Thursday, 4 September 2008

58 vjet i dashuruar pas... mikrofonit


Nga Agron Sejamini

Edhe një të afërmi, mun-det që të mos i dallohet për një çast ngjyrimi i të folurit, por nuk mund të ketë sportdashës shqiptar që të mos njohë zërin brilant, të Ismet Bellovës. Në çdo koment, zëri i tij kumbues dhe i rrjedhshëm "të lidhte" pas radios... Se ç’ka patur diçka magjike ai zë, që është e vështirë të përcaktohet. Në mes të fushës niste aksioni dhe ndjeje sikur luhej pranë portës... Korne ekzekutohej dhe të dukej sikur gjuhej penallti... Gol bëhej dhe të dukej sikur të lëvizte zemra, nga transmetim i legjendës Bellova. Mezi prisnim të dielave të dëgjonim rubrikën sportive. Jo thjesht për të dëgjuar rezultatet, por sepse jepeshin sekuenca të shkurtra nga shënimet e golave. Transmetimi i Bellovës të bënte që jo vetëm ta rindjeje por edhe ta "shikoje" golin...

Ai nuk e pranon se ka qënë i tillë. I papërsëritshëm është vetëm Anton Mazreku, këmbëngul bindshëm në pohimin e tij. E po të jetë kështu, do ta quanim veten përsëri të pa fat, që nuk kemi shijuar një legjendë tjetër. Gjithsesi, Ismet Bellova është emblema e komentatorit sportiv. Jo thjesht, se janë mbi 5000 ndeshje të transmetuara vetëm gjatë periudhës 1950-1983, por sepse ngjyrimi emocional i komentimit të një ndeshje futbolli, nuk është arritur nga asnjë pasardhës i tij. Të ngjan për një çast, sikur Ismet Bellova të vetmin zanat në jetë ka patur komentimin... Edhe kjo sikur të ishte e vërtetë, ai nuk do kishte më nevojë për lavdi dhe emër. Vështirë do ishte që në këtë piedestal të ketë hipur dikush tjetër, me nderin që ja ka bërë e shtuna dhe e diela... Ndaj është i papërsëritshëm dhe i paarritshëm Ismet Bellova. Në fakt, fundjava ka qënë pasioni dhe dashuria e tij për mikrofonin sepse për profesion ka patur atë të mësuesit. Madje, është nderuar me titullin Mësues i Popullit, vlerësimi më i lartë në fushën e arsimit. Por atij i pëlqen t’i thërrasin "profesor". Jo se i është akorduar nga ndonjë instancë zyrtare ky titull, por e shijon se kështu i thërrasin të gjithë ata që kanë dëgjuar transmetimet e ndeshjeve të futbollit. Dhe ai e di që ata janë dhe vlejnë më shumë se një firmë titullari...

Vazhdon të jetë i përkushtuar dhe një zëdhënës i jashtëzakonshëm i komunitetit sportiv. I dhimbset që ende emrat e gjithë asaj armate që kanë mbajtur të ndezur frymëzimin dhe entusiazmin e sportdashësve të shumtë, kanë "humbur"...

E ka peng që ende, të paktën institucionet apo qëndrat sportive, të mos kenë emrat e sportistëve të shquar. Nuk arrin ta shpjegojë që edhe në kohën e demokracisë, të ketë paragjykime dhe nënvlerësime. Në shpirt i dhëmb, kur ndjen se ajo shtresë e nderuar e shoqërisë quhet me mëndje te këmbët dhe jo te koka...

Në sa dyer ka trokitur dhe është lutur që emrat e yjeve që kanë shkëlqyer në terrenet dhe fushat sportive, të jenë në emërtimet e rrugëve të qyteteve tona. Dhe jo thjesht se i përket sferës së sportit, por sepse janë emra që e meritojnë. Nuk arrin ta kuptojë si të mos shikojë në asnjë cep rruge, të madhin Anton Mazreku, pionierin e gazetarisë së shkruar dhe të folur. Ai që kur ende nuk dihej, nëse kishte Radio Tirana, bëri të oshëtinte kjo qëndër radiofonike më 1 shtator 1936, tek transmetoi ndeshjen e futbollit Tirana-Kavalla. Fusha e Shallvares atë ditë, u bë qëndra e kryeqytetit, jo thjesht nga ajo fitore shtatë me zero, por nga entusiazmi që lëshonte cep më cep transmetimi i Anton Mazrekut. Dëshiron të shohë diku edhe emrin e Avni Zajmit, mësuesit të thjeshtë të edukimit fizik që shërbeu në shkollat e Tiranës. Meriton të nderohet e kujtohet sepse ishte nismëtari i lëvizjes balluskajtiste, i njerëzve që duhet të rendnin drejt shëtitjeve dhe eskursioneve në natyrë. Borxhli ndjehet edhe para emrit të Luigj Shalës, arbitrit të parë të FIFA-s njëkohësisht Mësues i Popullit. Ndaj Belul Hatibit, nënkampionit të Ballkanit në atletikë më 1946, po ashtu Mësues i Popullit. Ndaj Zef Hilës... etj, etj.

Nuk është bërë pishman që këto dufe, para disa vjetësh i ka shpalosur edhe në një emision televiziv të Zerina Kukes, paçka se ajo bisedë, pati një kosto të lartë për personalitetin e vet. Pa nënçmuar dhe përgojuar figurën e Qemal Stafës, shprehu habinë se si ende stadiumi, ai institucion i sportit kombëtar nuk mban emrin e një sportisti. Kështu do nderohej një nga figurat më të shquara të futbollit shqiptar por nuk do fyhej as ajo masë e konsiderueshme sportashësish për lojën e tyre më të dashur. Mbaroi ai emision por të nesërmen, filluan fyerjet dhe sharrjet në adresë të tij. Në natyrën e vet "ZP"-ja, e shpartalloi dhe e diskretitoi me pa të drejtë. E si për të mos qënë e mjaftueshme kaq, këtë shkrim e riboton edhe një gazetë tjetër. Madje, duke shtuar edhe një paragraf , ku thoshte se "Qemal Stafa ka qënë edhe një violinist i talentuar dhe violina e tij ndodhet në stendat e Muzeut Historik (?!). Se kush ja mohoi këtë talent Heroit të Popullit, askush nuk e kuptoi. Nejse. Ngjiti shkallët e redaksisë së "ZP"-së dhe takoi kryeredaktorin. "Kam prurë një shkrim për ta botuar në faqet e gazetës tuaj, për t’i dëshmuar autorit të atij shkrimi të padrejtë dhe denigrues, me emrin Shkëlzen Tomori, se Korabi është pak më i lartë ..." Por ai shkrim nuk u botua asnjëherë, sepse komentatori i shquar kumbonte akoma edhe më fuqishëm, në mbrojtje të asaj armate të shquar sportistësh që politika u u ka harruar emrat...

Edhe rrugës kur kalonte, në jo pak raste dëgjonte fyerje dhe sharje për atë keqkuptim dhe shtrëmbërim të asaj që ai shprehu. Por jo se ka hequr dorë dhe i është shmangur tani, asaj teme.

Përsëri kohët e fundit, ndjeu një ndjenjë nëvlerësim nga ata njerës që për fat të keq kanë diçka në dorë. Ndërsa shihte një botim ku renditeshin personalitetet e shquara të Tiranës në fushën e sportit, nuk e ndjeu veten mirë tek pa që krahas disa emrave të tjerë mungonte edhe emri i tij. Kuptohet që ai nuk pati qejfmbetje personale pasi nuk ka më nevojë për reklamim por e shqetësoi këndvështrimi i hartuesve. Edhe ta lusin, ai nuk mund të mohojë origjinën e tij dibrane, por askush nuk ka të drejtë t’i mohojë kontributin në qytetarinë tiranase. 12 vjet mësues në shkollën "Skënderbej", 12 vjet në politeknikumin "7 Nëntori", 20 vjet në Komitetin Shtetëror të Sporteve, 58 vjet në mikrofon për Radio Tiranën... Saqë i vjen keq që këto vlera nuk pati mundësi t’i gëzonte vendlindja, ngaqë u largua në moshën 3 vjeçare. Dhe përsëri nuk mund të quhet tiranas (!?). Kuptohet, që për një emër tjetër, ndoshta me më pak kontribute, hartuesit e këtyre punëve jo të mira, do justifikoheshin më lehtë. Por edhe gëzon tek sheh që rrethet, janë më të ndjeshme se sa ngurtësia e Tiranës. Kështu stadiumet e Shkodrës, Durrësit, Lushnjës, Elbasanit etj. mbajnë emrat e atyre që kanë shkëlqyer në ato fusha të blerta. Shpreson dhe beson se një ditë, të gjithë ata yje do shkëlqejnë në lartësitë që meritojnë... Por pse duhet të vonojmë për të dhënë atë që ua mohojmë me të padrejtë.

Nëse ka një emër që nuk lodhet së mbajturi në gojë është ai i Anton Mazrekut. Ishte ai që i krijoi mundësinë të shijonte mikrofonin. Vetëm 6-7 minuta transmetoi në ditën e parë. Pastaj gradualisht duke i shtuar minutat por dhe besimin se do ishte një vazhdues i denjë...Mikrofoni e bëri të dëgjuar por edhe të rrezikuar. Pikërisht atëhere kur kishte bërë emër për pak do shuhej gjithçka...

Ka qenë 27 dhjetori i vitit 1962. Luanin "17 Nëntori" me "Traktorin". Ndërkohë që kabinat e transmetimit, riparoheshin në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" u duhej të transmetonin pranë fushës, mbi dy-tri dërrasa të ngritura në një farë lartësie. Binte nje shi i furishëm dhe erra frynte si e tërbuar. Me një dorë mbanin çadrën me tjetrën mikrofonin.Të pranishëm në shkallët e stadiumit gati 10-12 vetë. Gjithsesi, interesimi i sportdashësve ishte i madh por i përqëndruar në radio. Gjatë transmetimit, Anton Mazreku edhe pse ishte i kujdesshëm bëri një krahasim me Skandinavinë, duke thënë se: "Na duket sikur po luhet në Skandinavi dhe futbolli përzihet me vaterpolon". Kuptohet ishte një realitet i shkaktuar nga kushtet e këqija atmosferike. Në pushim të ndeshjes, Ismeti i nxitur më shumë nga dëshira për të bërë diçka interesante se sa për të marë lejë te profesori i tij, i sugjeron që mund të komentohej mbase më "popullorçe". Nuk deshte ta fyente në dëshirën dhe pasionin e tij, i madhi Mazreku, duke i dhënë viston. Mbase doli edhe pak më shpejt, në fillimin e pjesës së dytë, se herët e tjera në komentim Bellova, vetëm e vetëm që të shpaloste aftësitë e tija komentuese...

"Bie shi, stuhi e vërtetë. Është një qamet i madh. A thua se po bien kërcunj nga qielli. Bën shumë ftohtë. Kështu, që, në këto kushte, e kanë të vështirë jo vetëm 22 futbollistët, që po luajnë, gjyqtarë e spekatorët e pakët, por edhe unë e Profesor Mazrreku, që po transmetojmë nga një kabinë primitive e po presim gozhdë, në kuptimin e vërtetë të fjalës".

Për të mos e fyer, i buzëqeshi Antoni. Ca nga të ftohtit e ca nga respekti për njëri tjetrin pas ndeshjes kapen për krahu dhe nisen për në shtëpi... Por një makinë me xhama të errët u preu rrugën sapo ato lanë stadiumin "Qemal Stafa"... Doli prej saj Ministri Brendshëm, Kadri Hazbiu. Pa i përshëndetur, tërë inat dhe kërcënim, i drejtohet Ismetit:

- Çështë ajo proçkë që na bëre?

- Nuk e di, çfarë kam bërë- përgjigjet me gjysëm zëri, ai që para pak minutash kishte gjëmuar në mikrofon.

- Nuk e di? Ja po ta tregoj unë...

Dhe ndërsa kishte ngritur xhaketën i tregoi prangat e arrestimit... Sikur të "sqaronte" pse prangat i kishte Ministri dhe jo një polic shton se: "Këtu, më ka dërguar i Madhi..."

Një tmerr i vërtetë që vazhdoi më pas me mbledhje takime e diskutime. Katër muaj, as që bëhej fjalë për tu afruar te mikrofoni, por po bëhej ç’mos që komentatori të mos përfundonte në Spaç.

Më në fund, thirret në një zyrë të Ministrisë dhe i jepet vërejtje e rëndë me paralajmërimin se "në rast përsëritjeje, do të ndiqesh penalisht", së bashku me dënimin që dy vjet të mos transmetonte.

Por, edhe pse nuk kishte arritur kulmin Ismet Bellova kishte bërë emër te sportdashësit, sportistët dhe miqtë e tij. Të gjithë nuk e shikonin dot pa i dëgjuar zërin brilant në transmetimet e ndeshjeve të futbollit. Por edhe "gabimi i madh" ideopolitik nuk mund të harrohej aq shpejt. Ishte një emër tjetër, legjendë e futbollit shqiptar, Panajot Panua që para se të fillonte një takim ndërkombëtar, i shtiri në vesh, një udhëheqësi të lartë të partisë ligjëratën: "Ne do të luajmë akoma më mirë, sikur të transmetojë Ismeti ’’. Dhe fjala e Panos në atë kohë, nuk ishte dosido...

kërkuam një koment të madhit Bellova, edhe për shokët e tij të "skuadrës". Këtë radhë, jo me zë por me të shkruar...

Ymer Striniqi

Padyshim, veterani i Shkodërloces, po dhe i gjithë mikrofonit sportiv shqiptar me mbi katër dekada veprimtarie e kontributi. Djepi i sportit tonë ka të drejtë të mburret me Striniqin, se ai ashtu si Mazreku që dikur pati nxjerrë Shijakun "Kampion bote" në futboll, ka patur për borxh të nxjerrë Shkodrën "Kampion të Evropës". Në statistikat, ndoshta ... kampion ballkanik!

Sefedin Allkja

Deklamacionet e tij kanë tronditur jo vetëm Krastën, por edhe Shkumbinin e mbarë Shqipërinë. Radiokronist pasionant e i përkushtuar si dhe ...recitues i zjarrtë.

Aleko Gjergo

Elokuent i rrjedhshëm, përfaqësues besnik i gjuhës së pastër e të kulturuar, me mendime kurdoherë të qarta e të sakta në mikrofon. Pasioni për politikën ia mundi atë për sportin!

Skifter Këlliçi

Shkrimtar e gazetar, po edhe kronist sportiv në Radiotelevizion. Madje ndër të parët e më të vjetrit. Gjuha e pastër e korrekte shqipe si dhe kultura e përgjithshme e sportive, kanë qenë dy armë të forta të Këlliçit në mikrofonin sportiv. Arratisjet e ndonjë sulmuesi majtas e djathtas në fushën e blertë, "duelet e artilerisë" midis mbrojtësve e të tjera figura të tilla, mbeten të paharruara në kujtesën e dëgjuesve të radios dhe teleshikuesve.

Ymer Kurti

Radiokronisti ynë i njohur për afro 20 vjet. I rrjedhshëm e i saktë në mikrofon, i matur e i kujdesshëm, pa ekzaltime e teprime, por edhe jo shumë emocional dhe dinamik. Në pasionet e tij politika e ka mundur sportin.

Fatmir Mneri

Gazetar e kronist tejet i kulturuar, me një fjalë dhe pendë që ngjit deri në preokupim e shqetësim. Kurdoherë i matur, i pjekur dhe i saktë në mendimet e tij. Gazeta ka fituar mbi mikrofonin.

Veli Rada

Kronisti energjik që ka sjellë në mikrofonin sportiv fjalën artistike nga skena e teatrit. I gjallë e dinamik, plot mendime të larmishe e interesante, falë edhe kulturës sportive e aktivizimit në futboll.

Frederik Fico

Ndër kronistët më të kulturuar të mikrofonit sportiv, me një pasion e dëshirë të zjarrtë si dhe me një kontribut të çmuar. Korrekt e objektiv deri në maksimum. Ndarja e parakohshme nga jeta ia ndërpreu të gjithë ëndrrat e tij.

FatMir Efica

Djaloshi i shkathët e pasionant i Kavajës futbollistike e ka justifikuar plotësisht origjinën sportive të qytetiti plot me tradita që e ka merituar të këtë, një kronist të tillë, zjarr e zhivë në mikrofonin sportiv. Në statistikë rivali më i denjë i Striniqit.

Moisi Dalipi

Edhe ky një djalë krejt i veçantë, nga ata të zjarrtët e pasionantët e rrallë, që e ka për borxh të mumërojë edhe emigrantët që vijnë nga Italia në Vlorë e t’ia atribuojë motivin e ardhjes: dashurisë e tifozëllëkut për "Flamurtarin".

Bujar Qesja

Tjetër veteran i mikrofonit sportiv nga një qytet bregdetar, Durrësi po me një temperament krejt të ndryshëm nga Dalipi i qetë, i matur e më i ngadalshëm. Sidoqoftë problemor në mendimet e tij.

Agron Kaja

Midis të mirënjohurve të mikrofonit sportiv, i nisur nga Berati për t’u stacionuar në kryeqytet. Njohës i mirë i sportit, e si i tillë edhe me peshë në fjalën e tij. Paralel me mikrofonin ka ecur edhe në gazetarinë e shkruar sportive.

Pa harruar, Rrok Preçi nga Laçi që aktualisht ndodhet në Amerikë, i urti e i mënçuri Pirro Qiqi nga Gjirokastra, Vladimir Ngjela nga Korça, Zef Shtjefni nga Lezha, Sefer Kikia nga Elbasani si dhe të rinjtë Aldo Kozarja e Elvis Sina nga Elbasani, Nertil Agalliu nga Peqini, Edmond Dibra nga Shkodra, Isuf Myrtaj nga Laçi, Nderim Goci nga Kruja, etj etj.

No comments: