Thursday, 11 September 2008

Anton Çefa, flatrime poetike në kohë



Fatmir Terziu

Anton Çefa – u lind në Shkodër në v. 1934, në një familje antikomuniste me tradita atdhetare e kulturore. Í ati, Shtjefen Çefa, ka qenë një ndër themeluesit e Shoqërisë “Bogdani” (1919-1944), një shoqëri e shquar kulturore laike demokratike.
Kreu shkollën fillore e të mesme dhe Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër, dy vitet e fundit të arsimit të lartë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhës, Letërsisë e Historisë së Shqipërisë – Dega e Korrespondencës.. Ka shërbyer si mësues në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme.
Mbas rënies së diktaturës, ka qenë një ndër themeluesit e gazetës demokratike “Shkodra”, e para gazetë lokale demokratike në Shqipëri, dhe anëtar i këshillit botues të saj. Gjithashtu ka qenë anëtar i këshillit botues të revistave “Rrezja e jonë” dhe “Kumbona e së Dielles”, që filluan të botohen në Shkodër në atë kohë. Për një periudhë të shkurtër, ka punuar si drejtor i Radio Shkodrës.
Në vitin 1993, ka emigruar familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitet 1994-2007 ka qenë editor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare Vatra.
Ka botuar përmbledhjet poetike: “Dritarja e një britme” (1999), “Heshtja ka tingull guri” (2002), “Fjalë në vargoj të muzgët” (2003), “Flatrime me krahë të premë (2008), antologji poetike me poezi nga përmbledhjet e mësipërme dhe me disa poezi të pabotuara. Po në këtë vit, u botua në Bukuresht një antologji poetike me poezi të miat, e përkthyer në rumanisht dhe e pajisur me shënime kritike nga Kopi Kyçyku dhe me një parathënie të Ardian-Christian Kyçykut, me titullin “Fereastra unui strigat” (“Dritarja e një britme”).
Ka gati për botim librat: “Psikologjia etnike e popullit tonë – tradita”; “Edukatë popullore shqiptare”, “Kritikë letrare: syzime-analiza-intervista”, “Ftillime publicistike”, “Portrete”, “Me Nolin e Konicën tek ‘Vatra” – ese, dhe një përmbledhje poezish të përkthyera nga italishtja dhe anglishtja.



Tubëz lirike



Etja për nji delir të blertë

Kur në qiell të andrrës sime prek
Me duer të brishta,
Zgjohen vegime të ylberta mallesh.

Engjuj me brerore drite zbresin
Mbi meloditë e dhimbjes
Që s’ ka të sosun.

E duer akordesh të çuditshme
Ndalojnë flutrim’n e kohës.

Etja më merr për nji delir të blertë.


Trokitje drite

Kjo asht dhoma
Ku u fute nji ditë në jetën time
Me do trokitje drite.

M’qe ngri mendimi n’ballë
E fjala n’buzë.

Emni yt
Dritë që troket
Deri në të sosun të stinëve.


I tejdukshëm

I tejdukshëm shikimi yt
Kah rrëzon nji kand ndriçimi
Të dhimbjes sonë
Përskaj nji kohe që kaluem dikur.

I tejdukshëm dëshiri im
E duert tua të zbehta
Që dridhen si flakëz qiri.

E tejdukshme kjo dhomë e zbrazët
E fjala
E fryma
E shpirtnat tonë të tejdukshëm.



Je nji trëndafil


Je nji trëndafil
Që ke mbi në zagnat e gjakut tim,
Si nji varg i Sadiut.

Me gojën e të etshmit pij ujë
Në blerimin e gjethnajës tande
E kurr s’e shuej etjen.

Zogjt e fjalës sime
Të dejun aromash
Melodinë e dhimbjes
Çurlikojnë ndër gemat tuej
Pa iu lodhun gushat njiherë.

Përjetësisht e përndezun
Rrezëllima e ninëzave të jermit tim
Pahitet mbi petlat ngjyralle
Të gonxheve tua n’shpërthim.

Të preku me dorën e mallit
E më duket se deri në palcën e brengës
Më therin gjembat tuej.



Prehje

Po prehem në kolltukun e zvërdhamë
Të mungesës sate.

Hije e dridhshme lamtumire
E varun diku në gjysmë erresirën e dhomës,
Ikja jote.

Aroma e trupit tand erë mersine,
Riti i lashtë i puthjeve që s’e tret koha,
Moria e fjalëve pa mbarim
E gjurmët e kambëve lakuriqe
Mbi qylymin e blertë të kujtesës
Prehen me mue
Në kolltukun e zvërdhamë të mungesës sate.

Ma e dhimbshme ikja jote
Në pohimin e vështirë:
Çdo gja në këtë jetë asht ikje.



E pakapshme
(një kokete)

E pakapshme,
Delir që flirton me veten
E vetes i mungon.

Të kënaqë prania e shikimeve lakmuese
Që vuejnë bardhësinë verbuese
E lakimet e epuna të shtatit tand të hajthëm.

Nji gjysmë buzëqeshje çelun n’ironi
Të ngjitet deri në ballë, ndër sy,
Të zbret kudo, në gji, ma poshtë,
Deri ndër gishta të kambëve.

E pakapshme,
Delir që flirton me veten
E vetes i mungon.

No comments: