Linda Velaj mban rekordin e 94 golave në katër sezone dhe është shpallur dy here “futbollistja e vitit”, Furtuna, në gusht 2008 fitoi çmimin”Lojtarja e vitit”, Aulona sapo ka fituar një titull me skuadrën e saj …
Nga Dalip Greca
Janë tri vajza, tri motra, që luajnë futboll (soccer) në Amerikë dhe të tria shquhen për shpirt sulmues gjatë lojës, për gjuajtje të forta e triblime fantastike; dallojnë për karakter të fortë në dyluftim me topin dhe shquhen për shënjestër të graduar mirë
në goditjen e portës kundërshtare. Portieret i kanë halë në sy, ndërkohë që fansat, i thërrasin në kor emrat e tyre. Ato janë Linda, Furtuna dhe Aulona Velaj. Jetojnë në qytetin Bixhport të shtetit Kënektikat. Janë shumë miqësore jashtë fushave të futbollit, por në ndeshje shndërrohen në tigra, megjithëse i ati i tyre, Mëhilli, tifozi më i zjarrtë në studium, parapëlqen t’i krahasojë me luanesha. Në jetën e përditshme, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, shquhen për butësinë femrore të sjelljes, për ngrohtësinë e mikpritjes në shtëpi, në fushë tjetërsohen.
Furtuna, që sapo ka përfunduar shkollën e mesme dhe ka fituar një bursë të ”majme” në universitet, në fund të sezonit futbollistik 2008 u shpall “Futbollistja më e mirë e vitit”. Linda është shpallur dy herë futbollistja më e mirë e vitit në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2006 dhe 2007. Ndërkohë që ajo ka fituar disa herë çmimin ”Rookie of Year”, çmim që e ka fituar edhe e motra tjetër Furtuna gjatë këtij viti.Linda mban rekordin për shënimin e golave. Ka shënuar në katër sezone 94 gola. Është e pandalshme në sulm.
Rrëfimi i Lindës, golëshënueses që mban rekordin
Linda ndjehet me fat që ka ardhur në Amerikë dhe është përpjekur që ta shfrytëzojë në maksimum qenien në tokën e ëndërrave.Në intervistat që ka dhënë është shprehur se familja Velaj emigroi nga Peja e Kosovës në Amerikë, jo për të provuar një jetë më të mirë, por së pari për mbijetesë sepse atje, në vendlindje, gjithëcka ishte e pasigurtë. Vetë jeta ishte në pikëpyetje nga që dhuna serbe merrte jetë shqiptarësh të pafajshëm. Babai i saj, një mësues i përkushtuar në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, ishte në shënjestër të paramilitarëve, që përbënin pararojën e makinës vdekjeprurëse të dhunës serbe. Në këto kushte ati i tyre i siguroi ndër miq dhe mori udhën e mërgimit, ku kishte prindërit dhe një motër, Lushen, që merrej me biznesin e restoranteve. Lindës nuk mund t’i largohet prej syshë tabloja që u shfaq para saj e motrave e vëllezërve; kur në prill të 1998 përcollën
me lot ndër sy babanë.Ishte një ndarje që nuk i dihej fundi. Linda është vajzë që i dhimbet shumë Kosova, por e ndjen veten krenare që i përket tashmë një shteti të pavarur, që ka mbështetjen dhe përkujdesjen e Amerikës, supershtetit kampion të demokracisë.
Koheikja e babait të tyre ishte në shpërthim të luftës frontale dhe boshatisjes së Kosovës nga makina serbe e luftës. Linda ishte më e madhja dhe e kuptonte fort mirë se c’rrezik i kanosej familjes, ndërsa motrat ishin fare të vogla, Furtuna 8 vjece e Aulona pesë.Në vështrimin e vajzës 20 vjecare nuk është vështirë të dallosh pamjet e atëhershme të Kosovës, ku vdekja rivalizonte me jetën.
Po si shkoi Linda dhe motrat e saj tek futbolli?
Vajza që asokohe nuk kishte më shumë se 16 vite, e kujton mirë fillimin. Jetonin me qera në Stamford. Pranë ndërtesës kishin një fushë futbolli, ku ushtroheshin pasditeve.
Bibla e Mëhillit:”Në shkollë anglisht, por në shtëpi vetëm shqip”!
Ndërkohë që i ati i përcolli për të parën here për në shkollë ndjehej shumë i mërzitur. Vajzat e tij nuk e njihnin gjuhën angleze, e cila për fillimin ishte një pengesë që mund t’ua vështirësonte shumë përparimin në procesin arsimor. Berat Bregaj, një banor i po atij pallati ku jetonte familja Velaj, duke i ofruar shoqërim Mëhillit, i dha zemër:”Sa për anglishten mos u mërzit hic se ka për të marrë malli që t’i dëgjosh të flasin shqip”…Mëhilli kishte tundur kokën i zhytur në dhimbjen e Kosovës që aso kohe digjej nën dhunë dhe merakun e prindit, por kur ishin kthyer vajzat në shtëpi, u kishte paraqitur rregullin e tij:”Në shkollë anglisht, por në shtëpi vetëm shqip”! Dhe ato e kanë respektuar me fanatizëm këtë rregull të atit të tyre.
Linda thotë se “ne nuk e harrojmë atdheun, nuk e harrojmë gjuhën shqipe sepse këto dy porosi përbëjnë Biblën e atit tonë dhe të gjithë familjes.”
Linda kujton edhe një porosi të tretë të atit:” Mundësisht do të martoheni me djal shqiptar, që të ruani identitetin kombëtar”.
Të shohim se si do të shkojë kjo porosi, thotë ajo, duke hedhur vështrimin tek dy motrat më të vogla, që thjesht i dhurojnë nga një buzëqeshje, si për të miratuar kërkesën e babës Mëhill.
Linda kujton fillimin e përfshirjes në ekipin e futbollit. Një djalë nga Lezha, Artur Ivanaj, banor në të njëjtën ndërtesë me familjen e saj, icili ishte marrë me ciklizmin, por dashuronte edhe futbollin, ua nxiti ëndrrën për t’u bërë futbolliste. Ai i shoqëroi vajzat tek fusha e futbollit në hapat e parë të stërvitjes.Pikë risht në një ndër ditët kur Arturi po i trajnonte në fushë motrat Velaj, afrohet një amerikano-Latin, që i pyet nëse dëshironin të luanin futboll? Ky ishte refer futbolli dhe quhej Marko. Ai njihte shumë nga mjeshtrit e futbollit në Kënektikat dhe siguroi lidhjet e vajzave.U vendosën kontaktet me drejtues të ekipeve të futbollit. Vajzat kishin të dhëna shumë të mira për futbollin. E para filloi të luaj Linda, më pas Furtuna e pak më vonë edhe Aulona për grupmoshat e vogla.Luanin pa pushim tri motart, në shkollë po se po, por edhe kur ktheheshin në shtëpi vazhdonin stërvitjen.
Gjendeshin ngushtë kur babagjyshi i qortonte se ia dëmtonin kopështin dhe barin rreth e rrotull shtëpisë, ku ishin vendosur, tashmë jo më me qera por në shtëpinë e tyre, në një vend shumë piktoresk, në një ujdhesë, magjike, e mbuluar me qilimin e gjelbërimit të përhershëm.
Linda shkëlqeu që në fillim. Ajo është vlerësuar së tepërmi nga specialsitët e futbollit. Gazetat lokale kanë shkruar se shteti i Kënektikat, nuk e ka pasur anjëherë një futbolliste të repartit të sulmit me karaketeristikat agresive të saj. Ajo është plot klas; ka shpejtësi, triblim dhe shënjesëtr në godtjen e portës. Në ekipin “Hurricanes” të Stamfordit, ku e filloi karrierën, ajo ishte numri një, lidere e ekipit. Duke qenë lojëtarja më e mirë, ajo pati shumë kërkesa për t’u trasferuar në klube më të mira të ligës superiore. Pas shumë kërkesash e lëshoi skuadra e “Hurricanes” për CFC (Connecticut Futboll Club), ku sot luajnë të tri motrat, në skuadra të grupmoshave të ndryshme. CFC, është klub i rangut të parë të garave në shtetin e Kënektikatit. Loja e futbollit, marrja pjesë në kampionate dhe stërvitja intensive, nuk e kanë penguar Lindën që të jetë një nga studentet më të
mira të universitetit. Si futbolliste e shkëlqyer, flasin golat; ka shënuar 94 gola në katër sezone; ndërsa si studente e shkëlqyer ajo është në Dean List të Universitetit të Bridgeportit. Është studente e vitit të tretë dhe studion për Fashion Desing (Stiliste e modës).
Rezultatet e larta në mësime i kanë dhuruar asaj bursën e plotë të paguar nga shteti amerikan (Full Scholarship) , $ 43 mijë dollarë vetëm për një vit studimi. Një ëndërr kjo për shumë studentë amerikanë.
Furtuna,”Futbollistja e vitit 2008”
Furtuna Velaj, vajza e dytë e Mëhillit, në vjeshtë do të vazhdojë studimet në Quinnipiac University në Hamden CT. Ajo ka zgjedhur shkencat politike.Është studiuese me vullnet dhe ecën me objektivin që të arrijë majat. Në shkollë të mesme shkëlqeu dhe u shpërblye me Full scholarship . Në futboll e ka arritur, që të jetë më e mira. Për të s’ka pak kohë që u orgnizua një banket madhështor, ku iu dorëzua cmimi “futbollistja më e mirë e vitit 2008”. Tek e përcillte këtë lajm në numrin e ditëve të para të gushtit, gazeta lokale e CT, nën titullin”Velaj named Player of the Year”, shkruante se Furtuna që luan me skuadrën CFC Passion, ka shkëlqyer këtë vit dhe vajza nga Stamfordi, ka fituar titullin”Lojtarja e vitit”.Liga e futbollit prezantoi më të mirët e West-League për sezonin 2008, gjatë një banketi në Virginia Beach Hotel.
Gazeta shkruante se skuadrat e mëdha mbështetn në lojtaret veterane për të kaluar sezonin e parë, ndërsa skuadra Passion pati Furtuna Velaj, 18 vjecare, e sapodiplomuar nga gjimnazi Westhill, për ta udhehqur skuadrën në vendin e pestë të divizionit me 9 skuadra. Duke komentuar motivin se pse u shpall lojtare e vitit Furtuna Velaj, gazeta shkruan se ishte shpirti i saj agresiv në fushë dhe tetë golat që ajo shënoi në 13 ndeshje për ekipin gjatë sezonit futbollistik, që garantoi me unanimitet cmimin. Ishte kjo arsyeja që Velaj meritoi titullin si më e mira e W-Leage –U 19. Furtuan shkëlqeu në ndeshjen e fundit të sezonit, ku skuadra e saj u përball në Boston me skuadrën vendase. Ndeshja mbaroi 2-1 për skuadrën e Furtunës dhe të dy golat i shënoi ajo, Furtuna.
Gazeta The Advocate shkruan se Furtuna Velaj edhe më parë është nominuar për United Soccer League W, Eastern Conference, All Conference Team. Me zgjedhjen e saj ajo është njohur nga Liga Nacionale me 41 skuadra si një nga 33 lojtaret premies. Furtuna është zgjedhur më parë në tre raste në formacionin më të mirë të javës. Velaj ishte një nga shtatë lojtaret më të reja të skuadrës “Passion” , që ose vazhdonin ende gjimnazin ose sapo e kishin përfunduar. Skuadra e Passion vecohet për rezulatte e saj në ndeshjet e Ligës me 41 skuadra.
Gjatë karrierës të saj në gjimnaz Furtuna është zgjedhur tri herë All-State FCIAC. Ajo do ta vazhdojë karrierën e futbollit, ndërkohë që tani në vjeshtë do të studiojë për shkenca politike në Quinnipiac Univesity.
Furtuna është me fat se ka pasë trainerë me emër në karrierën e deritanishme. Traineri i saj David Clark shprehet me tone të kënaqura për lideren e ekipit dhe golëshënuesen më të mirë Furtuna Velaj. Ndërsa kur luante me ekipin “Soccer Plus” ajo kishte trainerin më të dëgjuar të futbollit në SHBA. Tony Diciccio, i cili e ka fituar kupën e Botës me vajzat e Kombëtares Amerikane, është shprehur për shtypin se “do të isha krenar sikur Furtuna të luante për ekipin tim. Tek ajo shoh një talent të rrallë.”
Furtuna ka pasur sukses me CFS-U 20 edhe pse ajo ishte vetëm 18 vjecare kur luante me skuadrën që u bë kampion për New England dhe fitoi kupën për vitin 2007.
Furtunën e kanë kërkuar shumë ekipe të Ligës profesioniste, por babai, Mëhilli, i ka vënë kufinj: Mbaro universitetin, pastaj shohim e bëjmë! Dëshira e babait Mëhill, është urdhër për të bijën.
Furtunës i pëlqen që të shoqërojë të atin e saj në takimet e komunitetit shqiptar dhe e shkon me dëshirë në cdo tubim. Studentja që do të studjojë për shkencat politike nuk mund të jetë e shkëputur nga bashkëatdhetarë t e saj.
Aulona ëndërron karrierë të sukseshme dhe studime Yale University
Aulona, e treta e motrave Velaj, natyrisht si më e vogla është dhe më përkëdhelura e familjes. Ajo është vetëm 15 vjecare. Motrat e saj, Linda dhe Furtuna, e kanë udhëhequr e frymëzuar që t’u ndjekë gjurmët. Ato ishin traineret e para të saj. Aulona ka gjuajtje të forta dhe që tani ia kanë frikën portieret. Me ekipin e saj ajo ka fituar kampionatin e qytetit.
Aulona ndjehet mirë mes motrave dhe thotë se ato vërtetë i dhanë mësimet e para, por ajo ka mundësi që duke i shfrytëzuar përvojën e tyre, t’ua kalojë në karrierë. T’ua kalojë në futboll dhe në stadiume. Ëndrra e saj është që studimet t’i kryej në një universitet me emër. Sytë ia ka vënë Yale University, ku kanë studiuar personalitete të politikës amerikane, përfshi dhe presidentë ose në Preston University, ku ka dhënë mësim i famshmi shkencëtar, Nobelisti Ajshtajn.
Të tria motrat ndjehen të gëzuara se familja i ka mbështetur në pasionin e tyre për futbollin. As babai i tyre Mëhill Velaj, as nëna Binake, nuk kanë luajtur kurrë futboll, por ja që të bijat e tyre janë yjet e futbollit në shtetin e Kënektikat dhe shtypi sportive dhe ai lokal i ka në faqet e para. Gazetat lokale i kanë ato përherë personazhe të preferuara. Majori i qytetit të Stamfordit Dan Mallyw është shprehur se tri motrat Linda, Furtuna dhe Aulona Velaj janë krenaria e qytetit, ndërsa familja Velaj është një familje e respektuar e qytetit, që i jep aq shumë Brixhportit. Familja është përherë në stadium. Vëllezërit Simoni dhe Noli nuk mungojnë asnjëherë në ndeshje, por Mëhilli, babai i tyre është tepër i vecantë…
Mëhilli, tifozi më i zhurmshëm në stadium
Tifozi më entuziastë, që i ngre në këmbë stadiumet kur luajnë tri motrat, është babai i tyre Mëhilli, i cili nuk mungon kurrë nue ndeshje. Duke qenë se Mëhilli është tifoz që thërret e brohoret shumë gjatë gjithë ndeshjeve, trainerët që drejtojnë ekipet ku luajnë tri vajzat e tij, luftojnë që ai të mos mungojë në asnjë ndeshje. Kur qëllon që ndeshjet janë në të njëjtën orë, ai vihet në pozitë të vështirë, s’ka ku të shkojë më parë, gjithësesi e gjen një zgjidhje. Mëhilli ndjehet mirë që vajzat e tij tërhoqën njëra tjetrën në futboll. Fillimisht Linda, pastaj Furtuna e shoqëruar nga Aulona, më e vogla.Duke u marrë me futboll, vajzat i kanë lënë shumë pak kohë të lirë vetes, mbeten tërë ditën të angazhuara mes topit të futbollit dhe librave.Me anë të futbollit, ato kanë fituar bursa shumë të mira studimi, që kapin një vlerë të larta, njëra 43 mijë tjetra prej 50 mijë
dollarë në vit.Linda ka fituar një bursë falas në Universitetin e Brixhportit, ku studion për Modeling and Fashion Dizajn.
