Nga Agim Shehu
“I adhurueshëm për energjinë e veçantë në të shkruar, harmonizuar kjo me pjekuri mendimi e mprehtësi fjale. Nuk di ku e ka burimin kjo, në gjenetikë, në përvojë, apo një sedër fisnike për të shkarkuar grumbullimet në kohë të mendimit dhe ndjenjës së shtypur dikur!”
Mik dhe koleg i nderuar Fatmir,
Të uroj mbarësi e shëndet. Je i adhurueshëm për energjinë e veçantë në të shkruar, harmonizuar kjo me pjekuri mendimi e mprehtësi fjale. Nuk di ku e ka burimin kjo, në gjenetikë, në përvojë, apo një sedër fisnike për të shkarkuar grumbullimet në kohë të mendimit dhe ndjenjës së shtypur dikur!
E lexova me vëmëndje vëllimin tënd, si poet dhe si mik të cilat i meriton të dyja. Përshtypja e parë është, se ke të bësh me një penë që dhe në publicistikë është poet. Një poet, ku ndjenja përçohet përmes mendimit dhe figura ka shtrirjen moderne të saj. Tepërimi i kësaj prirjeje sigurisht jep dhe vargje të tepërta jashtë poezisë; ku poetikja dhe e zakonta përzihen si thërmijat e floririt me rërën, e që kjo e dyta duhet mënjanuar. Ka shumë vënde ku lexuesi ndalon për të shijuar figurën, gjetjen e bukur të saj, sa poetike dhe të qartë. Ato tregojnë se ke të bësh me poet të mirëfilltë. Kush ndërton një poezi a një figurë, di të bëjë gjithëçka tjetër, mjafton të punojë me kujdes e përgjegjësi sipër letrës. Duhesh përshëndetur për figura të tilla si (po rendis diçka):
1. "Tani fshij sytë si i dehur,
ëndërRat më janë vrarë...
Gjuhën e zgjoi nga sepetet,
sënduqet e Todhrit/”
2. “...Dhe pse s'dinë të ankohen/,
është jetë si në qelq...”
3. “Këpucët e shqyera
filmuar në trotuar...”
4. “S'më kish qëlluar kurrë
dhimbja therëse për dreq
të shndëronte në fëmijë një burrë
e ta bënte thjeshtë një qelq...”
5. “Kohën e gozhduam mureve
e futëm në dosje...
6. (Koha e Njeriut është mjaft e mirë e tëra, model);
“Elbasan,
aty ku dhimbja,
malli,
dashuria pikëtakohen..
( e kam provuar dhe vetë)!...”
7. Heshtjes ia zbulova gjuhën
pa dashur në heshtje
mësova gërmat e saj
mësova alfabetin e heshtjes...(bukur)!
8. Lumenjtë e ëndërave kam nisur të pushtoj..
9. “Sytë na mbetën nga tavani
flasim me veten
i kthejmë pastaj nga ekranï...”
“Unë që vazhdoj të përballem me vargun
s'di, vallë nga shiu a lotët jam lagur “ (si e Lorkës);...
“Vargu s'do licencë...”
“Mallkimi i nënave në zë
ka mbetur atje ku ke dhe bustin...
Kanë harruar të qeshin, kanë harruar të qajnë...
Skllav i dy syve të kaltër...
Provo të rrish në qetësi
vetja s'të duket njeri..”
E kështu me radhë. I them këto si pika orjentuese (ndoshta gaboj ? Jo. Eshte nje model, nje realitet!).
Në kufijtë e tyre operohen fjalët e tepërta. Largimi në kohë për të lexuar veprën tënde, është i nevojshëm. Më mirë pak e saktë. Parfumi më i mirë ndodhet në shishe të vogla. Në çdo krijim, sidomos në poezi, njeriu i bën pyetjen vetes: C'gjë të re, të pathënë i lashë këtu njeriut, poetit te kohes moderne! E tepërta në art hiqet lehtë e pa dhimbje, si prerja e thonjve. Po nuk je me mendimin tim të çiltër, merr vetëm sinqeritetin e njeriut që të do të mirën e artit të gjatë.
Zvicer, Prill 2008.
No comments:
Post a Comment