Kur lajm-prezantuesit televizivë shkëlqejnë nur… dhe thyejnë arra
Fatmir Terziu
Mjaft gazeta britanike duket se zbuluan ‘sëmundjen’ e televizioneve. Një sëmundje që edhe pse duket globale, në planin e parë është edhe shqiptare. Gazetat sollën në mendje të lexuesve deklaratën e njërit prej lajm-prezantuesve me emër në televizionin ITV, Mark Austin. Lajm-prezantuesi britanik, që kohë më parë ishte votuar si mashkulli më seksist i gjithë kohërave në ekranin e televizionit, ka deklaruar se ‘bukuria e prezantuesve është parë si elementi bazë në postet e lajm-prezantuesve televizivë, gjë që ka eleminuar të qenit gazetar’. Pra, sipas Austin, lajmprezantuesi duhet të jetë gazetar dhe jo ‘fotozheni’, qoftë ky mashkull apo femër. Kështu kritika e tij natyrshëm ka prekur seriozitetin e TV-ve. Por më së shumti ka zgjuar problematikën shqiptare. Atë problematikë që e kemi parë ndjeshëm me prezencën e elementëve femërore, pa lidhje me gazetarinë.
Prezantuesi britanik i “News at Ten”, iu bashkua problemit në fjalë, madje ta themi hapur, iu ngjit debatit se “a duhet që lajmprezantuesit të kenë prapavijë gazetareske apo të jenë më shumë një qenie ‘syngulur e kompjuterit”. Prezantuesi, Austin që është edhe i mirënjohuri i emisionit “The Real Crime” thotë se “vajzat shumë të bukura dhe djem të pashëm pa ndonjë lidhje me gazetarinë, po pushtojnë televizionet”. Fituesi i mjaft çmimeve televizive e hodhi sulmin e tij në një intervistë në “Radio Times”. Ai në intervistë theksoi: “dëgjuesi dhe shikuesi duan të besojnë se ju që lexoni, dini dhe njihni sadopak nga lajmi për të cilin flisni. Ju nuk duhet të keni qenë një gazetar i frontit të luftës, por një qenie e tillë i jep prioritet”.
Parë në lidhje me Shqipërinë
Si një ish-drejtues i një televizioni privat shqiptar, unë ndaj të njëjtin mendim me gazetarin Austin. Madje i bashkohem edhe mendimit të gazetares Julie Etchingham, që thekson se ‘minifundet duhet të jenë kusht për të mos punuar në TV, se sa të jetë një prioritet”. Duke iu bashkuar mendimeve të tilla, natyrshëm shoh dhe lexoj edhe faktin shqiptar, të cilin e njoha nga afër. Në një rast, dhe më kujtohet mjaft mirë, kur pronari i televizionit, të cilin e drejtoja unë, më erdhi dhe më tha: “lajmet do ti prezantojë kjo vajza. E shikon? Ajo është ‘kinge’ dhe e zbukuron ekranin.” Dhe ashtu u bë. Në çdo fjalë pastaj ajo do të bënte nga shtatë gabime, madje edhe njëqind pyetje. Ajo studionte për Cikël të Ulët dhe si studente e viteve 90-të në Shqipëri, natyrshëm edhe fjalët shqip thuajse me zor i kuptonte…
Tani pas kaq vitesh, ndërsa vizitoj Shqipërinë shoh thuajse të njëjtën sëmundje në televizione. ‘Bukuroshe dhe bukuroshë’ nga inxhinerira, madje edhe nga gjeologjia, ndjehen se janë shpëtimtarët e gazetarisë, ndjehen gazetarë, falë frëngjishtes apo gjuhës së tjetrit që gjejnë të gatshme për të prezantuar si krijimtarinë e tyre. Doemos, lajmprezantuesit pastaj janë edhe më figurantët, më publikët, më firmëtarët e blloqeve rinore. Kështu ka ndodhur hershëm me TV publik, kështu ndodh edhe me televizionet e tjera.
Në një bisedë kafenesh, kohë më parë dëgjoja: “atë TV e shoh vetëm prej asaj’. Ai e kishte fjalën për një fytyrë-bukuroshe, që s’kishte të sharë nga kjo anë, por që thyente arra kur shqiptonte fjalët…
No comments:
Post a Comment