Wednesday 3 September 2008

Historia e Shtrigave te Salemit

Albana M Lifschin




Nga kujtesa e fëminisë më kishte mbetur një imazh i papërcaktuar lidhur me "Shtrigat e Salemit". Thjesht koncepti shtrigë për fëmijët është i frikshëm. Sigurisht atëhere ne nuk e dinim që kjo ishte nje histori reale dhe vendngjarja, Salemi, ndodhej në SHBA. Gjuetia e shtrigave të Salemit ka tërhequr vëmëndjen e historianëve, studiuesve e është përjetsuar në letërsi artistike, dokumentare dhe në kinematografi.
Kjo histori zuri fill në vitin 1692 në fshatin Salem (sot Danvers) Massachusets.

* * *
Jeta për banoret e Salemit ishte e vështirë. Pastrimi i tokës nga shkurret, ndertimi i shtëpive e hapja e rrugeve, lufta kundër sulmeve të pareshtura te indianëve kërkonin kurajo e qëndresë heroike. Në njerën anë vështiresitë e jetës në vendin ku kishin ardhur, në anën tjetër taksat që u kishte vënë Anglia , e kishin bërë edhe më të rëndë jetën e puritanëve në koloni. Jeta e tyre përmblidhej vetëm në punë dhe në kishë. Manifestimi i gezimit dhe kenaqësisë konsiderohej si diçka mëkatore e nuk shihej me sy te mirë nga besimtaret. Fëmijët e kishin të ndaluar të luanin me kuklla, pasi kukllat si kopje te vogla te qënieve njerzore konsideroheshin të dëmshme. Ato ishin objekte që i përdornin shtrigat. Puritanët mendonin përderisa besimi i tyre ishte më strikti dhe më i verteti, djalli ishte i interesuar ta shkatërronte. Nga kjo pikpamje çdo puritan e shikonte djallin si nje armik "personal". Ata persekutoninn këdo që nuk i konformohej besimit te tyre. Kjo bëri që disa njerës të largoheshin nga Salemi. Të tjere filuan te shkepusnin lidhjet me kishën e tyre duke u bashkuar me kisha te tjera përeth.
Dimri vitit 1692 erdhi i trishtuar. Midis banoreve të Salemit kishin filluar grindjet. Grindje kishte edhe brenda familjeve, madje edhe brenda vetë kishës. I vetmi ministër i mbetur në kishë ishte Samuel Parrisi cili përpiqej te pajtonte banorët. Problemet erdhën duke u mpleksur kaq keq sa kleriket për paudhësitë që po ndodhnin fajsonin djallin që kishte bërë vend në mes të njerëzve. Prindërit, ishin të detyruar dy here në jave bashkë me fëmijet e tyre te shkonin në mbledhje ku ministri i kishës i këshillonte të ishin te kujdesshëm, të mos binin pre e djallit. Megjithatë kjo nuk i pengoi nje grup vajzash nga mosha 9 deri në 19 vjec, midis të cilave edhe vajzen e zotit Parris, të mblidheshin pikërisht në shtepinë e tij për te dëgjuar me kureshtje tregimet e skllaves indiane Tituba. Në gjuhen e Titubes historite e Bibles, Adamit dhe Eves tingellonin intriguese... Për me tepër Tituba dinte tu lexonte fatin në vijat e pellëmbës së dorës. Vajzat adoleshente të mbeshtjella në fantazite joshese të tregimeve të Titubes vazhdonin te takoheshin rregullisht megjithese e ndjenin që dicka nuk shkonte. Kështu vazhdoi kjo histori deri sa nje ditë u vu re që vajzat po manifestonin sjellje te çudiçme. Ishin nervoze, bertisnin, qanin pa arsye, flisnin në gjume.. .Me e vogla ndër to, Elisabeth Parris, vajza e ministrit te kishes, rrinte me ore të tëra e heshtur dhe pastaj papritur bertiste e trëmbur duke thenë se shihte fantazma pranë shtratit të saj. Mjeku i tha zotit Parris se të bijës i kishin bërë magji. Lajmi u përhap shume shpejt. Njerzit besonin që në fshat kishte shtriga. Kur dëgjoi se çfare i kishte ndodhur Elisabetes, shoqja e saj, An Putnam kishte thirur e ishte plasur përdhe. Në mbrëmje u përhapen fjalë që edhe ate kishte zënë magjia. Diagnoza e magjisë kishte ardhur si zgjidhja me fatlume që mund të behej për vajzat. Kjo i vuri kapak shqetësimit të tyre se dikush mund t'i pyeste për shoqërinë me Tituban. Vajzat "e sëmura nga magjia" u shtuan njera pas tjetres. Kur u thirrën në pyetje, se kush u kishte bërë magji, ato zunë te therrisnin e përplaseshin në dysheme. Së fundi, me e reja nder vajzat përmendi emrin e Titubës. Pas saj vajzat përmenden edhe emra te tjere që s'kishin të bënin fare me to.
Gjyqi i grave të akuzuara për magji u kthye në nje ngjarje te jashtëzakonshme për koloninë. Të tre gratë ishin te trëmbura e te konfuzuara. Edhe pse u përbetuan se s'kishin të benin me Djallin askush nuk i besoi ato. Vajzat e reja u thirën si deshmitare. Ato me të parë grate zunë te therisnin, te flisnin përçart e alivanoseshin në dysheme. Kjo vertetoi fajësinë grave dhe ato u morën e u plasën përseri në qeli. U përhap lajmi që në fshat kishte shtriga të tjera që s'ishin zbuluar akoma dhe njerzit fillonin te shikonin përreth me dyshim. Filloi histeria e gjuetise se shtrigave e cila u përhap si sëmundje ngjitëse edhe jashtë Salemit duke rritur numrin e te pafajshmeve me shpejtesi. Brenda 5 muajve në koloni u burgosen 200 vetë. Të akuzuarit që insistonin në pafajsinë e tyre, nuk benin gje tjetër veçse vulosnin dyshimin.
Në 22 shtator 1692 u ekzekutuan me varje 20 veta të "implikuar me djallin" .
Pas ekzekutimit të fundit në Gallows Hill, histeria e gjuetise së shtrigave cuditërisht ra përnjeheresh . Njerëzit filluan të reflektonin me gjakftohtësi për ato që kishin ndodhur ato 16 muaj. Veçanërisht ekzekutimi i Rebeka Nurse, gruas s respektuar që gezonte nje reputacion te madh për devotshmerinë e saj ndaj kishes, kishte lënë brenge tek te gjithë. Gruaja e vjetër qe akuzuar se kishte vrarë dy fshatare nëpërmjet magjise dhe thellë thellë në shpirt njerzit besonin që ajo ishte e pafajshme.
Në janar 1693, gjykata filloi të lironte të burgosurit që ishin arrestuar për lidhje me djallin. Në 1696, 12 burra që kishin bërë gjykimet lëshuan nje dokument në të cilin kerkonin falje publike. Për shumë vite më pas, njerëzit agjeronin nje dite në shenjë pendese për atë që kishte ndodhur. Gjyqtari Samuel Sewall, personalisht e ndjente si dite të poshtërimit te vetvetes.
Në përgjithesi e gjithe kolonia vuante pasojen e gjuetisë së shtrigave. Veç të ekzekutuareve me varje, shume të tjerë të pafajshëm kishin vdekur në burg. Njeres të ndershëm për tu shmangur akuzave te padrejta ishin larguar nga kolonia dhe nuk kishin me dëshirë te ktheheshin. Pronat e tyre u shkatëruan e u konfiskuan. Kujdesi për shtepite, te mbjellat, ishin lënë pas dore dhe prodhimet bujqësore ranë e mbuloi varferia. Njerzit kishin qënë kaq te dhënë pas gjuetise se shtrigave sa kishin harruar çdo gje tjetër. Sipas dokumentave vajzat që u bënë shkaktare për atë histori tragjike e mbyllen jetën në varferi e diskretitim
Fshati Salem gradualisht erdhi duke u rrënuar, shtepite, rruget e gjthshka deri sa u zhduk fare. Në kujtesen e njerezve mbeti vetëm historia e shtrigave.

Albana Lifschin -"Udhetim ne Historine Amerikane",bot 2003, ribotim 2006
www.geocities.com/annamonti

No comments: