitete si Enver Hoxha dhe vangjel Prifti, që ato vite qeverisnin vëndin dhe rrethin tim të vogël në jug të vëndit....
Gjysëm musliman e gjysëm i krishterë fshati im nuk vinte re në pagëzimin e fëmijëve..Edhe pse ndarje fetare s’kishim asnjëherë, emrat Enver dhe Vangjel ishin bërë për të dyja fetë , promotorët e një brezi që kishte të ardhme...( edhe kënga thoshte ,që të më bëhesh biro trim porsi Enveri...)Të krishterët pagëzonin Enverë dhe muslimanët Vangjelët e tyre...Erdhi një kohe që në brezin tim nga njëzet fëmijë që kishte fshati ,shtatë ishin Enverë, pesë Vangjelë, dy vajza me emrin Margarita dhe një Robert, pa prapashtesën de niro për mbiemër....Më e keqja ishte se Enverët kishin të gjithë mbiemër të njëjtë, Hoxha dhe Vangjelët po ashtu..Prifti.Thonë se në një klasë të shkollës fillore ,kur mësuesja kishte shqiptuar emrin e djali me emrin Enver Hoxha , ishin ngritur pesë nxënës njëherësh..Nga ana tjetër dëgjoje edhe shprehje, që disa herë u bënë shkak për dënime dhe burgime për hiç mos gjë kur thonë.....Një fshatari ynë u dënua për agjitacion dhe propagandë kur pa të keq i kishte thënë një ditë gjitonit se Enver Hoxha i tij dhitej dit për dit...Fjalët u interpretuan ndryshe dhe babai i Enver Hoxhës përfundoi në hekura...
Ishte disi e pa besueshme , por e vertetë,që në një fis me mbiemrin Hoxha ,kishin pagëzuar katër fëmijë me emrin Enver.Thoshin se donin të rregullonin biografinë, meqë deri atë kohë ishin cilësuar si të prekur nga komunizmi....
Vangjelët ishin më të pakët dhe muslimanët që kishin pagëzuar fëmijët e tyre me atë emër deklaronin se jo vetëm që ishin ateistë, porse respektonin në vënd të perëndisë atë emër,që shyqyr zotit –thoshin – edhe sekretari ynë i rrethit mban atë emër...
I vetmi evgjit që kishim në fshat dhe që kishte një tabor me fëmijë, nga të cilët shtatë isjin djem, fëmijës së fundit që ishte djalë, i vuri emrin Vangjel... Le të thoshin pastaj se evgjiti skishte mënd...!Një herë kur sek. i partisë kishte shkuar në një festë përkujtimore të një batalioni partizan,Maksuti, evgjiti i fshatit i kishte dalë përpara dhe i kishte thënë:
-Të na rroç sa mali i Moravës o i pari i partisë...Djalit i vura emrin tënd dhe ishallah të ngjan...Març nga ditët tona shoku Vangjel.....!
Dhe sekretari ,ca nga turpi e ca për sytë e botës , “adashin” e tij evgjit se la në mes të rrugës. I dha bursë shteti për të vazhduar shkollën e muzikës..... ku akoma dhe sot Vangjel evgjiti s’pushon së rëni gërnetës.... edhe për “adashin” e dikurshëm sekretar të parë.....
Me Enverët gjëndja ishte më e komplikuar ,sepse ata shtoheshin në progresion gjeomertik, dhe ajo, enveromania u bë si një sëmundje ,që në kohë rekord infekton masë të madhe njerëzish....Një infeksion i tillë pati edhe ngjarje të pa dëshiruara si ai i mësues Esatit që jepte fiskulturë. Në një garë vrapimi ,ku mernin pjesë dy Enverë ,që të dy u kualifikuan të fundit. Pa të keq kishte thënë, se që të dy Enverët ishin të mbaruar..Gojët e fshatit dhe veshët e botës luanin lojen e “telefonit të prishur” dhe përfundimi ishte se mësues Esati i bëri nja tre vjet punë në prodhim.. xhaba fare...
Enveromania kishte infektuar edhe Tekiun, lopçarin dhe budallain e fshatit , i cili këmbëngulte që edhe djalin e tij ta quante Enver... i biri i Teki hoxhës dhe i Ditkës...Mezi kishin gjetur formulën që Ditka të mbetej me barrë,e tani që djali priste ta pagëzonin ,s’e linin rehat shokët e partisë...E kishin thirrur një ditë në zyrë, e me të butë i kishin thënë :
-E mira e të mirave është që djalit t’i vemë emrin e gjyshit... ndjesë pastë....., Enverë ka ngjallur fshati....Pastaj s’na vjen mirë që t’i thëresin Enveri i lopçarit...
-Jo mo...-ishte inatosur Tekiu.Djalit do t’i ve emrin Enver dhe le t’i thërrasin Enver lopçari ,po ja mbajti bytha...Te sekretari në Tiranë do shkoj...
Ishin parë në sy me njëri tjetrin shokët e partisë dhe duke qetësuar lopçarin e fshatit ,më i riu prej tyre kishte thënë me ironi...:
-Hajde bre ju të urruar, Le të ketë edhe budallai i fshatit një Enver Hoxhë në shtëpi.. nuk bëhet qameti....!!
E kishte paguar edhe ai atë frazë me përjashtim nga partia.Në atë kohë , gjithë SHqipëria ishte e pagëzuar me atë emër..!Vetëm në hartë kishte emrin e saj të vërtetë...

