Friday, 11 April 2008

DËSHNICA NË FOKUSIN E PUBLICISTIT NURI DRAGOI




Prof.Ass. Dr.Begë Musta

Lexova me vëmendje dy vëllimet e para të librit “Dëshnica dhe dëshnicarët” me autor publicistin, shkrimtarin, flakën e dashurisë për vendlindjen dhe njerëzit e saj, Nuri Dragoin. “Dëshnica dhe dëshnicarët”, pasqyron jetën në 45 fshatra të krahinës së Dëshnicës dhe të qytetit të Këlcyrës në rrethin e Përmetit. Nuri Dragoi me librat e tij i ka dhuruar krahinës një enciklopedi të vlefshme. Ato u shërbejnë jo vetëm dëshnicarëve, por tërë qytetarëve, pasi historia e një vendi nuk ka kuptim pa historitë e fshatrave dhe krahinave. Madje, aty duhet të jetë nisma e saj. Me të drejtë, Prof.Dr.Agron Xhagolli, në parathënien e librit të dytë thotë se “me këtë punë të Nuri Dragoit, kemi në duar një lloj enciklopedie (natyrisht, jo të plotë dhe shterruese) për Dëshnicën dhe dëshnicarët. Tashmë, në këtë mënyrë, nisma është marrë, themelet dhe konturet janë hedhur. Kush ka mundësi dhe aftësi le ta zgjerojë hapësirën e këtij vëllimi, të pohojë (me dashamirësi), të mohojë (jo nga zilia), të polemizojë (kur është e nevojshme). Dëshnica dhe dëshnicarët i janë mirënjohës për nismën dhe realizimin e saj, Nuri Dragoit, autorit të këtij libri. Ndërsa shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, i cili ka shkruar parathënien e librit të parë, vë në dukje se fletët e librave titulluar “Dëshnica dhe dëshnicarët” të autorit Nuri Dragoi, i ledhaton era e dashurisë, fisnikërisë dhe nderimit ndaj krahinës së tij. Krahina është bërthama e atdheut. E tillë është sidomos për moshën e fëmijërisë dhe rinisë së hershme, por dhe të moshës së mëvonshme. Nga kjo bërthamë lind më vonë koncepti historik dhe filozofik i atdheut. Pa një përgjërim ndaj fshatit, qytetit dhe krahinës, është e vështirë të jetë e plot dashuria për atdheun. Shumë shkrimtarë të mëdhenj në botë kanë shkruar libra të tërë për krahinat e tyre, ku kanë lindur apo kanë jetuar. Këtë gjë bën dhe Nuri Dragoi, autori i librave kushtuar krahinës së njohur të “Dëshnicës” në rrethin e Përmetit. Librat janë shkruar me shumë dashuri. Autori tregon në detaje përkushtimin e njerëzve, banorëve të fshatrave të kësaj krahine, për një jetë më të mirë, kujdesin që ata tregojnë për punën dhe jetën. Kur autori flet për parmendën, për dashurinë ndaj saj dhe qeve të punës, njëherësh tregon zemrën e madhe të këtyre njerëzve, respektin ndaj vetes, bukës së gojës, gjësë së gjallë apo sendeve që i shërbejnë prodhimit të të mirave materiale. Tregon përpjekjet e tyre në shekuj për të ndërtuar jetën, për t’u përshtatur me natyrën, duke respektuar e përsosur ligjet e saj. Historinë që jeton sot, po nuk e shkrove, nesër është e vështirë të gjindet, pasi do të tretet dhe do të humbasë përjetësisht në humnerën e pafund të harresës dhe do të lerë mbrapa vetëm hijen e errësirës dhe të mjegullës. Një gjë e tillë ka qenë karakteristikë tipike e kohërave të shkuara dhe të harruara plotësisht. Bashkë me stërgjyshërit, gjyshërit dhe baballarët tanë, këmbimin e brezave dhe të shekujve, kanë ikur dhe humbur shumë vlera të jetës dhe të së kaluarës historike. Nga brezi në brez apo nga shekulli në shekull shumë gjëra ndryshojnë, por shumë të tjera përcillen pa shumë ndryshime, duke ruajtur mjaft veçori dhe vlera të tyre edhe më tej se këto periudha. Të tilla janë malet, qafat, grykat, lumenjtë, lulet e stinës, kalatë, monumentet e natyrës, urat, traditat etj. Tjetër gjë ndodh me disa fenomene të tjera si prejardhjet, përbërja e fiseve, kultura, zakonet, besimet fetare, mënyrat e të jetuarit, të punuarit, të