nga ERIC G. WILSON
Këto janë kohë ogurzeza. Jemi në zgrip të gërryerjes së shtresës së ozonit. Brenda disa dekadave mund të përballemi me përmbytje oqeanike. Jemi afër zhdukjes së qindra specieve te rralla. Së afërmi pyjet do të jenë po aq qetësuese sa dhe asfalti. Për më shumë, e gjejmë veten në prag të një tjetër lufte të ftohtë.
Por ka edhe një kërcënim tjetër, ndoshta po kaq të rrezikshëm: ne po zhdukim një forcë madhore kulturore, muzën e cila na jep shumë prej artit, poezisë dhe muzikës. Ne po asgjësojmë melankolinë.
Një sondazh i kryer nga “Pew Research Center” thotë se pothuajse 85 për qind e amerikanëve besojnë se janë ‘shumë të lumtur’ ose, të paktën, ‘goxha të lumtur’. Bota e psikologjisë gumëzhin nga një fushë e re, psikologjia pozitive, përkushtuar gjetjes së mënyrave për rritjen e lumturisë përmes kënaqësisë, aktiviteteteve dhe domethënieve. Psikologët që praktikojën këtë lloj terapie janë udhëheqës të një shkence të re, shkencës së lumturisë. Botuesit e rrymës po mësojnë nga industria e vetëkurimit duke publikuar mijëra libra mbi teorinë e të qenit të lumtur. Mjekët ofrojnë një gamë të gjerë ilacesh që mund ta zhdukin dëshpërimin përjetë. Me të vërtëtë, kjo e jona i ngjan një kohe të kënaqësisë pothuajse totale, një botë e re guximtare të një fati vazhdimisht të mirë, gëzimi pa telashe, lumturie pa ndëshkim.
Pse shumë amerikanë janë kaq të gatshëm që një pjesë të zemrës ta ndajnë dhe ta hedhin si dhe shumë mbetje të tjera? Si t’ia vëmë emnrin këtij ankthi amerikan me lumturinë një mani që mund të cojë në zhdukje të papritur të impulsit krijues pasojat e të cilit mund të jetë një asgjësim po kaq i tmerrshëm sa dhe ato të kumtuara nga ngrohja globale, krizat e mjedisit dhe rreziku berthamor?
Me siguri që gjithë kjo lumturi nuk mund të jetë e vërtetë. Si mundet që kaq shumë njerëz të jenë të lumtur mes gjitha problemeve që rrethojnë globin-jo vetëm sëmundjet kolektive e apoliktike, por, gjithashtu, ato irritimet e vecanta që e ndërlikojnë përditshmërinë tonë, problemet e parasë dhe zënkat luftarake, ato vokacionet e fundosura dhe mëngjeset vetmitare? A duhet të besojmë që katër nga pesë amerikanë mund të jenë te kënaqur në mes të mjerimit të përgjithshëm? A gënjejnë njerëzit apo, thjesht, tuten të jenë të ndershëm në këtë kulturë e cila e ka kthyer në status quo harenë maniake? A nuk jemi dyshues për këto statistika? A nuk jemi të shqetësuar edhe më nga mbitheksimi prej kulturës sonë i lumturisë? A nuk druhemi se ky përqendrim i shfrenuar në teprinë prodhon gjysmë-jetë, ekzistenca të shpëlara dhe djerrina sjelljesh mekanike?
Unë për vete kam frikë se mbitheksimi i lumturisë prej kulturës amerikane në kurriz të trishtimit mund të jetë i rrezikshëm; një harresë tekanjoze e një pjese thelbësore të një jete të njëmendtë. Më tej shqetësohem se dëshirimi vetëm i lumturisë në një botë padyshim tragjike të bën të gënjeshtërt, të bën të pranosh abstraksione jorealiste që nuk marrin parasysh situatat konkrete. Unë jam përfundimisht i frikësuar nga përpjekjet e shoqërisë sonë për tu ‘tharë’ nga melankolia. Pa shqetësimet e shpirtit a do të përmbyseshin të gjitha majat madhështore të përmallimit? A do të pushonin simfonitë zemërthyera?
Frika ime bazohet në dyshimin se forma mbisunduese e lumturisë amerikane pjell shpëlarje. Ky lloj gëzimi duket se nuk e merr parasysh vlerën e mërzisë. Ky lloj gëzimi i supozuar, për më shumë, ngjan se ushqen paditurinë rreth polaritetit të përjetshëm e vital të jetës, ndeshjen e agonisë me ekstazën, brengosjes dhe entuziazmit. Të përpiqesh të harrosh mërzinë dhe vendin e saj integral brenda ritmit të madh të kozmosit, ky lloj gëzimi lë të kuptohet se dëshpërimi është një gjendje jonormale që duhet mallkuar si dobësi e vullnetit ose hequr qafe me ndihmën e një kokrre të vogël rozë.
Nuk po përflas lumturinë në përgjithësi. Për shembull nuk po sfidoj atë harbim të papërmbajtshëm që lind befas pas një vuajtje të gjatë. Nuk më shqetëson ajo qetësia e fituar me mund dhe që vjen prej meditimit të gjatë mbi brengat e botës. Nuk po kritikoj atë zjarr të ngadaltë hareje që vjen nga një jetë e kaluar në ndihmë të atyre që mëkatojnë. Dhe nuk po romanticizoj depresionin klinik. E di se ka shumë shpirtra të humbur që kanë nevojë për barna për të mos e vrarë veten apo lënduar miqtë dhe familjet e tyre. Nuk po diskutoj terapitë farmaceutike për të depresionuarit mendorë apo barnat që ua bëjnë më të lehtë ekzistencën atyre me crregullime biokimike.
Sidoqoftë, unë pyes se pse kaq shumë njerëz në faza melankolie marrin barna thjesht për ta lehtësuar dhimbjen. Sigurisht që ka një kufi delikat mes asaj që po quaj melankoli dhe asaj qe shoqëria konsideron depression. Sipas meje ajo që i ndan këto të dyja është shkalla e aktivitetit. Të dyja format janë, ku më shumë e ku më pak, mërzi kronike që shpie në shqetësim të vazhdueshëm rreth gjendjes së gjërave-ndjesi ngulmuese se bota nuk është sic duhet; një vend vuajtjesh e budallallëku pushtuar nga djalli. Depresioni (të paktën ashtu sic e shoh unë) shkakton apati pavarësisht këtij ankthi, letargji deri në paralizë totale, një paaftësi për të ndjerë. Ndërsa melankolia prodhon një ndjenjë të thellë rreth po të njëjtit ankth, një trazim të zemrës që prodhon dyshime aktive ndaj status quo-së, një dëshirim të përhershëm për të krijuar mënyra të reja të të qenit dhe të të parit.
Kultura jonë duket se i ngatërron këto të dyja dhe, rrjedhimisht, e trajton melankolinë si një gjendje jonormale, një kërcënim të keq të nocionit tonë sundues mbi lumturinë-lumturi si kënaqësi e menjëhershme, lumturi si rehati sipërfaqësore, lumturi si kënaqësi të pandryshueshme. Sigurisht, menjëherë lind pyetja: kush nuk do ta vinte në dyshim këtë formë qartësisht shtinjake të lumturisë amerikane? Të gjithë ne, natën vonë, kur tregohemi të ndershëm me veten, a nuk jemi kundër lumturisë shtinjake? Sipas të gjitha gjasave, po, por a nuk është e mundur që shumë prej nesh bien në këtë sipërfaqshmëri pa e ditur? A nuk janë disa prej nesh të goditur nga ëndrra amerikane sa jemi trushpëlarë deri në atë se besojmë qe qëllimi i vetëm mbi këtë tokë është të qenit i lumtur? Kjo dashuri e paqëllimtë për lumturinë, përkundër trishtimit, a nuk do cojë drejt një jete njekahëshe, hare të pashqetësim, mesdita rrezëllitëse pa netë?
Më duket sikur shumë prej nesh janë mashtruar nga mania amerikane për lumturinë. Ne mund të medojmë se po bëjmë një jetë me të vërtetë të ndershme kur ne realisht po sillemi po aq parashikueshëm dhe artificialisht sa dhe robotët duke rënë lehtësisht në sjellje shume të vjetëruara “lumturie” në konvencialitetin e kënaqësisë. Të mashtruar na shpëton ndërloja e madhe e kozmosit, trishtimi i saj i ndritshëm, bukuria e saj e tmerrshme.
Ëndrra amerikane e lumturisë mund të jetë një makth. Ajo që ngjan si hare mund të jetë fare mirë distopi ngërdheshjesh të dobëta. Pasioni ynë për lumturinë është shenjë e një urrejtjeje kërcënuese për gjithcka që rritet, harliset dhe më pas vdes. Do më vinte plasja sikur një mëngjes të zgjoheshim dhe të pendoheshim për atë c’kemi bërë në emër të gëzimit të pashqetësim. Do ta urreja ditën kur të ngriheshim nga shtrati dhe para nesh të shfaqet një vend i zhveshur nga rrugët vetmitare e të mrekullueshme dhe madhështia e hoteleve boshe, të gjenive gjysmë të cmendur dhe poezive të tyre të furishme. Nuk dua që kur të ndërgjegjësohemi të jetë shumë vonë për të jetuar.
Më 30 nëntor të vitit 1820, teksa e portokallta e vjeshtës kalbej në lerën e tokës dimërore, John Keats-i i cili vuante nga tuberkulozi që kishte vrarë nënën dhe vëllanë e tij Tom-in, u ul për t’i shkruar një letër shokut të tij të ngushtë Charles Brown. Ky qe letërkëmbimi i tij i fundit. Ndërmjet fragmenteve të tmerrshme të kollitjes-kollë që ia bënte gjak gjuhën-Keats-i shkroi këto vargje goditëse: “Kam një ndjenjë të përhershme se jeta ime ka mbaruar dhe se unë jam pjesë e një ekzistence postmortem.” Në moshën 25 vjecare, kur ai duhej të kishte qenë duke shijuar mundësitë e dashurisë dhe të ardhmes, zbavitjet verore dhe vajzat e bukura, Keats-i ndjehej si kufomë. Atij i dukej sikur ishte në varr dhe prej andej kujtonte ditët e tij ashtu si dikush shihte një personazh të një tregimi të lexuar dikur. Ai ishte aty, duke krijuar dhe duke e parë botën me sytë e nje njeriu të vdekur.
Kur ai ishte vetëm 9 vjec, babai i tij ra nga kali dhe vdiq të nesërmen. Pak vite më vonë nëna e tij u sëmur me tuberkuloz. Megjithëse Keats-i i ndenji pranë pandërprerë gjatë gjithë orëve të natës, duke i gatuar e lexuar, ajo vdiq në vitin 1810 kur ai ishte 15 vjec. Keats-it iu caktua një kujdestar dhe, pak më vonë, u hoq nga shkolla me konvikt dhe iu kërkua të bëhej shegert në një farmaci. Kjo atij i dukej e mërzitshme pasi gjatë këtyre viteve, në fund të adoleshencës, ai u njoh me madhështinë e poezisë, vecanërisht vargjeve të Shekspirit dhe Spenserit. Për të kompletuar trajnimin Keats-it iu desh të mësonte edhe kirurgji. Ditë pas dite ai u rraskapit në një spital kundërmues dhe të përgjakshëm ku pa asgjë përvec vuajtjes. Teksa po linte kirurgjinë për poezinë poema e tij e parë e rëndësishme “Endymion” u botua në vitin 1818. Dy revistat kryesore letrare të kohës e sulmuan poezinë si të pakuptimtë.
Në të njëjtën kohë, i vdiq Tom-I, i vëllai, pas një sëmundjeje të gjatë e të dhimbshme. Ndërsa kujdesej për të Keats-i takoi dashurinë e jetes, Fanny Brawne me të cilën u fejua. Sidoqoftë, ai kuptoi shpejt se nuk do mund të martohej me të sepse edhe vetë ishte mallkuar të binte pre e së njëjtës sëmundje që vrau njerëzit e tij. Ai e dinte se do të vdiste pa e përmbushur dashurinë e tij të zjarrtë.
Të shkon mendja se kjo jetë do ta ushqente Keats-in me zemërim, por ai mbeti bujar pavarësisht vështirësive. Ai nuk u tërhoq tek kthinat e zakonshme të shekullit të 19-të; krishtërimi apo opiumi, të pirit apo ëndërrimi. Megjithëse, afërmendsh, iu nënshtrua brejtjeve serioze të melankolisë ai kurrë nuk e mëshiroi dhe as nuk i erdhi keq për veten. Në fakt, ai vazhdimisht e shndërroi mërzinë e tij, e cila buronte kryesisht nga përvojat e tij me vdekjen, në një burim të fortë bukurie. Gjërat janë të mrekullueshme, thoshte ai shpesh, sepse ato vdesin. Trëndafili prej porcelani nuk është aq i bukur sa ai që kalbet. Melankolia për kohën që shkon është pozicioni i duhur nga shihet e bukura.
Keats-i kuptonte se vuajtja dhe vdekja nuk janë anormalitete për tu mallkuar por pjesë të nevojshme të ekzistencës së madhe, histori personale të harmonizuara me polaritetin e paanë të kozmosit. Të mohosh vdekjen dhe fatkeqësinë do të thotë të jetosh një jetë të pjesshme së cilës i mungon kreativiteti dhe e bukura. Keats-i e mirëpriti vdekjen e tij në mënyrë që të jetonte.
Duke marre këte pozite të dyfishtë-të vuash vdekjen ndërsa e tejkalon atë-Keats-i ishte brenda dhimbjes së tij dhe njëkohësisht përmbi të. Ai e paraqiti këtë ndërlojë mes mvarësisë dhe varësisë në një prej letrave të tij më të famshme, shkruar në vitin 1819. “A nuk e sheh sa e nevojshme një botë Dhimbjesh dhe telashesh është për shkollimin e Inteligjencës dhe shndërrimin e saj në Shpirt?” pyeste ai. Ai do të thotë se një mendje abstrakte mund të shndërrohet në një individ zemërplotë vetëm nëpërmjet periudhash të gjata trishtimi dhe dhembjeje.
Në një tjetër letër të famshme, kjo e vitit 1818, Keats-i krahason jetën e njëriut me një “vilë të madhe me shumë Apartamente.” Ai thotë se e vetmja mënyrë për tu tërhequr nga misteret e mëdha të jetës është të vuash “Mjerim dhe Zemërthyerje, Dhimbje, Sëmundje dhe Shtypje.” Kalimi i këtyre shqetësimeve të con nga “Dhoma e Vashës së Mendimit”, (dhoma e pafajësisë) në shtigjet e errëta te zonave te përvojës së thellë. Këtu njeriu gjen frymëzimin për poezi, e cila eksploron kufijtë misteriozë të jetës. Në këtë rast, gjithashtu, Keats-i tregon se është krejtësisht i përgatitur për botën e dhimbshme, por, gjithashtu, i gatshëm për ta përqafuar këtë dhimbje. Duket sikur ai, në njëfarë mënyre, të ishte në këtë botë, por jo i saj, në gjendje për të vuajtur hidhërimet por, gjithashtu, i aftë për të parë përtej tyre.
Në “Ode për melankolinë” ai na nxit të mos e lehtësojmë dëshpërimin tonë me kimikate trulluese, të kërkojmë shpëtim përmes vetvrasjes, apo “ta mbysim angushtinë e pagjumë të shpirtit.” Duke qenë të ndërgjegjshëm për mërzitë e errëta ne mund të biem në një “krizë melankolie” një eksperiencë e thellë e përkohshmërisë së jetës, por gjithashtu e bukurisë së saj. Kjo krizë melankolie është një cështje e përzier. Bie nga qielli ‘si një re lotuese,/që ushqen gjithë lulet kokëvarura.” Por gjithashtu sjell shi dhe ushqim. Në të vërtetë kjo re “fsheh kodrën e gjelbër në një vel prilli.”
