Novruz Abilekaj
Secili nga ne shqiptarët lindi pranë vatrës së tij. Aty iu pre kërthiza dhe iu vu emri. Andej mori mbi shpinë cilësimin; lab, malësor, kosovar, lalë, myzeqar, përmetar, pukian, gramshiot, krutan, dibran apo në përshtatje me gurin ku gjakosi për herë të parë këmbën apo me baltën ku u zhye deri mbi gju. Të gjithë u ngjizëm me baltë Shqipërie dhe quhemi shqiptarë. Shqipëria (si Pellazgji, si Iliri, si Arbëri, si Shqipëri) ka qenë aty prej lindjes së njerëzimit, dhjetëra-mijëra vite para lindjes së Krishtit apo Muhametit, dhjetëra-mijëra vite para zbarkimit të Cezarit a Pompeut, më shumë se kaq vite para shfaqjes së vojvodëve dhe sulltanëve, më tepër akoma para krijimit të flamurit komunist. U shpërnda “poleni” i “racës shqiptare” tej kufijve; në Greqi, në Turqi, në Itali, në Evropë, në Afrikë, në Azi (Ukrahinë), në Amerikë e Australi dhe nuk e humbi kurrë genin arbëror (arbëresh, arvanitas) dhe as i këputi ndonjëherë fijet shpirtërore që rrënjëzojnë nën kalldrëmet e avllive të lashta. Aq më pak është venitur kjo lidhje në të ikurit e vonët; shqiptarët e Amerikës, të Australisë etj. Nuk do të ndodhë kjo me brezat e emigracionit të 20 viteve të fundit. Dëgjohet aty-këtu që bloza e politikës shqiptare t’i lëshohet mbi shtat Shqipërisë, por këta zëra janë emocionalë, kalimtarë dhe do të zbehen nën mjekimin durimmadh të kohës.
*
Shqiptarët kanë mbijetuar dhe do të mbijetojnë në standardet e botës së përparuar sepse ata dinë të vëllazërohen. Nuk përjashtova trimërinë, guximin, vetëmohimin, veti këto të gdhendura në beteja kundër pushtuesve dhe zaptuesve, por jam i ngarkuar në këtë çast me prurje shembujsh për bashkëjetesë e vëllazërim. Aq të shumtë janë shembujt sa mund të më zihet fryma nën peshën e tyre, prandaj do ta thjeshtoj çështjen duke “pikturuar” vetëm tablonë e një qyteze të vogël, tepër të vogël.
*
Pas luftës së dytë, domethënë, pas asaj lufte që shqiptarët e quajnë me të drejtë Çlirimtare (nuk e di në arriti të ishte edhe Nacional-Çlirimtare), u aktivizua miniera e Selenicës. Sele-nica, sipas emrit të ngjitur nga sllavët e car Dushanit a të tjerë sllavë, ishte fare pak e banuar. Nën zotërimin e francezëve apo italianëve punëtorët merreshin nga fshatrat përreth dhe vetëm përgjegjësit banonin afër qendrës së minierës. Çobanët (përfshij vllahët e sarakaçanët) e preferonin më pak punën nën tokë. Më tepër ata ishin punëtorë të sipërfaqes ose karvanxhinj për të transportuar serën drejt Skelës së Vlorës. Këngët u këndoheshin këtyre karvanëve me mushka dhe këtyre karvaxhinjëve që udhëtonin pa pushuar se prisnin vaporët e Evropës.
Për këto arsye, Selenica u popullua me të ardhur nga fshatrat rrotull (Armen, Treblovë, Romës Karbunar, Kocul, Gorisht, shkozë, Sevaster), nga Mallakastra, nga Lumi i Vlorës, nga Tepelena, nga Myzeqeja e Vogël, nga Gjirokastra, nga Pogoni, nga Çamëria. Nuk mbaron harta e vendeve të braktisura nga të ardhurit. Pikërisht të braktisura; trualli, stani, ara, mali. Rrallëkush, në mos askush, nuk e kthente kokën mbrapa. Andej po formoheshin kooperativat bujqësore dhe ... kujt i kruhej me kooperativën?
Rruga më e mirë mbetej braktisja e truallit dhe vaditja e shpirtit me lotë malli.
