Nga Fation Pajo
Tregim
Kisha mëse pesë vjet që shërbeja në një repart ushtarak të qytetit jugor “F”. Ndodhesha larg familjes. Fillimi si për gjithë të tjerët edhe për mua ishte tepër i vështirë. Jetoja në një vend të panjohur ku gjithshka më dukej krejt ndryshe nga sa e kisha menduar. Por me kalimin e kohës ky hendek i krijuar filloi të zvogëlohej. Zura shoqëri të re. Orët e lira nisa të mos i ndjej si më shkonin aq shpejt. Me një fjalë,fillova të përshtatem me jetën e përditëshme. Ndërsa po bëhesha si i shtëpisë në këtë vend me shoqërinë që më rrethonte,malli për të mi-të më shtohej dita-ditës. Ndodhte që kur shkoja me leje pranë tyre,nuk arrija të ngopesha sepse më duhej të nisesha përsëri. Po i afrohesha të 27-tave dhe ende nuk po trokiste në shpirtin tim ndonjë sinjal lidhjeje. Ambienti përqark,sigurisht vajza për të menduar sinqerisht për një lidhje të rregullt,ishte i rëndomtë. Kështuqë shpeshherë do të qëndroja me orë të tëra në bibliotekën e Shtëpisë së Ushtarakëve duke shfletuar gazetat e ditës dhe librat që vinin.
Një mbrëmje tek ndodhesha në sallë duke lexuar revistën mujore më vjen pranë ushtari i shërbimit,Drini. Si më përshëndet më drejtohet:
-Komandant Fatmiri,ju kërkojnë nga Komanda e Brigadës…
U ngrita vrik dhe me një “erdha” të shpejtë e ndoqa pas. Rrugës deri tek gabina e telefonit ku nuk më shkoi mendja për këtë telefonatë të beftë. “Mos ka ndodhur gjë në repart e s’më ka gjetur dot korieri…?! Po të ish dhënë alarm,të paktën do vinte të më lajmëronte si gjithnjë Bimi…! Jo,s’ka mundësi…! Mos të më ketë ndodhur gjë andej nga Tirana…?! Dje fola me ta dhe s’më thanë gjë për nënën !... Po atëherë,përse më kërkojnë ?!...” Ngrita aparatin dhe pa menduar kush ish u prezantova:
-Urdhëroni,Fatmiri u dëgjon!
Nga ana tjetër e njoha zërin e shtruar të Komandant Veizit.
-Fatmir,është pak vonë…
-Jo,shoku komandant,nuk më shqetësuat. Po lexoja diçka lart.-gjegja.
-Fatmir,-bëri një pauzë të shkurtër eprori dhe me qetësinë që e karakterizonte në të folur vazhdoi,-Kemi një problem në Batalionin e Dytë…
-Pooo,- desha të mësoja sa më parë si ishte puna.
-Atje një ushtar nga zona jote ka tre ditë që ka ikur pa leje. Nuk kemi asnjë informacion nga rrethi për të…Mund të shkoni e të na e bini këtu atë djalë ?!-kërkesa e komandantit më shumë ish një lutje sa urdhër.
-Ku duhet të shkoj ?-e pyeta.
-Në fshatin “Gurrëz “. Atje kërko kryetarin e këshillit dhe me të shkoni në familjen e Fredi Trungut. Bëni kujdes kur të shkoni atje. Me këtë rast hidhu një copë herë edhe nga të tutë. Dëgjon ?!
- Po ,shoku Komandant,ju dëgjova,por unë…
-Për këtej do t’i marrim ne masat. Në rregull?
-Në rregull ! –u përshëndeta me të dhe si mbylla telefonin shkova në dhomë të bëhesha gati për udhë. Pasi përgatita gjithshka më duhej u shtriva të fle. Emri i fshatit “Gurrëz” më kish mbetur në kujtesë. Nën vezullimin e yjeve përtej perdeve të tylta të dritares së dhomës si në ekran m’u shfaq ajo kohë paksa e largët…
Ndodheshim në periudhën dimërore të stërvitjes në kampingun tonë,jo shumë larg Kampit të Pionierëve në afërsi të fshatit të dëgjuar “Gurrëz”. Atje në çdo muaj Shkurt vitet e treta e të katërta do të përqëndroheshin të ambientoheshin me kushtet klimatike të zonës. Ishte viti 1977-të. Një vit me dimër të egër e me dëborë të madhe. Për fatin e mirë timin,më caktuan ndihmës të kuzhinierit të shkollës,patriotit tim,Stavrit,rreth pesë vjet më i madh nga unë dhe shok me tim-vëlla,Arbërin. S’ia thoja fare për punët e kuzhinës,por me ndihmën e Stavrit thuajse ia dola mbanë. Në stërvitje shkoja vetëm në disa orë speciale.
Paraditeve,pasi mbaronim së gatuari drekën dhe gjithshka e kishim gati,zbrisnim në fshat dhe pinim një çaj ose salep. Stavri në fshat ish bërë si fara e kuqe. Atje kish martuar edhe të motrën e mesme,Elin,dy vjet më të madhe se veten,me Demraliun,mësuesin e gjuhës në shkollën tetë-vjeçare në dalje të fshatit. Më lodhte nga fjalët që s’i mbaroheshin gjatë gjithë ditës. Shpeshherë ia aprovoja mendimet pa e patur mendjen ç’më fliste. I vinte plasja kur i thosha ndonjëherë shprehjen tonë të vjetër:-“Ti sikur ke lindur shtatanik,që s’pushuake ?!”. Por kish një të mirë kurrë s’më zemërohej.
Një ditë u vonova pak me punët që kisha. Stavrit i kish vajtur mendja për byrek me petë dhe Eli s’e kish bërë dy. Ai më priste poshtë në lokal. Kështuqë pasi vendosa gjithshka nëpër vende me një fërshëllimë të njohur në buzë zbrita të tatëpjetën.
Fshati nga larg dukej sikur e kish prerë njeri me thikë në mes. Me ndërtimet paksa të vjetra,por të mbajtura mirë dukej si një mollë “gold” e ndarë me kujdes. Në qendër kishin rregulluar një mini fushë futbolli për të luajtur fëmijët dhe stacionin e autobusit që sillte nga qyteti nëpunësit e shtetit. Fushën gjatë verës e përdornin si lëmë për të korrurat. Krah saj paksa të ngritur nga sipërfaqja e tokës kishin ndërtuar një kafane për argëtimin e njerëzve. Në hyrje të tij fshatarët kishin ndërtuar një çezmë uji. Ajo dimër-behar s’kish të pushuar. I shërbente thuajse gjithë lagjes së poshtme për të pirë e për të larë teshat. Por më shumë u shërbente të ardhurve,pasi rrugës së gurtë u thahej buza.
Nën bardhësinë e dëborës fshati me kodrinëzat përreth më sillnin një ndjesi që rrallë e hasja në vende të tjera,qoftë edhe në malin e Dajtit. Arat në të dy anët e rrugës kryesore ishin mbuluar nga çarçafi i bardhë prej të cilit rrezet e diellit gati sa nuk më verbonin sytë. Më hapa të ngadaltë,nëpër tatëpjetë mezi mbaja ekuilibrin,iu afrova çezmës të freskohesha(të njomja buzët nga zagushia e rrobave të trasha që kisha veshur) e në klub të shkoja i qetësuar. Për të disatën herë aty mëngjeseve po ndeshja po të njëjtë fytyrë. Një vajzë bjonde rreth të pesëmbëdhjetave e bukur e me një bardhësi lëkure, tërheqëse tepër e ndrojtur dhe me duart aq të vogla,po lante një legen të madh me rroba. Nishani i vogël e pis i zi nën syrin e djathtë e bënte edhe më ndjellëse për syrin e çdo të riu që e ndeshte. Ndërsa unë dhe pse veshur pak trashë ndjeja të ftohtë në trup,kjo vajzë vetëm me një pulovër deveje jakë “V” mbi fustanin e basmës e me mëngë të përveshura gjer mbi bërryla as që donte t’ia dinte. Bërë lulëkuq në fytyrë e me një hapësirë ekzaltuese nën jakën e zbërthyer të fustanit,po sfidonte temperaturat e ulëta. Këtë mëngjes ajo lante rrobat duke i qëndruar në fund të bebëzave një sumbull loti. As vetë nuk e kuptova përse po i afrohesha këtij engjëlli. Portreti i saj po shfaqte në sytë e mi një perceptim të ri,një ndjenjë që ky dimër i egër m’a kish përgjumur. Ata sy të lëngët,nishani,buzët e njomëza e ai gjoks i sapo formuar po zgjonin brenda meje një zjarr që kurrë më parë s’e kisha ndjerë. Një dëshirë e brendëshme po më shtynte drejt saj. Dëshiroja ato çaste t’ia dëgjoja zërin,t’ia shihja edhe më gjatë ata sy të kristaltë,prej të cilëve kishin pikuar ato pikëza loti. Dëshiroja t’ia prekja ato buzë të kuqëremta të buta si dy luleshtrydhe të porsapjekura e t’ia puthja gjer në ngopje.
Ditën e parë ndërsa po hynim në fshat më bëri shumë përshtypje portreti i saj në këtë çesmë duke larë nëpër atë të ftohtë të hidhur. S’mu durua e pa e larguar vështrimin nga ajo pyes Stavrin me të qeshur :
-Ky fshat më duket pak rrëmujë me këto ndërtime,por çupkat i paska si yje,si lule pranvere…
-Dale,dale,-më kthehet teksa lamë çesmën e po hynim në qendër,-s’ke parë pasdite ti…lëre-lëre-tundi kokën dhe pasi përshëndeti një fshatar duke ngjitur tri shkallët e hyrjes për në klub me zë të ulët vazhdoi,-këtu edhe gratë e martuara janë si kumbulla…Apo s’janë si lastar të drejta…Eh,u ndrit e shkreta lëkurë,jo si tonave në Tiranë të vrara e të qullosura.-qeshi e më bëri shenjë të uleshim në një prej tavolinave bosh.
Fjalët e tij më kishin mbetur në mendje. Njeri llafazan ish miku im,por kish thënë një të vërtetë të pamohueshme. Grave nuk ua gjeje dot moshën aq të mbajtura e të pastërta ishin. Vërtetë isha aty tek të tetëmbëdhjetat,por një perri të tillë si kjo vajzë engjëllore në këtë çesmë,rrallë se e gjeje nëpër gjimnazet e qytetit. Pikërisht brishtësia e saj dhe ajo fytyrë e shkëlqimtë,më shtyu t’i afrohem pranë.
-Mund të pij pak ujë !-i them me gjysmë zëri.
-Posi,-u ngrit vajza dhe e skuqur në fytyrë u shmang pak prapa.
Kërkova atë çast të pija pak ujë,vura dorën në grykën e çesmës,por nuk munda. Uji i ftohtë më mpiu dorën. Përballë meje vajza e skuqur në fytyrë qeshi me veprimin tim e si më tha të prisja një minutë shkoi si një flutur mëngjesi në shtëpinë e saj. Ajo kish një shtëpi të vjetër njëkatëshe me avlli vende-vende të plasaritur e me gurë të hequr. Megjithatë oborri përpara ndriste. Nuk vonoi dhe vajza erdhi me një ibrik e një godë qelqi në dorë.
-Si të quajnë ?-e pyes.
-Djana-gjegji e pasi shpëlau godën e mbushi plot dhe me një ndrojtje të fshehur brenda atyre syve të përlotur pak më parë,ma zgjati,- Ju pe të qytetit i doni të lara mirë…
Fjalët e saja mezi i kapërdiva bashkë me ujin. Qëndrimi para meje si qiri vitrine me ato duar që avullonin nën rrezet e diellit më detyroi të flisja e të kërkoja më shumë prej saj.
-Nuk ke shkuar në shkollë sot?-As vetë s’e kuptova si më doli kjo pyetje. Ajo u skuq edhe më në fytyrë.
-E lashë në mes…-foli më gjysmë zëri. I ra një lot i beftë dhe si e fshiu me pëllëmbë vazhdoi,-Më duhet të mbaj shtëpinë…Nëna na la para një viti…Kam babanë dhe një vëlla më të vogël pe meje…Duan ndihmë…S’ka kush të gatuaj e t’i qëndrojë pranë babit që po vuan prej dy vjetësh…
-Më fal,të lëndova…-po më vinte keq vërtetë për këtë vajzë të pa rritur mirë të mbajë familjen.
Dëshiroja të qëndroja edhe pak pranë kësaj vajze të bukur e të urtë,por mendimi se shoku po më priste lart në klub e ndonjë sy kureshtar pas shpinës sonë do na shihte e do thurte gjithfarë inskenimesh të rreme ndaj saj,më bëri të ndryshoja mendje. E falenderova për mirësjelljen e treguar dhe pasi u përshëndetëm mora rrugën drejt qëndrës së fshatit. Ecja i bindur se pas më ndiqnin sytë e bjondes me nishan të zi dhe ai emër që kurrë s’do t’i harroja…
Pas disa troshitjeve lodhëse të rrugës së gjatë,rreth orës dy furgoni i linjës mbriti në qendër të fshatit “Gurrëz”. Pasi zbrita shkunda me pëllëmbë pluhurin e kapeles ushtarake dhe për disa çaste hodha vështrimin përqark. Kishin shkuar më shumë nga 10-vjet që kur isha ndarë me të. Në pamje të parë kish mbetur po ai i dikurshmi. Disa shtëpi dykatëshe ishin ngritur fare pranë sheshit duke ngushtuar edhe më fushën e fëmijëve. Shtëpitë tej në lagjen e poshtme(nga hyrja) thuajse s’i kish prekur kush. Kangjellat e hekurit në verandën e klubit me disa tavolina e karrige të shtruara anës murit i jepnin edhe më frymëmarrje atij. Nuk kish shumë njerëz në këtë orë të drekës. Ngjita shkallët dhe i afrohem banakierit,një burrë rreth të 50-ve paksa i shëndetshëm e me fytyrë të rrumbullaktë:
-Më falni,quhem Fatmir Dardha –prezantohem.
-Urdhëroni ! Mua më quajnë Guri-ngriti kokën e më vështroi paksa i hutuar.
Pa mbaruar mirë ai hapet dera dhe dalin prej saj dy persona me koka të mbuluara. Tek unë largimi i tyre ishte thjesht si një imazh në mjegullim.
-Vij nga qyteti “F”. Mund të më ndihmoni ? –i drejtohem me një përskuqje të lehtë në fytyrë. Vështrimet e fshatarëve pas shpinës sime si dhe arsyeja që më shtynte drejt këtyre njerëzve të panjohur befas më shtuan emocionet. Prania ime ushtarak padashur tërhoqi vëmendjen e tyre.
Banakieri,me sa duket ish rrahur në jetën e përditëshme me probleme të tilla. Mori dy goda dhe si i mbushi me raki më thotë :
-Vjen nga rrugë e gjatë. Hajde gëzuar!-toku godën me timen dhe e hodhi me fund.
Unë me pak mundim,por edhe për të mos ia kthyer dorën tjetrit ktheva pak e si fshiva buzët e pyes:
-Kërkoj shtëpinë e Fuat Trungut!
Ai fshiu duart me peshqir më bëri shenjë të prisja pak dhe shkoi pas banakut veshi xhaketën kadife,i la porositë e duhura të shoqes,mori tabakanë e në nxitim e sipër m’u afrua pranë, -Erdha!-më tha dhe si u shpuri tre pleqve një pjatë me qofte e djathë të freskët,fshiu duart e me një buzagas të lehtë në fytyrë priu drejt derës. -Shkojmë tani…tha dhe sakaq më hapi rrugën.
Në heshtje zbritëm shkallët dhe u nisëm drejt lagjes së poshtme.
-I pe ata të dy që dolën nga lokali pak më parë ?!-u kthye nga unë me buzën në gas.
-Jo,-gjegja shkurt.
-Njeri prej tyre ish Fredi.
-Siii…Hm!-mblodha buzët.
Guri ish mik i familjes së tyre. Më futi krahun dhe me zë të ulët teksa po shkonim drejt shtëpisë së xha Fuatit,më shpjegoi shumë shkurt shkakun e ardhjes së djalit në fshat me kaq ngut.
-Eh,more byrazer…!-ndali hapat Guri Dineja dhe treti për një çast vështrimin disa metro para nesh.-E sheh atë atje?
Një burrë gati moshatar me shoqëruesin tim,ulok,ecte me një këmbë e me duart krejtësisht të plasaritura nëpër të tatëpjetën që të shpinte në lagjen e poshtme. Thembra e këpucës thuajse e shqyer dhe fundi i xhaketës prej stofi grirë nëpër kalldrëm më therrën në shpirt. “Nuk u gjendkan për këtë copë njeri një palë paterica ?!...Pse e kanë lënë në këtë gjendje ?!...Kaq i dobët qenka shërbimi shëndetsor këtu ?!...” Mendimet m’i ndërpreu Guri tek më zuri për mënge.
-Ai është Fuati…-tha me zë të ulët duke nxjerrë nga xhepi paketën “DS”.
-Mossss ?!-s’po u besoja syve.
-Ai…ai është nipçe,-ndezi cigaren dhe iu afrua pranë mikut të tij.
U zura ngushtë. Ato momente s;e desha vehten. Më mirë do ish t’i bija kryq e tërthor malit me Gropa me dëborën gjer në gju,sa të ballafaqohesha me këtë gjysmë njeriu,që me shpirt ndër dhëmbë luftonte për të mbijetuar.
-Fuat…o Fuat !-i foli nga pas Guri.
Xha Fuati ndaloi dhe me mundim u kthye nga ne.
-Hë Guri…-nuk mundi të vazhdonte më. Hodhi vështrimin nga unë e si u përtyp pak më drejtohet,-Na falni,o komandant për shqetësimin…-syve nisën t’i shkasin disa pikëza loti.-Ju keni ardhur për Fredin ?!
-Shkojmë në shtëpi kusho !-ndërhyri në momentin e duhur Guri dhe aty për aty i zgjati një cigare,-Merre një !
Prita sa e ndezi tjetri dhe ashtu siç ishim thuajse në heshtje filluam të ecim.
Në hyrjen e fshatit u ndjeva i befasuar. Ajo çesmë e dikurëshme,nga e cila rridhte uji i ftohtë e qelibar,tashmë ish kthyer në një vend gjembaçësh. Muri i betonit ish thyer si mos më keq. Pa saraçineskën tubi me rrjetën e merimangës gjer në tokë ngjasonte me një copëz hekurishteje të ndryshkur.
-Gjithkujt i ka dhembur mbyllja e kësaj çesme…Vunë tubacionet e reja dhe as që ia vunë veshin rëndësisë së saj…Tani na duhet të mbajmë shishka me vehte…Të gjithë e shohin,u duhet si dikur,por asnjë për besë nuk e merr mundimin të verë dorë në të.
-Ejani,-ishte xha Fuati që ndërroi temën e bisedës dhe sakaq nxitoi të na hapë portën.
E ndoqëm pas. Ishte po ajo lagje si vite më parë. Thuajse asnjë ndryshim. Muri i avllisë gati sa nuk po binte në fasadën para. Ngurova një sekondë të shtyhesha drejt asaj deriçke me copa dërrasash të thyera.
-Tani u them “Mirë se ardhtë” në shtëpinë time,o miq !-foli i zoti i shtëpisë me lotë ndër sy. Fshiu dorën me një peshqir që e mbante si duket në kësi rastesh e duke e takuar me timen vazhdoi,-Rrimë këtu në verandë…
Dora e tij kish zënë një shtresë kalloje dhe ish gjithë plasaritje. Aty për aty thashë me vehte “Më mirë të zija një copkë plloçë nga të çatisë që kisha para këmbëve sa të prekja atë dorë. Gjer në palcë më shpoi shtrëngimi i saj. Vështrova nga Guri. Tundja e kokës së tij në shenjë miratimi dhe afrimi me të shpejtë i një karrigeje portative më bënë të çlirohesha nga emocionet. Nuk e pija cigaren,por para se të nisesha bleva dy paqeta per dajon e vogël që jetonte ende në fshat. Nxorra njërën nga xhepi dhe si e hapa me dorën e majtë në zemër ua server.
-Ndizeni nga unë një duhan,xha Fuat !
Xha Fuati,nga rrudhat e fytyrës,nga sklepat e bardhë në të dy gropëzat e syve si dhe nga mjekra disa ditë e parruar,po më dukej si një shtatëdhjetë vjeçar. Ku Guri e ku Ai. Vërsnikë ishin,por jeta e hallet këtë njeri me këmbë të prerë gjer në rrëzë të kofshës,e kishin plakur shumë më shpejt nga ç’duhej. Ai më ktheu përshëndetjen dhe me duart që ende i dridheshin nisi të thithë në qëtësi “Marlboron”. Pas tij jo shumë larg nga muri rrethues ndodheshin dy pemë molle të cilat sapo kishin nisur të formonin frutet. Dukeshin që s’i kish prekur njeri me dorë. Mbi një nim pranë dritares dukej sikur flinin prej kohësh një gërshërë e një topth spangoje. Mbisundonte një heshtje e plotë. Heshtje që më thëmbonte edhe më shumë në shpirt.
-Nuk paske njeri në shtëpi,xha Fuat ?-e pyes.
Ai lëvizi pak nga vendi. Kërkoi atë çast të bënte detyrën sipas traditës,por e ndjeu që s’kishte fuqi. U kthye nga miku i tij dhe si shkëmbyen një vështrim të shpejtë u kollit lehtë. Guri u ngrit sakaq e hyri brenda.
-Eh,more vëlla…!-mezi nisi të flasë Xha Fuati.-Që thua zotrote,unë kam mbi një vit që ngrysem e gdhihem fillikat në këtë kasollkë të vjetër…
-Vetëm Fredin keni ?!-më shtyu kureshtja.
-Hm…-tundi kokën dhe njëherësh i shkanë sërish disa pikëza loti.-Ç’ne! Kam edhe një vajzë…I dhëntë Zoti ymër ! E kam të martuar këtu në fshat,në lagjen e sipërme…Vjen e shkreta dy herë në ditë më ndihmon,më gatuan,më pastron e si ve çdo gjë nëpër vende shkon në shtëpinë e saj…Ja,sikur ka ardhur !-i ndritën sytë plakut dhe vështroi nga deriçka gjysmë e hapur.- Ajo është dhe shtatzënë tani e…e…-iu drodh zëri.
Me një tabaka në dorë hapi derën Guri dhe për t’i ardhur në ndihmë xha Fuatit vazhdoi aty ku Ai e la në mes.
-Fatmir,të fola edhe pak më parë…-u përkul mbi tavolinën e sajuar dhe pasi vendosi godat e rakisë dhe pjatën me pak gjizë e specka të freskëta nga të bahçes vazhdoi,-prandaj dhe Fredi ka ardhur pa lejen Tuaj…Lihet ky plak vetëm për disa muaj pa një njeri pranë ?!...As patericat s’është në gjendje t’i mbajë. Kjo lëvizje lart e poshtë e mban gjallë këtë burrë.-psherëtiu lehtë dhe si i hodhi dorën në shpatulla xha Fuatit vazhdoi,- Na beso për këtë që po të them sot;ne gdhihemi e ngrysemi mendjen tek ky e kemi. Ja do t’i vijmë një herë unë ose ime-shoqe,por a e ndihmojmë dot ?!...Kujt më shumë se birit të këtij do t’i dhimbset ky?!...Eh,vëlla,na e bëj hallall mundimin sot !...
-Fredi,me sa di unë,nuk i ka thënë gjë njeriu për këtë hall që vërtetë është shumë i madh!-ndërhura i prekur sinqerisht nga ç’po më shihnin sytë.-Pse e lejuan këta të Këshillit,xhanëm,ta merrnin ushtar ! Kush do t’i shërbejë këtij plaku?!-ngrita zërin paksa i revoltuar.
-Ashtu është,ke të drejtë-ndërhyri xha Fuati,- Ata as që bëhen merak në jetoj unë,jo më të ndihmonin. Mjerë kush vuan në këtë dynjah!-mori një cigare tjetër dhe pasi e ndezi m’u drejtua përsëri,-Ata të ushtrisë nuk m’a lane edhe këtu në rreth si disave si puna jonë,por e degdisën andej nga Ju…!- nëpër sytë e tij përzjerë lotë e sklepa dallova një peng që ky njeri dhe pse sakat nuk e njihte rrugën e ankesës.- Fredi,vëlla, s’para i ka qejf lutjet. Ashtu e ka tipin…
-Si të fola edhe pak më parë,ai ka disa vjet që duhet me një vajzë nga “Lugasi”,por prindërit e saj nuk duan të bëhet kjo miqësi.-ishte Guri që pasi ktheu pak raki ia la në mes fjalën kushëririt të tij.-Ata…-heshti një grimë ai. Sytë e xha Fuatit tashmë i kish mbuluar një perde e hollë mjegulle. Mezi po merrte frymë. Thithte duhanin që i kish mbritur gjer në cipën e pambuktë dhe vështrimin e kish tretur në rruazat e tespijeve lart mbi nimën nën parvazin e dritares. Vetmia dhe halli që kish po e tkurrte edhe më brenda asaj xhakete të dalë boje.-Ata kanë prerë datën për ta dhënë çupkën larg këtej,në Berat…Atje e ëma ka të vëllanë…-Guri la fjalën në mes tek ndjeu disa hapa e më pas hapjen e deriçkës.
-Erdhe bijë !-i ndritën menjëherë sytë xha Fuatit.-Po pse u lodhe,ka gjellë babai për sot e për nesër.
-Mblodha cazë lakra të egra e thashë të bëja një byreçkë për …-nusja e re nuk arriti të mbaronte deri në fund fjalën. U bë si piperkë e kuqe në fytyrë dhe hyri menjëherë brenda pa na përshëndetur. Ishte ndoshta në muajin e gjashtë të shtatzanisë,por mbahej mjaft mirë.
-Kjo më ka mbajtur gjallë…-psherëtiu lehtë xha Fuati dhe u kthye pak për nga hyrja,- Djanë,sillna pak raki?!
“Djanë…Djanë…Djanë !” më oshëtiu gjatë emri i saj thellë në shpirt. Përsëri u ndjeva i befasuar. “Kjo të jetë ajo vajzë e dikurëshme me nishan të zi nën syrin e djathtë ?!... Po …po,ashtu vërtetë quhej ajo…! Eh,sa vite kanë kaluar që nga ato ditë Shkurti…! Si do ndeshem ballë saj,vallë ?!...Do më njohë dot…! Do Zoti s’është ajo…!” . Një palë mornica më përshkuan gjithë trupin. Nuk desha kursesi që kjo nuse të ish ajo “Djanë”- vajzë që kisha njohur dikur. Ktheva kokën nga Guri për të shmangur emocionet që aq papritur po më pushtonin gjithë trupin.
- Po Fatmir,po…ashtu është. Fredi sonte do ta rrëmbejë e pa u gdhirë mirë do ta sjellë këtu…
-Sssiii…si thatë,xhaxhi ?!- U shfaq pranë nesh e bija e shtëpisë duke më hedhur një vështrim të shpejtë.
-Ç’farë ?!-ngrit sytë i habitur Guri.
-E moj,sonte për tërë natën do shkojë e do na e sjellë nusen.-gjegji xha Fuati.-shtjerna rakitë,tani!
Nusja e re më hodhi një vështrim të gjatë e hetues dhe me dorën që po i dridhej kërkoi të mbushte godat. Nuk mundi dot. Një breshër lotësh iu zbraz faqeve të ndezura prush. Më njohu. Puliti sytë e pa thënë asnjë fjalë të vetme bëri sikur u koll nga tymi i duhanit dhe pa na thënë asnjë fjalë hyri sërish brenda. Diçka theu atje e pas pak u shfaq tek dera. Mezi po qëndronte më këmbë. Një çast sytë tanë u ndeshën. Ishin po ata sy që kisha njohur dikur.
“Hapu Dhe të futem !...Ajo është… Po ai nishan i zi që më rebeloi shpirtin vite me radhë…Ç’mu desh që erdha sot këtu!” fola më vehte tek ndesha portretin e Djanës. Pas shpinës së tyre,mbështetur në kasën e vjetër të derës ajo më kish ngulur sytë e veç lotonte. I dyzuar para tundimit të saj e ndaj këtij uloku që fatmirësisht ish i ati i saj,mezi po kapërceja copat e ngrohta të byrekut.
-Fatmir-më zgjoi nga ato labirinthe të të shkuarës Guri,-Na thuaj si të veprojmë ! Ti ke ardhur nga ana e anës për djalin…
Vështrimet e tyre ,por më shumë të xha Fuatit,mezi prisnin mendimin tim. U kolla lehtë për të kthjelluar zërin. Me vështrimin aty ku dhimbja jetonte më shumë,tek xha Fuati,si u mendova pak u them :
-Djali t’u trashëgohet!- I urova e si ktheva pak raki që më kish mbetur vazhdova,-Nesër të bëjë celebrimin e me të të paraqitet në këshillin e fshatit. Ata t’i japin Fredit një vërtetim ku të thuhet se djali Juaj u martua në këtë datë e ta vulosin. Kaq është e gjitha.-i buzëqesha të zotit të shtëpisë.
- Ku do t’u takojë Fredi ?!-s’e mbajti vendi Djanën.
-Nesër të mbarojë këto punë…-u ktheva nga Ajo,-Shtëpia ka nevojë për të. Pasnesër në orën dhjetë të paradites e pres tek axhencia e urbanëve.
-Na rrofsh,o komandant !-iu mbushën sytë me lotë Gurit.-Mos kij merak për Të…
-Sa mirë !- i ndritën sytë Djanës.-Pasnesër kam edhe unë një konsultë në Maternitet. Atje do të të presim!
-Tani si thoni,o miq !-ju drejtova me një buzëqeshje të lehtë.- Do më jepni leje të shkoj?-Xha Fuati më vështroi hetueshëm. Zemra ia donte të ndodhesha pranë tyre këtë natë,por e kisha të pamundur .-Më presin të mi-të në fshat,-shpejtova të dal nga situata,-Kështu pra,-iu drejtova Djanës tek po ndahesha me të pas deriçkës në rrugë,-mirë u takofshim tek axhencia!
-Mirë u takofshim!-gjegji ajo dhe ndenji në prag derisa kalova çesmën dhe mora rrugën për në vendqëndrimin e furgonëve.
Po largohesha nga ky fshat me një dhimbje më shumë. Po shkoja i zgjuar tashmë nga ai pluhur i harrese që më kish mbështjellëprej kaq vitesh. Po shkoja duke marrë me vehte ngrohtësinë e atyre syve që dikur më kishin rebeluar zemrën. Një ngrohtësi engjëllore të dyfishtë që njerëz si kjo vajzë tashmë në prag lindjeje dine ta çmojnë. Po shkoja duke lënë pas një shpresë më shumë për të ardhmen e kësaj familjeje të lënë pas dore nga shoqëria,për të cilën kisha marrë edhe këtë shërbim.
Prill,2008
No comments:
Post a Comment