Nëse komuniteti shqiptar e njeh si aktivist të përkushtuar Mëhill Velaj dhe si poet dhe nënkryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë , në stadium ai njihet si babai i tri futbollisteve të shkëlqyera.
Po kush është Mëhill Velaj? Ai është nga fshati Gllogjan i Lugut të Baranit të Pejës të Republikës së Kosovës, i emigruar në Amerikë në kohën e luftës së Kosovës.
Ka mbaruar arsimin e lartë për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Shkollën e lartë Pedagogjike të Prizrenit në vitin 1976. Ka punuar si mësimdhënës për 19 vite, duke përcjellë në jetë 19 gjenerata të Kosovës. Shumë nga ish nxënësit e tij janë mësues, juristë, mjekë, inxhinierë dhe ai krenohet me ta. Shumë nga ata gjatë luftës së Kosovës rrëmbyen armët për liri, ndërkohë që njëri prej tyre shënoi emrin në altarin e lirisë, duke mbetur dëshmor i Kosovës. Ai është Adrian Krasniqi, dëshmori i parë i UCK-së, i cili është lindur në fshatin Vranoc të Lugut të Baranit. Për katër vite Mëhilli ka qenë mësuesi i tij kujdestar dhe e ka vajtuar dhimbshëm ish nxënësin e vet të mirë.
Mëhilli është dhe poet. Ai ka shkruar poezi që fëmijë. Duke qenë një njohës i mirë i psikologjisë së fëmijëve, poezitë më të bukura ua kushtohen fëmijëve. Ai ishte fëmijë 13 vjec kur shkroi poezitë e para, të cilat u publikuan në shkollë dhe jashtë saj. Më pas u përfshinë në albume e antoligjike të kohës.Vëllimi i parë poetik i tij ”Gërshetat e Aulonës” do ta shihte dritën e botimit në vitin 1995. Vëllimi poetik pati për redaktor poetin dhe publicistin Hasan Hasani.Ky vëllim poetik u shpall ”Libri më i mirë i vitit”.Me 6 shtator në Monroe Colege, ai do të promovojë librin e ri.
Në kohëluftën e Kosovës, Mëhilli strehoi fëmijët tek miqtë e tij ndër shqiptarët e Malit të Zi dhe mori rrugën për në Amerikë, ku kishte motrën me familjen e saj dhe dy prindërit.
Është bashkuar shumë shpejt me bashkëshorten dhe fëmijët.Fillimi ka qenë i vështirë si për shumë shqiptarë të tjerë. Provoi punë të vështira, që nga larja e pjatave e punët në ndërtim, por gjithësesi ishte i qetë se nuk e kërcënonte kush si në Kosovë, ku policia, ushtria dhe paramilitarët serbë, kërcënonin orë e cast jetët e pafajshme të shqiptarëve. Dalëngadalë e gjithë familja u integrua në jetën amerikane. Fëmijët duke u shkolluar edhe u punësuan, ndërkohë që janë mijëra fansa që thaërrasin emrat e vajzave gjatë ndeshjeve të futbollit. Tani Mëhilli menaxhon pesë restorante të familjes Velaj. Vajzat luajnë futboll e shkollohen.Djemtë , Simoni dhe Noli, kanë hapur dy punëtori mekanike, ku kryejnë procese riparuese, ku kanë punësuar secili nga pesë punëtorë.Për klientelën shqiptare ata praktikojnë cmime me 15 për qind zbritje, ndaj klientela është në shumicë shqiptare. Mëhilli
ndjehet i qetë se familja jo vetëm është integruar, por ajo ruan edhe kulturën e , gjuhën dhe traditat shqiptare.
No comments:
Post a Comment