Fatmir Terziu
Prej kohësh kanë qarkulluar në letërsinë shqiptare, madje edhe në vetë letërsinë perëndimore ide të ndryshme rreth bashkëkohores fiktive. Ne kemi dëgjuar dhe lexuar edhe ‘ankimet’ gazetareske, apo edhe ato eseistike, që ngacmojnë faktin tepër dhimbës të mosleximit shqiptar sidomos të atij në fushën e letërsisë, natyrshëm më shumë të prozës. Në fakt këtu janë bashkuar edhe zëra të tjerë që shënohen nga shumë faktorë. Proza bashkëkohore shihet nën këto pikasje si një prag, që ndan dhe përcakton kohëra, autorë dhe natyrshëm edhe libra. Në këtë pikasje, ndikimi vjen qartë nga faktori mungesë, mosnjohje dhe nga shtysa jolexuese. Pra mungon lexuesi?! Është dhënë edhe përgjigja disaherë për këtë. Mungon lexuesi! Mungon lexuesi, jo thjesht ai që blen librin, por ai që e merr në duar atë për ta vënë në shërbim të profesionalizmit të tij. Pra mungon lexuesi i kualifikuar. Mungon më thekur, apo e thënë troç, lexuesi që i përket medias. Ky mungues në fushën e leximit ka sjellë mosnjohje, ka krijues boshllëk në letërsinë shqiptare.
Para ikjes kalendarike të vitit të kaluar dhe në prag të ardhjes së 2008-ës, si vit i ri kalendarik, mjaft mikrofonë televizivë iu drejtuan parlamentarëve, gazetarëve, intelektualëve dhe qeveritarëve shqiptarë, me pyetjen sublime nëse ata lexonin ndonjë libër. Përgjigjja: “Ata lexonin…”. Po kë lexonin ata, pra ‘lexuesit e kualifikuar shqiptarë’? Nëntëdhjetë përqind e tyre, [kjo gjithmonë sipas mikrofonave shqiptarë] lexonin libra të autorëve të mëdhenj, autorëve bashkëkokohorë?!
Deri këtu, kur mikrofonët shqiptarë buçasin dhe krijojnë eko nën zëra pushtetarësh, natyrshëm edhe media-reklama është kryer për nder të libra-botuesve sponsorë të këtyre shkrimtarëve që bota i reklamon për arsyet e veta. Për arsye që lidhen trinomin Komb-Letërsi-Fitim. Dhe në këtë ‘hile’ bashkëkohore, të cilën media shqiptare e ka ngrënë si sapunin për djath, natyrshëm të fituar janë publikuesit dhe shtypshkronja-publisherët, që kanë mbirë e mbijnë në çdo garazh të Shqipërisë së privatizuar nga kryemoslexuesit shqiptarë.
Në këtë katrahurë moslexuestike shqiptare, ‘që preferon shijen e verërave’ dhe jo shijen e krijimtarisë shqiptare, natyrshëm ‘trajnerët’ e huaj ende janë shije e fushës letrare shqiptare, që dukshëm ngjan me fatin e Kombëtares shqiptare në fushën e blertë shqiptare me “bari” të huaj. Duke kërkuar, apo më saktë duke moskërkuar këtë lloj ‘bariu letrar’, fusha letare ka ndjerë sfidën më të madhe të tranzicionit dhe kështu ka prurë në skenë edhe mendjen e të thënit sipas rastit. Themi kështu se ndjejmë nga afër atë që akademikja Annie Dillard e ka thënë shkoqur në lidhje me “ankimet për letërsinë bashkëkohore”, edhe pse në këtë rast nuk parashihet tërësisht i ngjashëm si problem me realitetin shqiptar.
Sipas Dillard, “s’ka rëndësi se njërëzit ankohen për mungesën e letërsisë bashkëkohore, dhe s’ka rëndësi kush e sa janë ata, por rëndësi ka se ata nuk po thonë ndonjë gjë shumë mirë”. Pra, në gjuhën e Dillard, e thëna e tyre është shumë larg përcaktimit konkret. Kështu përcaktimi, “ka apo s’ka letërsi bashkëkohore në Shqipëri” nuk besoj se varet nga hartimomania kritike, por nga tematika që Dillard e mjaft të tjerë na afrojnë si mundësi në këtë analizë. Dillard thotë: “Proza fiktive dhe sidomos stili i saj është si një sipërfaqe e tërë në një pikturë”. Kjo nënkupton qartë, se pa njohjen e kritikës bashkëkohore, s’ka dhe as mund të ketë lexim kritik të një vepre letrare. Në mënyrë të njëjtë T.S. Elliot e ka përkufizuar me kohë këtë problem. Në aspektin filozofik, në lidhje materie-letërsi brenda kontekstit Lakan ka thënë fjalën e tij, që merr një rifreskim nën moton argument të Slavoj Zhizek, filozofit lexues të kohës moderne.
Ne ndoshta mund të dallojmë dy karakteristika të stilit të letërsisë bashkëkohore. Njëra sipas Dillard, “është ajo që ne e quajmë për momentin të thjeshtë”, dhe tjetra është ajo që quhet ‘fancy’ ose e kundërta e të thjeshtës. Pra, kjo nënkupton se asnjëra nga këto stile distinktivisht është bashkëkohore në kuptimin e njohur. Por, sipas Elliot, ngjashëm edhe për Dillard, kjo e dyta mund të quhet si moderniste, apo e vënë në këtë shenjë. Atëherë nënkuptimi logjik të çon sërrish tek mosleximi shqiptar i cili i përket shkruesve kritikë, të cilët me zor kacaviren në literaturën e tyre dhe përmendjen e listave emrore që vijnë nga struktura tekst-shkollor.
Në këtë vështrim, parë nga të dy frontet, ndjeshëm aryetohet nën maskën ‘sos’ për mungesën e lexuesit professional. Dhe kur mungon lexuesi profesional, natyrshëm popullorja e maces me miun vjen në ndihmë. Vjen në ndihmë për të dalë nga situata, por nuk ndihmon të sqarohet kjo situatë. Kështu sa kohë do të thiret në instancat kohore popullorja të zërë vendin e profesionales, gjasat për ‘njohje’ të krijimtarisë letrare më shumë i shkojnë cepave të bibliotekave ku punojnë prej vitesh merimangat.
Para ca kohësh më kujtohet një debat në median angleze. Debati lindi rreth librit të një fituese të çmimit “Nobël”, autorit britanik Salman Ruzhdie. Por ndërsa debati bëhej për librin një lidhje e tij u bë me një fakt nga një kompani britanike, konkretisht “M&S”. Një nga folësit e debatit në “Newsnight-Culture” tha: “Bosi i “M&S” shkarkoi një drejtues të kompanisë jo se kompania ra në nivelin e saj, as se drejtuesi rrogëtar nuk vishte kostumet e kësaj kompanie, por sepse ai nuk kishte lexuar asnjë nga broshurat dhe udhëzueset e kompanisë”. Të pranishmit ndryshuan debatin, pas këtij rrëfimi… Ndërsa, ata ndryshuan llojin e debatit, ajo që ra në sy ishte postulati i Dillard, “mjaft stile bashkëkohore burojnë nga tradicionalja e të shkruarit”. Pra, këtu nuk është vetëm mosleximi.
No comments:
Post a Comment