*
U ndërtuan disa shtëpi përdhese varg njëra pas tjetrës. Çdo ndërtesë kishte dy hyrje me nga dy dhoma. Midis dhomave korridori 2x1,5 dhe në faqen e korridorit nevojtorja. Kjo e fundit ishte pak më shumë se 1mx1m. Poshtë saj, nga “dritarja” ku shkarkoheshin nevojtarët, dukej gropa e fekaleve. Pikërisht në dy dhoma të tilla me këtë nevojtore të përbashkët, strehoheshim ne dhe familja e Harun Mehmetit. Familja jonë përbëhej nga gjashtë persona të tre brezave, kurse familja e Harunit kishte shtatë frymë. Të trembëdhjetë jetonim si një familje. Nuk thashë që Haruni ishte evgjit Gjirokastre dhe kishte ardhur në Selenicë si zanatçi për punimin e teneqesë. Kërciste kudhra (dy kudhra kishin në mes të dhomës së vetme, 4mx5m). Ata ishin tre veta që ktheheshin të dehur në shtëpi. Edhe im atë nuk mbetej prapa. Nuk thuhet se ç’zallamahi bëhej në kuindiçinë (pesëmbëdhjetë ditësh) por, midis dy familjeve mbretëronte një paqe qiellore. Unë dhe Fatmiri ishim moshatarë. Ai kishte lëkurë të zezë si afrikanë, megjithatë asnjë koncept a paragjykim nuk na pengonte të kafshonim të njëjtën kafshitë apo, në vitet pas ndarjes, të putheshim buzë më buzë. Agroni e Namiku, kushërinjtë e fatmirit që rrinin te pallati i Sharrajve në Shesh të Flamurit më trajtonin si vëllanë e tyre kur m’u desh të jetoja në konviktet e Vlorës. Përtej murit me gjysmë tulle banonte Mezani. Prindërit e tij pak vjet kishin që kishin ardhur nga Çamëria, Gjyshja shurdhe na dhuroi gjithë thesarin e rrëfimit popullor. Ajo rrëfente tërë natën dhe Mezani kishte thyer një tullë që të dëgjoja edhe unë nga dhoma ngjitur. Moshatarët e mi; Kiçoja (grek), Todi (Vllah), Bajrami (kuçiot), Fatmiri (evgjit), Mezani (çam) hynin dhe dilnin në shtëpinë time pa trokitur. Babai i Kiços ishte millona (grek, pra, do kishte patjetër zanat) dhe na jepte miell për kulaç. Gjyshja e Todit nuk fliste mirë shqip por na puthte me radhë dhe na mbushte nga një letër me mëna. I ati dhe e ëma e Barjamit, të cilët ishin inferierë (doktora u thoshim), na shërbenin për shëndetin si të ishim fëmijët e tyre, te Fatmiri çonim për të ngjitur bishtat e xhezveve duke paguar më lirë dhe me të pritur, kurse te Mezani rolin e kishte gjyshja dhe ne asaj i mblidheshim rreth çitjaneve që të na tregonte edhe njëherë se si qerosi zbrit në botën e poshtme.
Mjaft fola se m’u zu fryma. Të tillë vëllazëri krijonin të gjithë shqiptarët midis tyre. Muxhja dhe Xhamja përgatisnin llokume dhe ëmbëlsira të tjera që të lëpije duart. Djem të rinj ishin dhe ata, bile nxënës shkolle, por e kishin traditë nga Dibra. Dilnim me vrap nga shkolla dhe qëndronim pranë tezgës së tyre. Ata na jepnin ëmbëlsirën e preferuar duke shënuar emrin në një defter të ndotur me vajra, edhe na qerasnin me pluhur llokumesh sa që ktheheshim në shtëpi jo të vdekur për të ngrënë. “U fale më përpara te gega, ë?”, më qortonte nëna. Kështu i qortonin të gjithë shokët tanë.
Mjaft, pra. Nostalgji të gjitha këto. Anakronizëm. Njeriu i ditëve të sotme ka gjëra të tjera për të bërë. I duhet të pasurohet, të pasurohet, të pasurohet ...
No comments:
Post a Comment