* * * *

Për Tekiun , budallain e fshatit tregonin edhe një histori...
...Kishte mbetur fillikat...Pa prindër, pa vëllezër dhe motra , pa shtëpi e katandi ,qyqar kur thonë , në këtë dhe në atë botë. Disa të afërm, që edhe ata e quanin kushëri të largët ,se bënin për ç’e kishin.E kush të do po të jesh fukara?- u thoshte Tekiu njerëzvet , kur mblidhte lopët , për t’i çuar për kullotë...E dini atë fjalën e urtë që thonë devollinjtë?. Se besoj... Keq më vjen ,por dëm s’më bën...Edhe për Tekiun...I vetëm, në shoqëri vetëm me lopët..! Se si ishte kujtuar një ditë Sanija , më plaka e mëhallës, një mëngjes kur i dha lopën për ta kullotur ,duke i dhënë një gotë dhallë të sapotundur, i tha si me drojtje :
-Po sikur të gjenim bre Teki një copë nuse....?Të mblidheshe edhe ti ... të të bëjmë një kasolle tjetër, mos të flesh aty ku je me bajgave...Ai s’dinte ç’të thoshte , veç nga ato që dëgjoi ,goja ju mbush me lëng dhe filluan ti rridhnin jargët mbi mjekrën e pa rruar..
Por gojet e fshatit ishin të prishura si mulliri i Stropanit... Të qënat i bënin të pa qëna dhe të pa qënat i bënin me frymë...Lopçari i fshatit kishte gjetur nuse, ...të rangut të tij domosdo, vetëm se tani morrat dhe pleshtat kishin dy krevatë...Edhe shtëpinë ja ngriti mëhalla...Një dhomë dhe një koridor m’ja e kishin..Sa për banjo.., në fund të bahçesë i ngritën një kalive, por që se përdornin..Edhe nusja e re mësoi si i shoqi të kryente nevojat personale , aty ku rrinin kafshët...Nejse ...Një vit, dy tre , prisnin që Tekiu të shtohej, por ai hiç...Dy, tre herë, Ditka kishte ikur në derë të babajt dhe përsëri ishte kthyer nga presioni i të vëllezërvet të saj....Gojët e fshatit thoshin se Tekiu s’dinte ta bënte ,dhe e mundonte Ditkën...Përsëri Sania gjeti ilaçin...Shkoi një ditë tek shtëpia e çiftit dhe e mësoi Ditkën çduhet të bënte...S’kaluan as tre muaj ,kur barku i nuses po rrumbullakosej dhe Tekiut si shikoje më jargë nëpër gojë....Çifti i ri do të bëhej prind,dhe pa hyrë vjeshta mirë lindi djali, që me dëshirën e Tekiut e pagëzuan Enver...Pas tij pasuan pesë fëmijë, djem dhe çupa ,që Tekiu u vuri emrat e të gjithë anëtarëve të byrosë politike....
Enveri, u rrit e bë i gjatë si presh,i shëmtuar si kërmill e i pa larë si oreshkë fushe...Deri sa mori pashaportën dhe shkoi ushtar mbeti në klasë të tretë.Fytyra e kuqe si kungull vjeshtak kishte të mbira ca qime të kuqe ,që kur e shihje nga afër të kujtonte karkalecat e detit...Veç ishte i urtë ,punëtor ,fjalë pak dhe mbas vdekjes së parakohëshme të të jatit , i zuri vendin e punës si çoban...Nuse gjeti fët e fët ,pa ndihmën e mëhallës dhe ndryshe nga i ati që u vonua të shtohej, ai pa mbushur vitin ishte bërë baba..., aq sa moshatarët e tjerë e ngacmonin
Spermë të fortë paske o Enver Hoxha...! !
* * * * * * *

Çupës ja vuri emrin Lenkë,Fëmijë, që nuk kishte ngjarë as nga e ëma e as nga babai.
Në shkollë ishte nga më të dalluarat dhe e zgjuar si të ishte bijë e eksogjinëve dhe jo e Teki lopçarit...Sapo mbaroi tetë vjeçaren, e çuan në shkollën e mesme mjekësore Korçë, që pa ju gënjyer ishte vajza më e hedhur e shkollës...Tekiu ishte bërë për rahmet shpejt dhe Ditka e fishkur dhe e mplakur asgjë nuk mbante mënd dhe fliste si të ishte e çmëndur...Lenka mbaroi shkollën dhe për tju ndodhur familjes dhe fëmijeve të tjerë më të vegjël filloi pune në një fshat fqinj, dhe ndihmonte të jëmën sa më ska Familja e lopçarit të dikurshëm sishte më ashtu.. Fshati pinte ujë në emrin e Lenkës. U martua me agronomin e fshatit.Të ëmën e çoi në spitalin rural të Elbasanit ku vdiq pa mbushur muajin që kish vajtur....

* * * * *

Fëmija e fundit ishte Fiqëretja , që kishte dhe ajo historinë e saj, të veçantë nga të të tjerëve.....
Askush s’e dinte që Ditka kishte mbetur meë barrë..S’kishte ndonjë moshë kushedi , por ama fukarallëku të mplak e të merr frymën para kohe...Në një nga ato mbrëmjet e majit , që era e çeljes së gjethit të mbush xhanë e të fton në botën e madhe të haresë , Teki lopçari kishte kthyer nja dy gotka , që kohet e fundit sikur ja donte më shumë xhani....I dukej vetja më i ri dhe ajo e bekuara sikur të kishte duar dhe të hiqte lodhjen si me gjilpërë...Fëmijëve u gëzohej si rriteshin dhe shpesh i afrohej Ditkës nga afër dhe ja përkëdhelte kokën ,që e mbante të lidhur me një shami që s’dihej që kur s’kishte parë ujë...Pastaj i thoshte se si kishin ikur vitet dhe se gëzuan të ritë si duhet, veç ama kishte shpresë te fëmijët , që s’do ta njihnin fukarallëkun.....E kështu në një nga ato mbrëmjet e majit ,kur ajri kundermon jeshillëk, e kishte bërë kail Ditkën të flinin bashkë....Nëntë muaj e mbajti të fshehur fëmijën në bark.E shtrëngonte fort mesin me një rrip nga ata të ushtrisë ,duke shpresuar se një ditë edhe ajo që mbante do të ishte e pa jetë..Veç ,sejcili e ka të shkruar fatin me gërma që tjetri se lexon dot..E kështu një ditë prej ditësh lindi fëmija e gjashtë..Foli e foli fshati derisa u lodh.. Çupës ja vunë emrin Fiqërete, pa menduar Tekiu se atë emër e kishte mbajtur gruaja e Mehmet Shehut , që ishte cilësuar armik i popullit ,mbas vetë vrasjes së tij....
Çupë për kokën e çupës... si djalë... loste vetëm me djemtë e lagjes dhe pa turp shante si ata ...Një pjesë prej tyre bile ja kishin frikën... shpatullat si djalë dhe mëndjen më shumë se sa femër...
Shkolën e mesme e dërguan ta kryejë në Durrës ,në shkollën e fiskulturës dhe Fiqoja,që ra në trajtim sportiv dhe ushqim, për dy vjet bëhet një nga atletet më të dëgjuara të vëndit në hedhje e gjyles.Pastaj shkon në Tiranë dhe që nga ajo kohe s[mora vesh gjë për të...vonë mësuam se kishte kërkuar strehim politik në Suedi ,kur kishte shkuar me ekipin e Dinamos....Tekiu kishte vdekur me mërzinë se i ishte prishur biografia e byrosë së tij politike dhe Ditkën e dërguan në spital për kurim...Pastaj gjërat ndryshuan dhe shumë nga ne bënë atë që Fiqoja e kishte bërë me parë...Emigruam...Emigruam bashkë me kujtimet dhe tregimet tona ,që edhe pse jetojmë dhe punojmë jashtë vëndit, përsëri jemi aty si atëhere kur edhe pse të varfër , tjetër pasuri mbanim, atë që sot jo vetëm që s’e gjen dhe s’e ble asgjëkundi ,por që sa vjen e zhduket fare edhe tek të tjerët....



Qershor 2006

No comments: