Nga Shefqet Meko
Mineapolis. SHBA
Moment historik dhe sukses historik. Kështu u cilësua nga kushdo ftesa që iu bë Shqipërisë për në NATO. Drejtuesi i opozitës Edi Rama e quan “Ëndrra e re që lind nga ëndërr e vjetër”, ndërkohë që Bamir Topi në krah të djathë të presidentit amerikan Bush, premton të përballojë sfidat që sjell ky anëtarësim që ai me të drejtë e quan “akt i rëndësishëm historik”. Më se fundi, vendi ku belbëzuam fjalët e para i bashkohet progresit dhe të ardhmes, i bashkohet civilizimit bashkëkohor, botës së lirë së Perëndimit…Tani le të mërmëritë Pat Bukanan “Shqipëria mylsimane…” tani le të thonë antishqiptarët në Ballkan dhe Moskë se “Shqiptarët nuk dinë të qeverisin…”. Ne jemi përkrah të mëdhenjve, përkrah të fuqishmëve, ne hedhim hapin e progresit dhe jemi bërë faktor në shoqërinë njerëzore. U luftua shumë që ky moment të mos vinte, u bënë të gjitha përpjekjet që vëdin e vogël në Ballkanin problematik ta shihnin si një “bebe të myslimanizmit “ në dyert e Europës, por askush nuk i mori në konsideratë këto hipoteza urretje dhe antishqiptare. Kombi shqiptar fiton respektin e merituar, kombi shqiptar merr atë që meritonte sepse ashtu sikurse 500 e ca vjet më parë u bëmë faktorë për të stopuar turqizimin e mëtjeshëm të Europës, sot shohim veten partnerë të besueshëm në një aleancë të madhe ushtarake që synon të garantojë sigurinë e civilizimit njerëzor në këtë fillim shekulli të sfidave të reja.
Të dëgjosh vlerësim për vendin tënd, ndihesh mirë. Të shohësh dhe të jesh dëshmitar i një momenti historik , sikur gëlohesh përbrenda dhe thua: kombi që i përkas ka të ardhme, kombi që i përkas ka potenciale dhe do të ecë para. Duke shprehur mirënjohje në këtë proces atyre që mundësuan këtë sukses, kryesisht SHBA-së dhe BE-së, kërkon të gjesh tek vetja se cili do të jete elementi jot kontribues në këtë marrëdhënie të re që sapo fillon… Kjo është sfida që Bamir Topi duket se e kupton qartë kur thotë se është “gati të përballojë çdo sfidë…” Presidenti shqiptar mbase më mirë se kryeminsitri aktual, do të dijë të civilizojë dhe emancipojë më tej politikën dhe shoqërinë shqiptare, jo si njeri i pushtetit dhe politikës apo “dorës së fortë”, por si udhëheqës i përkushtuar ndaj së nesërmes të kombit të vet. Le të shpresojmë dhe urojmë këtë.
Por ende pa u tharë lotët e gëzimit, në Tiranë kanë filluar demonstratat dhe portestat. Unë respektoj çdo zë protestë, por le të gëzohemi në fillim. Le të zënë “gurët vend” ndërsa e verteta do të triumfojë, sepse moneti është vërtet moment i artë, por të kemi kujdes mos e kthejmë në “ moment ndryshku...”. Ftesa e ofruar fill pas tragjedisë së Gërdecit, tregon se udhëheqsit që marrin vendime, shohin përtje një momenti aksidental, ata shohin përtej “kodrave” të Tiranës dhe “përtej Malit të Dajtit”. Gjithkush mendoi se Gërdeci “minoi” ëndrrën shqiptare, por kjo nuk ndodhi se udhëheqsit e vërtetë të Perëndimit dinë se jeta ka aksidente dhe tragjedi që nuk duhet të stopojnë porgresin... Në këtë moment më kujtohet një drejtues i nderuar i kohës së diktaturës Syrja Hysi, një njeri i guximshëm që fliste troç kundër “djajve me testë partie”. Zoti Hysi do të më thoshte: “Jeta more djalë, ka aksidente, por njerëzimi ec para, ec me guxim dhe pa frikë...Shiko sa të tmerrshme janë tragjeditë ajrore, mijra jetë zhduken e shkrumbosen, por a e ndal kjo njeriun të fluturojë? JO. Avionët janë përsëri plot, edhe sepse një avion sapo ka rënë diku...”
Ftesa që iu bë vendit tim për në NATO konfirmon këtë që thoshte Syrja Hysi tek zyra e tij si zv.rektor i Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës (tani Universiteti Bujqësor). Syrja Hysi kishte të drejtë, sikurse kishtë të drejtë që nuk futej kurrë tek zyra e sekretarit të partisë që e kishte përballë...Dhe meqë ra fjala, edhe ky ish-komunist ka meritë në këtë akt final politik shqiptar, sepse ai fliste si opozitë kur “Partia ishte në komandë”....
Bluaj në mëndje këtë moment dhe qesh lehtë ndërsa shoh në shtypin e Tiranës se si politikanët në pushtet duan ta “privatizojnë” këtë moment dhe ta quajnë “vepër të tyre”, sukses të tyre, arritje të tyre, ultimatum të tyre...Jo, momenti erdhi dhe ai ishte proces le ta vlerësojmë si proces dhe suskes për të gjithë. Kur ndjek mënyrës se si e percepton këtë moment shtypi i partisë në pushtet më kujtohet një rrëfenjëz popullore kineze: Një banor nga një fshat i largët, zbriti në qytet për herë të parë dhe mbeti i shokuar...Pas një shëtitje të gjatë e mori urija keq dhe u ndal tek një byrketore, ku preferoi të blinte petulla...Mori te parën, nuk u ngop...kërkoi një tjetër...Përsëri nuk u ngop...Vijoi fshatari kinez të blinte një nga një, deri sa tek tek petulla e 8-të, ndërsa hëngri gjysmën u ndie i ngopur dhe tha...”Ah që nuk më qëlloi kjo petull qysh në fillim, se do të isha ngopur dhe nuk do të kisha shpenzuar ka shumë para...” (!!!)
Këtë radhë “petulla” i përkoi demokratëve në pushtet, le t’u japim atë që meritojnë, por mos harojmë ky proces ka filluar herët, tani sfida është si të kompletohet deri në fund që Shqipëria të vijojë progresin dhe politika të vetemancipohet.
Unë besoj se ky moment do t’i zgjojë shqiptarët për të qënë më aktivë në përgjegjësinë e tyre qytetare dhe të kuptojnë se një shoqërie civilizuar ka në themel individin e lirë, jetën e njeriut, respektin, barazinë, shansin për secilin dhe jo pazare dhe kulisa zyrash, jo nëpërkëmbje të individit pa pushtet, por vlerë për secilin që kupton se si funksionon një shoqëri demokratike.
Shqipëria pjesë e NATO-s, shqipëtarët me dy shtete në Ballkan, shqiptarët lob i sukseshëm në SHBA, shqiptarët aktivë dhe me kontribut në shoqërinë e sotme njerëzorë...Shqipëtarët krijues, shkencëtarë me famë...Shqiptarët përtnerë me progersin dhe të ardhmen. A nuk është kjo një RILINDJE E MADHE?
Vijo progresin Shqipëri!
Mineapolis, SHBA
5 Prill 2008
No comments:
Post a Comment