Përfundime
Genet-para dhe përtej kohës-shkumëzojnë dhe spërkasin. Cka bie në brigjet e përkohshme i përket shansit, një produkt i trilleve të dallgëve. Në njëfarë pike ky rezervuar i tejmbushur ADN-je shkumëzon përpara një gen të vrenjtur, një helikë dyshe destinuar për prodhimin e prirjes melankolike. Prej këtij momenti fillon ajo që ne njohim si histori njerëzore: përpjekjet, në dukje pafund, drejt një perfeksioni të pakapshëm, atë metim tragjik për të kapur cka është përtej mbërritjes, për të deshtuar magjikshëm. Ky gen melankolie ka rezultuar si kodi i risive. Gjatë shekujve ka prodhuar kullat e shkëlqyeshme me kokë drejt qiellit. Ka krijuar epet tona të mëdha që duan të barabiten me Zotin. Ka shpikur simfonitë e paharrueshme, po aq të potershme sa dhe oqeani i parë. Pa këtë genom të pikëlluar këto sipërani do të mbeteshin në nënbotën e joekzistencës. Në të vërtetë pa këtë informacion gjenetik, ambicioz dhe të zymtë, ajo që shohim si kulturë, atë mbretëri hyjnore idesh tendosëse nuk do të ishte lindur kurrë vec nga lufta për mbijetesë, vec nga të vrarët dhe të ngrënët.
Mund t’ia veshim këtë skenë botës primitive. Ndërsa të fuqishmit e fisit dilnin për të gjuajtur kafshë ose njerëz të tjerë, shpirtrat melankolikë zhyteshin në mendime në shpellë ose nën ndonjë pemë. Aty ata përfytyronin struktura të reja, ovale dhe të qelibarta, ose ritme të reja gojore, thirrje të shenjta, apo këngë më sipërane edhe se të vetë zogjve. Duke përfytyruar këto gjëra, e më shumë, ky i sëmurë nga melankolia u bë po aq i dobishëm për kulturën e tij sa dhe gjuetarët dhe ushqimsjellësit për te tyret. Ai e shtyu përpara botën e tij. Ai e lëvizi atë. Ai gjithnjë qe banor i mbretërisë së pasigurtë të avant-garde-s.
Ky vizionar primitiv ishte i pari ndër shumë melankolikë përparimtarë. Sigurisht, jo të gjithë shpikësit janë melankolike dhe jo gjithë shpirtrat melankolikë janë novatorë. Sidoqoftë, marrdhënia e provuar shkencërisht mes gjeniut dhe depresionit, mes merzisë dhe madhështisë sugjeron se shumica e novatorëve të kulturës qprej ëndërrimtarit antik në pyll e deri tek dadaisti i qytetit modern e kanë tokëzuar origjinalitetin e tyre në gjendje melankolie. Ne mundemi tani të kuptojmë se pse.
Melankolia shkon kundër së lehtës “ose/ose” të status quo-së. Gjallëron në zona të paeksploruara ndërmjet të kundërtave në territorin e “të dyja/dhe”. Ushqen depërtime të reja ndërmjet të kundërtave, vecanërisht të atij polaritetit të madh te jetës dhe vdekjes. Inkurajon rrugë të reja të gjetjes dhe emërtimit të lidhjeve misterioze ndërmjet antinomeve. Na kthen në pafajësi, ironi, tek ajo aftësi e përkohshme për të luajtur me të mundshmen pa qenë të sforcuar me aktualen. Këto pushime nga e zakonshmja e rifreskojnë marrdhënien tonë me botën, na dhurojnë perspektiva të bukura na i mbushin me energji mendjet dhe zemrat.
Në të vërtetë, bota është e mërzitshme të shumtën e kohës, kontrolluar nga zakone të përmbajtura. Dhe ja ku mbërrin ajo që Keats-i e quan “shtërzim melankolie dhe papritur planeti edhe njëherë bëhet interesant. Tisi i familjaritetit bie. Para nesh ndricojnë mundësi jetdhënëse. Kërkohet nga ne që të farkëtojmë lidhje të panjohura me rrethanat tona. Na bëhet thirrje për të qenë kreativë.
Duke njohur këto virtyte të melankolisë, pse mijra psikiatristë e psikologë përpiqen ta “kurojnë” depresionin si të ishte një sëmundje e tmerrshme? Padyshim ata që vuajnë depresione të thella, vetvrasëse dhe në prag të psikozave kërkojnë mjekime serioze. Po ata miliona njerëz me depresion të lehtë apo të moderuar? A duhet tu kërkohet këtyre vizionarëve të mundshëm të heqin dorë nga melankolia e tyre me ndihmën e një kokrre? A duhet që këta novatorë të mundshëm të braktisin atë që fare mirë mund të jetë muza e tyre më e madhe, demonët që lindin engjëj?