edukuarit, veshjet, këngët, dasmat, vajet, etj etj, të cilat ndryshojnë jo vetëm nga njëra periudhë në tjetrën, por edhe nga njëri komunitet në tjetrin. Autori, si realitet dhe pjesë aktive e kësaj historie, u ka sjellë lexuesve të të gjitha brezave momente që janë tepër mallëngjyese dhe emocionuese. Çaste të tilla, përjeton kur autori të kujton dhe të sjell ditët e dasmës, dollinë, kullotjen e bagëtive, dhallën, shkumën e qumështit dhe lugën e drunjtë të çobanit, kulaçin e pjekur në hi, përvlaket, lëngun magjik, darkën e hysmeçinjve, gajden, lojrat me cingël dhe pllaka, kooperativat bujqësore, korrjen e grurit, zhveshjen e misrit e të tjera, që jo vetëm të krijojnë mall dhe kënaqësi për atë që ke jetuar, por të bëjnë ta ndjesh veten më pranë tyre, fëmijërisë tënde, vendlindjes dhe njerëzve të tu. Për këtë arsye, qiriu që ndezi Nuriu, do të qëndrojë përherë i ndezur. Vetëm kështu do të arrijmë t’u mësojmë brezave të sotëm dhe të nesërm, se në fshatin Zhepovë ka qenë një plak i mençur i quajtur Harun Shkurta, që e matte temperaturën e tokës me të ndenjura, se ka qenë një trim që quhej Nexhip Benja nga Deshnica, që vrau kollazin turk se i shau Shqipërinë, se stërgjyshërit tanë kanë qenë analfabetë dhe nuk kanë ditur shkrim e këndim, se një ditë kishat dhe xhamitë u rrënuan barbarisht dhe bashkë me to mori fund edhe mjekra e Sejdinit, babait të Teqesë së Kicokut, se dritën elektrike nuk e kemi njohur kurrë dhe në vend të saj kemi pasur qiriun dhe kandilin e kështu me radhë. Po nuk bëmë këtë, që bëri Nuriu, nuk kanë për ta mësuar dëshnicarët e nesërm dhe ata të brezave që do të vijnë, se 75 yjet e lirisë të lidhur me gjerdan gjaku dhe të piksur me lulet e malit të Trebeshinës janë krenaria dhe simboli i trimërisë dëshnicare, se shkencëtarët dhe profesorët Mentor Përmeti, Agron Xhangolli, Sherif Bundo, Përparim Hoxha dhe shumë të tjerë, janë fibri i argjendtë i shkencës dhe modernizimit të jetës, historisë, artit dhe kulturës tonë, se poetët, shkrimtarët, publicistët, këngëtarët, rapsodët e krahinës, si Lumo Kolleshi, Flamur Dalipi, janë bilbileria dhe shpirti krijues i këtyre bukurive dhe njerëzve fisnikë, se arsimtarët e shquar dhe mjekët e saj sollën dritën e dijes, shëndetin dhe kulturën në fshat, pregatitën gjenerata e breza të tërë që sot debutojnë jo vetëm brenda vendit, por në të tërë botën deri edhe në Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Asgjë nuk mund të lexohet përtej perdes së errët dhe mjegullës së dendur të harresës, prandaj edhe gjesti i autorit të enciklopedisë krahinore “Dëshnica dhe Dëshnicarët”, është një shërbim fisnik që i bën Dragoi, brezave, vendlindjes dhe popullit të tij, dëshnicarëve kudo që janë, por që me mendje dhe zemër ndodhen aty. Kështjella e gërmave “Dëshnica dhe dëshnicarët”, tashmë, nuk është më një ëndërr, gojëdhënë apo përrallë, as një relik muzeal, por një vepër e gjallë që lexohet, flet e shikon, dëgjon, bën jetë dhe jeton si e gjithë Dëshnica dhe dëshnicarët. Jeta me historitë e saj përbën një hapësirë të madhe dhe pa fund, të shkruar dhe të pashkruar me dritë dhe errësirë e të tjerë “dragoj” si Nuriu do të hedhin dritë mbi këtë hapësirë të pafund jete, historie dhe kulture, dhe pishtari i Dëshnicës do të jetë përherë i flakëruar si hëna dhe dielli që ndriçojnë dhe ngrihen në breza ëndrrat e këtyre njerëzve që u këndon zemra dhe mrekullive që u ka falur zoti. Është e natyrshme që historia e dëshnicarëve, e cila ka nisur mijëra vjet më parë, të mos futet dot në përmasat e një libri. Por, nëse nuk mund t’i themi dot të gjitha detajet, detyra e parë është të mos heshtim.

No comments: