Fatmir Terziu
Është vështirë të gjesh një pikëtakim. Në fakt një pikëtakim poetiko-familiar, të cilin edhe Morrisey i Madh i lirikës do ta kishte zili. Është fjala për pikëtakimin tipik të poetit Grigor Jovani, i cili vjen mitik në poezinë e tij. “Familja” është një kornizë e përzgjedhur poetike. Flet qartë me gjuhën e saj dhe komunikon lirshëm me imazhet e soditura. Një pikëtakim tipik ku elementi femëror, nënë e grua, paralelizon po aq fuqishëm, balancën vendlindje dhe vendndodhje. Një mit që ngrihet dhe lartësohet fuqishëm si një parantesë për atë që shpesh Ballkani e ka të thekur tek ‘nacionalizmi’ folklorik dhe ‘dinastia’ patriotike në të shkruar dhe folur. A nuk ka me qindra këngë ballkanase që nisen nga motivi familiar të mitizojnë natyrën, gjeografinë, fizionominë njerëzore dhe rrethnajën ku lindim dhe jetojmë? Jovani del nga këto kuadratura ballkanase dhe krijon anën pikëtakuese Perëndimore duke sfiduar parësoren dhe duke i dhënë shans dytësores logjike të kryej pikëtakimin. “Familja” është një model në këtë shtrim:
“Shqipëria më ngjan me nënën në fshat,
kurse Greqia
me gruan.
Ndonëse mes tyre kaq të ndryshme janë,
merakun njëlloj
ma duan…”.
Pra, duket qartë se Shqipëria dhe Greqia, janë ato dy gjëra që lindin në pikëtakimin nënë dhe grua, duke argumentuar me fjalën dhe fuqinë e saj. Ambienti ‘fshat’ dhe e pathëna tjetër për dytësoren duket se plotësohen me grupfjalën “merakun njëlloj/ma duan”.
Poetika ‘koktale’
Dhe e gjitha ngjan me atë fuqi që ndërmori poetika e quajtur ‘koktale’ aty nga fillimi i viteve 80-të, që më pas u bë një frymëzim për muzikën ‘koktale’ të atyre viteve në Perëndim, ku “Adam Ant”, “Haircut 100” dhe “Duran Duran” ishin shijet parësore. Dhe unë e shoh këtë në këtë poezi të krijuar me një entuziazëm. Unë isha 16 vjeç kur “Hand in Glove”, e para këngë e krijuar nga Smiths u lëshua për publikun. Ndoshta isha paksa në dilemën e asaj kohe, që dihet për arsyet e saj, të mësoja përmendësh dhe ta këndoja jashtë publikut, ashtu me fjalë tymçe, pa lidhje, pa kuptim në mendjen time, se vinte nga një gjuhë tjetër dhe çuditërisht më dukej se fliste shqip në çdo detaj të saj. Atë çudi sot e gjej në këtë poezi që flet në gjuhën time, por që vjen e gatuar për çdo gjuhë. E lehtë dhe e kapshme. E pangarkuar. E motivuar, tamam ashtu si atëherë, pra kur audienca e turbullonte krijimtarinë e Morriseyt.
Gjithashtu në këtë sentiment është diçka tjetër që më bën të jem entuziast. Është pikëtakimi që unë zbuloj në logjikën e fjalës për të ndërtuar poetiken, gjuhën e saj të komunikimit dhe interpretimit. Ky poet, është një sentiment shqiptar. Ai ka një takt që ndërmer eksperiencën kombëtare po aq edhe mendimin kombëtar dhe i monton ato në një pikëtakim të njëjtë duke i farkëtuar gati njësoj. Ai i bën ato nga imagjinare të shikueshme dhe nga vlera të mbivlershme. Ndërsa Jovani shkruan për të sqaruar siglën lidhëse midis dy figurinave, poezia natyrshëm vjen në trajta të ndjeshme më tej, edhe pse ripërsëritja kryhet si një rit jetësor, fakt logjik dhe tepër prekës që paralidhet me nënën dhe detyrim ndaj saj:
“Nëna që më bëri burrë me trahana
gërryen varfërinë
si mulliri.
Ndërkaq ime shoqe zbukurohet përditë,
i ndrin syri grek,
si ulliri.
E ndjej se nënës i detyrohem më shumë,
e lodha një jetë,
ajo manare.
Greqia i ngjan shtëpisë sime në fshat,
me nënën Shqipëri
në dritare.”
Pa u larguar nga tradita, aspak në kuptimin e kthimit ‘të kokës prapa’, por duke bërë paralelizmin figurative në kohë dhe në vend, elementi jetik i hapësirës siguron vazhdimësi të lejueshme debati në mendje, duke të paraprirë me imazhin e nënës, apo edhe më tej.
Disintermenti magjik
Duke iu larguar kësaj tematike në vazhdimin e poezive të Jovanit shihet disintermenti (zhgroposja) magjik (e) që figurohet në disa detaje. Tek poezia “Zjarri” autori e sjell këtë disinterment magjik nga figura e përkryer e talentes shqiptare, legjendës femërore të muzikalitetit shqip, duke zhgroposur gjithë vlerat dhe ndriçuar artistikisht detajet. Duke përshkruar kronologjinë artistike, racionimi i Jovanit e gatuan figurën e Tefta tashko Koços, si një magji jetike. Pra “Zjarri” kushtuar Tefta Tashko Koços vjen i tillë:
“Era u tërbua. Të rrëmbeu zërin,
dogji pyjet.
Qetësi. Duartrokitje. Pastaj
sytë e tu.
Kishin shpëtuar nga zjarri
yjet.”
Në këtë motiv, si një frymëzim nga vizioni vjen edhe një pjesë e mirë e krijimtarisë poetike të Jovanit. “Plepat” kushtuar V. Mios, vjen pikërisht nga ky frymëzim”
“Plepat mërziten
kur i vizitojnë pulëbardhat.
Shkundin mbi liqen
push dhe gjethishte.
Pastaj vjen Vangjushi
me penel dhe bojra,
për ta bërë liqenin
siç ishte.”
Dhe në vazhdim duket se plotësohet edhe me poezinë tipike “Poetët”, që natyrshëm gatuhet me sensin e pamores, apo edhe të njhurisë imazhore të krijuar në mendje nga njohuria dhe leximi për temën. “Poetët” i kushtohet poetëve por me një imazh të një poeti të shquar grek, Kariotaqi, i cili siç thotë autori u vetëvra në rini të tij, në një çast depresioni:
“Verërave, kur shkoj në Prevezë,
nëpër rrugicat e ngushta më ndjek
hija e Kariotaqit.
Për diçka kërkon të më pyesë,
për sytë melankolikë të Migjenit,
më duket.
Ngaqë s’i shpëton vetmisë së tij
ndërron mendje në çast
dhe zhduket.”
Ky cikël është nderuar me Çmimin e Parë në Konkursin “KADMUS”, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita”dhe Ambasada Shqiptare në Athinë. Por kjo nuk është e vetmja arsye që më ngacmoi të ndërmarë analizën time dhe leximin për së dyti të poezisë së Grigor Jovanit. Ndërsa në mesin e “Fjalës së Lirë”, krijimtaria zë vendin e saj, respektivisht vendi dhe hapësira është prezente, prekëse dhe inkurajuese. Por më tej është edhe lajtmotivi tipik i disa poezive si “Në rrugë”, “Frymëzimi” dhe “Gravura” që me bukurinë e tyre të detyrojnë këtë ngacmim. Tek “Në rrugë”, portretizimi i përditësisë siparëzon letën personale aq bukur dhe thjesht sa është vështirë të gjesh vend dhe kuadrat tjetër poetik të tillë:
“U shkëmbeva në rrugë
me jetën time.
E shkurtër siç qe,
rëndësi nuk i dhashë.
U ktheva t’i flas,
kur m’u kujtua.
Humbi mes turmës,
më s’e pashë.”
Në poezitë e tjera ka thuajse një ritëm dhe ngjashmëri. Në disa poezi të krijuara kohët e fundit dhe të hedhura në ‘Klubin e gazetarëve’, natyrshëm edhe përpos komenteve dhe analizave të Myrtajt, Hyzotit, Lifschin, Dukës, Lazrit e ndonjë tjetri që të më falë për moskujtesën, duket se kemi pikasur njësoj atë që jovani e ka domethënëse. Lirikat dhe vecanërisht ato, është vështirë ti lartësosh në krijimtarinë e tij, sepse ato janë lirika të shkruara dhe shprehura natyrshëm. Por kjo është vetëm një pjesë e historisë, pjesa tjetër lidhet me krijimtarinë tjetër të tij. Vazhdimi, ose pjesa tjetër është ajo që Myrtaj thotë “ëmbëlsia, që unë nuk e them për shaka, ardhka paskëndaj…”. Ndoshta ajo ëmbëlsi që vetë Jovani e shpreh tek “Meraklinjtë”, në mos gabohesha:
“Poezia është një grua lozonjare.
Naimi, Lasgushi, Migjeni,
pas tyre mijra të tjerë
syrin ia vunë.
Aty nga fundi i meraklinjve
dhe unë.
Poezia është një grua lozonjare.
Krihet me erën,
vrapon mbi kuaj,
me tram.
Po a mund t’i bie në sy
kështu siç jam?”
Londer, Gusht 2007
No comments:
Post a Comment