Sot për sot, nëse statistikat janë korrekte, rreth 15 përqind e amerikanëve nuk janë të lumtur. Së shpejti, ndoshta, me ndihmën e psikofarmaceutikës, ne nuk do kemi më njerëz të palumtur. Melankolikët do të zhduken. .
Kjo do të jetë një tragjedi e pashoqe e njejtë në shtrirje me zhdukjen e balenës kashalot apo shqiponjës së artë. Pa melankolikët ne do jetonim në një botë në të cilën gjithkush pranon status quo-në, në të cilën gjithkush do të kënaqej me atë që kishte. Kjo do të formonte distopi ngërdheshjesh të patrazuara e të kudogjendura, një makth të një rrafshulte që nuk ofron asgjë të re nën këtë diell. Pse jemi duke u shtyrë drejt nje ferri të tillë?
Përgjigja është e thjeshtë: frika. Shumë fshihen pas buzëqeshjes sepse tuten të përballen me kompleksitetin e botës, turbullirën e saj, bukuritë e saj të tmerrshme. Nëse rrinë të strehuar sigurtë pas ngërdheshjeve të llustruara nuk u duhet të përballen me pasiguritë që banojnë brenda mundësive, ato momente akthëruese kur ti nuk dallon këtë prej asaj, kur ti papritur mund të bëhesh hicmosgjë. Megjithëse ky ankthërim, zakonisht rreth vdekjes, në fund bëhet dehës, një thirrje për të qenë kreativ, në fillim është tmerruese si ndjesia e luhatjes mbi një hon të paparashikueshëm. Menjëherë ata ikin prej kësaj situate. Përpiqen ta humbin veten në mes masave të qeshura duke shopresuar se ankthi nuk do t’i vizitojë më kurrë. E veshin falsitetin si maskë që i mbron nga honi.
Ta edukosh shoqërinë me lumturi totale është të sajosh kulturën e frikës. A duam me të vërtetë të heqim dorë nga kurajoja vetëm për hir të gazmendit? A jemi gati të dorëzojmë ndjesitë tona më të qenësishme për një natë gjumi të qetë, një stinë kënaqësie? Ne duhet t’i injorojmë joshjet e kulturës sonë të rrëmbyer nga lumturia dhe, disi, të mos e lëshojmë trishtimin. Ne duhet të gjejmë një mënyrë, megjithëse është e vështirë, për të qenë vetvetja, zymtësi e të gjitha.
Duke vuajtur mërzinë, e pashmangshme si frymëmarrja, ne duhet ta pranojmë këtë fakt të urryer prej botës: ne jemi përjetësisht të paplotë, fragmente të një të gjithë të pakapshme. Natyrat tona të papërfunduara-ne kurrë nuk jemi aktualitete të pastra, por gjithmonë mundshmëri të turbullta-e bëjnë jetën një betëjë të përhershme, një garë force me të panjohurën e përhershme. Por kjo zgjatje drejt honit është gjithshtu shpëtimi ynë. Të jesh një fragment do të thotë që gjithmonë je në kërkim të dickaje përtej vetes, dicka transhendente-një mundësi e paeksploruar, një rrugë e verbër. Kjo përpjekje është gjithmonë një akt lirie, i të zgjedhurit të një rruge në vend të një tjetre. Megjithëse kjo punë është rraskapitëse-kërkon vëmendje të përhershmë ndaj brendësisë sonë misterioze dhe të ndërrueshme-është gjithashtu dalldisëse, një tingëllim pothuajse i pakufi i gjëagjezave të mprehta të Qenies.
Të jesh kundër lumturisë, të shmangësh kënaqësinë, është të jesh afër me gëzimin, të përqafosh ekstazën. Paplotshmëria është thirrja për të jetuar. Fragmentarizimi është liri. Gëzimi i mosnjohjes së asgjëje plotësisht është se mund t’i përfytyrosh vazhdimisht madhështitë përtej cdo arsyeje. Në anë të së plotës gjendet kufiri i zhdërvjellët i ekzistencës. Ky është ngazëllimi i perimetrit. Kjo është magjepsja, që digjet ngadalë, e përfundimit të një libri që nuk mund të përfundojë kurrë, një tekst me të meta dhe konfliktual, i shqetësuar si muzgu.
Nxjerrë prej “Against Happiness” nga Eric G. Wilson.
No comments:
Post a Comment