Sunday, 7 September 2008

Ekspozita "Besa – Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë" në Uashington



Astrit Lulushi
Zëri i Amerikës

Në qendrën hebraike në Uashington u hap këto ditë një ekspozitë fotografike e shoqëruar me një film dokumentar kushtuar ndihmës që shqiptarët u dhanë hebrenjëve gjatë luftës së dytë botërore, duke i fshehur e strehuar, për t’i shpëtuar nga shfarosja naziste. Kolegu ynë Astrit Lulushi e vizitoi këtë ekspozitë ku bisedoi me organizatorët e saj si dhe me disa të pranishëm.
Gjatë Luftës së dytë Botërore, ndërsa shumë vende të botës kishin mbyllur kufijtë për refugjatët hebrenj, shumë shqiptarë vunë veten dhe familjet e tyre në rrezik duke strehuar qindra hebrenj të ardhur nga rajonet e pushtuara nga nazizmi. Fundi i Luftës së Dytë e gjeti Shqipërinë me një numër më të madh hebrenjsh sesa kishte para luftës.
Për shembull, në vitin 1940 Johana Nojman, dhe prindërit e saj u strehuan në Shqipëri, pasi kishin ikur nga Gjermania, për t’i shpëtuar përndjekjes naziste.
Ajo tregon se për 6 vjet e gjysëm, familja e saj përfitoi nga bujaria e familjes Pilika në Durrës, falë zakonit të lashtë të Besës që i kërkon shqiptarit të kujdeset për jetën e njerëzve në nevojë.
Arjan Myrto, me banim në Nju Jork, thotë se ndjehet krenar për ndihmën që i ati i tij, Shyqyri Myrto, u dha hebrenjëve gjatë periudhës së Luftës së dytë Botërore. Emri i familjes Myrto tani ndodhet i gdhendur në qendrën përkujtimore të holokaustit në Jad Vashem në Jeruzalem, ndërsa fotografia e Shqyqyri Myrtos rendidet në librin përkujtimor menjëherë pas fotografisë së Shindlerit, i njohur për listën e tij.
Me këtë ekzpozitë, fotografi amerikan Norman Gershman synon të tërheqë vëmendjen e publikut për t’a njohur atë me humanizmin që një popull i vogël në numër e i lashtë si ai shqiptar, tregoi për një popull tjetër të vogël e të lashtë si ai hebraik në ditët e tij më të vështira. Për hebrenjtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, thotë fotografi Gershman, Shqipëria u bë Shtëpia e Zotit, sepse asnjë prej hebrenjëve që u strehuan atje nuk ra në duart e nazistëve, ku me siguri që i priste vdekja.
Norman Gershman mendon se sikur mes shqiptarëve të mos kishte ekzistuar institucioni i Besës, hebrenjtë në Shqipëri do të kishin pësuar të njëjtin fat vdekjeprurës si në vendet e tjera të Ballkanit. Për shqiptarët, Besa është ligj, i cili megjithëse i pashkruar, përbën për ta standartin më të lartë të vlerave morale. Këtë nuk ka shqiptar që nuk e di, thotë autori Gershman, ndërsa bota duhet t'a mësojë.
Norman Gershman tregon se para pesë vjetësh, kur filloi këtë projekt, ai kishte dëgjuar nga të mbijetuarit e holokaustit shumë tregime rreth Besës shqiptare dhe zemra i ishte mbushur me admirim për këtë popull. Për sa i përket shpëtimit të hebrenjëve nga holokausti, thotë Gershman, shqiptarët mund të krahasohen me danezët, sepse Danimarka dhe Shqipëria, janë të vetmet vende, qeveritë e te cilave gjatë periudhës së Luftës së dytë Botërore, nuk pranuan t’u dorëzonin nazistëve asnjë hebre, madje i pajisën ata edhe me dokumente fallso.
Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Aleksandër Sallabanda thotë se kjo ekspozitë fotografike ka edhe vlera historike e politike, sepse hedh dritë mbi një ngjarje rreth së cilës regjimi i kaluar heshti, si dhe i njeh të huajt me një nga virtytet më të lashta shqiptare, siç është Besa.
Ekspozita e fotografit Norman Gershman titullohet “Besa - Muslims who saved Jews” (Besa – Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë). Të njëjtin titull mban edhe libri i tij, që pritet të dalë në libraritë amerikane në muajin tetor. Por ka shqiptarë që mendojnë se ky titull nuk i përfaqëson drejtë, pasi i njëjtëson ata me fenë dhe jo me kombin.
Veprimari i njohur shqiptaro-amerikan Ilir Zherka thotë se fotografi Gershman e trajton çështjen nga këndvështrimi hebraik dhe në këtë botë konfliktesh fetare, ai ka dashur të theksojë se miqësia midis hebrenjëve dhe myslimanëve është e mundshme.
Ndërsa Avni Mustafa, drejtor i Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e sheh ekspozitën si një mundësi të mirë për afrimin e lobit shqiptar me atë hebraik, i njohur si një nga lobet më të fuqishme në Shtetet e Bashkuara. Zoti Mustafa mendon se nga ky afrim çështja shqiptare do të përfitonte shumë, dhe ndoshta do të ndikonte që Izraeli t’i shtohet së shpejti numrit të vendeve që e kanë njohur deri tani shtetin e ri të Kosovës. //bsa//

No comments: