Fatmir Terziu
"...Dhe ata rufjanët qeshin. Qeshin me të madhe. Askush nuk ka kohë të merret me ta. Ata janë të lirë. Ligji merret me sakatin që shau. Ligji nuk merret me rufjanët. Ata janë me fat. Me fat të madh bile, se jashtë i njohin ndryshe. I njohin si ‘Dirty bastards”. Kështu kush ka kohë të mësojë emrin e tyre. Ata vetëm ndërtojnë me paratë e fituara me gjak, djersë dhe luftë. Ndërtojnë pallate shumëkatëshe, vila, hotele e motele. Zotërojnë karburante dhe tregtira. E fundja pak u bën atyre se bota i quan jashtë “Dirty bastards”. Aty në atë kat, në atë shesh, nën atë pemë ata quhen ndryshe dhe ruhen ndryshe. Tashmë të gjithë luten të jenë të tillë, atje në atë kat..."
Në katin e pestë të godinës jetojnë disa rufjanë. Rufjanë, por jo politikë, ama. Rufjanë të thjeshtë. Të thjeshtë sa nuk ka. Ata bien në gjumë vonë. Ata ngrihen nga gjumi vonë. Kurrë nuk mund të shohësh ndryshimin me klasën tjetër, madje edhe pse ata janë dhe mbeten rufjanë.
Në katin e njëjtë ka një sahat. Ai jeton dhe punon ditë e natë njësoj me myshteritë e tij, por s’quhet rufjan si ata. Diçka tjetër e lidh atë me rrufjanizmin e tyre. Sahati ka kapak druri. Nën dru ka një levë që godet dhe krijon një zhurmë. Një zhurmë që u vjen në mide rufjanëve, thuajse në çdo goditje të levës që prodhon zhurmën rufjane. Ata hidhen e dridhen kur kjo levë godet fort.
Mbi atë kat, natyrshëm ka një taracë. Se mos të kishte tarracë, do të kishte suletë apo çati. Mbi atë kat ka një tavan dhe në atë tavan varen për inat të çatisë mijëra sende, allate, llamba elektrike, abazhurë, zinxhira, perde e tentene. Tentene jo femërore. Thjesht tentene perdesh.
Në katin me të njëjtën shifër vjen edhe një femër. Bashkë me të edhe një kone. Në dorë femra mban shumë xhingla. Dhe qenushi ka të njëjtat asortimente në qafën e tij. Sa arrijnë në katin e pestë, femra dhe qenushi leshator puthen fortë buzë më buzë.
Aty nga ai kat shihet në pëllëmbë të dorës një godinë. Në godinë ka, vijnë, hyjnë, dalin dhe lëvizin kuaj. Nuk është stallë kuajsh. As godinë stërvitjesh me kuaj. As godinë ku mësohet hipizmi. Kuajt janë gjendur aty. Dikush prej rufjanëve thotë, se më mirë kuaj të shihen nga këtu se sa të shihen njërëz zyrash. “Nga zyrat kemi frikë ne rufjanët”,- shton ai. “Fundja njërëz zyrash nuk na duhen ne rufjanëve, - shprehen ata.
Pastaj nga aty dallohet dhe shihet qartë ecja e kuajve. Një ecje tipike kalore. Kuaj të bëshëm. Kurriz shëndoshë. Samar hollë. Mbi të dy këto palë të tyre, mbi kurriz dhe mbi samar, ndodh që hypin njerëz. Dhe njerëzit ndihen kapriçioz mbi kuaj. Mbi kuaj kurë nuk hypin rufjanët. Madje as prapa kuajve ata nuk duan të qëndrojnë. Ata i kanë inat kapriçot.
Nga ana e pasme ndodhet një shesh. Sheshi ka një mbishkrim. Në mbishkrim shkruhet: “Sheshi i Rufjanëve”. Në fakt as unë nuk e di pse quhet sheshi i rufjanëve. Vallë edhe tani habitem me këtë emërtim. Asnjë rufjan nuk gjendet dhe nuk e viziton atë shesh. Në atë shesh ka buste, stola, merkato dhe banjo publike. Banjo publike për meshkuj dhe femra. “Domosdo që kështu do të ishte.”- shtojnë në të tyren rufjanët.
Dhe në tërë këtë natyrë ndodhen emrat e sajuara. Toponimet, më saktë. Në sajesën e tyre s’ka asnjë lidhje me rufjanët. Ata nuk mërziten me këtë. Nuk mërziten, as edhe me mospëlqimin e emrit të tyre. “Është demokraci”,- thonë ata “dhe në demokraci sekush ka emrin sipas pëlqesës”. Ja përshembull në atë shesh rufjanësh ka edhe parrulla. Po, po parrulla. Disa madje janë të përjetshme. Nga ai kat ku jetojnë rufjanët ata lexohen shumë qartë. Midis parrullave ka nga ato që janë dëgjuar si “Me ne fitojnë të gjithë”; “Bashkëfajtorë e bashkëvuajtës”, “Aman bollëku”, “Amdi bota”, apo edhe të padëgjuara më parë si “Me ne është Bota”, “Bota na ndihmon”, “Bota do të fitojë” e mjaft të tjera.
Por nga ai kat kur ka diell shihet qartë edhe një pemë. Nën pemë ka një stol. Në atë stol vjen e ulet një burrë. Ai burrë ulet, por rreth tij qëndrojnë disa burra të tjerë. Më të bëshëm fizikisht se ai. Dhe çudi, ai trupthatë komandon gjithë ata trupmëdhenj. Nejse ndoshta është lojë. Se në atë shesh dhe nën atë pemë bëhen gjithëfarëlloj lojërash. Një ditë ca fëmijë vazhdonin në të tyren. Një ditë tjetër shihen çifte që vijnë e ikin. Ditë të tjera vijnë ngrejnë këmbën dhe bëjnë ritualin edhe qenushë si ai i asaj femrës që vjen në atë kat. Lojëra të ndryshme. Por ai stol është me fat. Ajo pemë gjithashtu. Nuk e ndjejnë vetminë kurrë. Edhe kur trupthati ikën, aty ka shumë të tjerë që synojnë të ulen. Dhe ndodh shumëherë që sheh grushta, shqelma dhe gjakosje. Rufjanët fshihen atëherë. Prandaj fundja janë rufjanë dhe janë gatuar të tillë. Nejse mesele rufjanësh.
Kur qëllon të shohësh nga ai kat ndonjë njeri sakat, me karocë apo me paterica, natyrshëm është ndryshe. E sheh sheshin gri. E sheh ndryshe nga pamja e tij. Madje dëgjon edhe të thuhet me zë të lartë: “Gangsterët! Gangsterët e kanë fajin”. Dhe ata rufjanët qeshin. Qeshin me të madhe. Askush nuk ka kohë të merret me ta. Ata janë të lirë. Ligji merret me sakatin që shau. Ligji nuk merret me rufjanët. Ata janë me fat. Me fat të madh bile, se jashtë i njohin ndryshe. I njohin si ‘Dirty bastards”. Kështu kush ka kohë të mësojë emrin e tyre. Ata vetëm ndërtojnë me paratë e fituara me gjak, djersë dhe luftë. Ndërtojnë pallate shumëkatëshe, vila, hotele e motele. Zotërojnë karburante dhe tregtira. E fundja pak u bën atyre se bota i quan jashtë “Dirty bastards”. Aty në atë kat, në atë shesh, nën atë pemë ata quhen ndryshe dhe ruhen ndryshe. Tashmë të gjithë luten të jenë të tillë, atje në atë kat.
No comments:
Post a Comment