Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka firmosur krijimin e çmimit kombëtar vjetor "Teodor Keko" për gazetarin më të mirë të vitit në fushën e kulturës. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësja e këtij dikasteri, e cila tha se "çmimi i lartpërmendur shpallet në zbatim të politikave në fushën e kulturës, në mbështetje të nenit 102, pika 4 e Kushtetutës, si dhe të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave. “Çmimi në fjalë krijohet për të nxitur pasqyrimin në shtypin e përditshëm dhe atë periodik të arritjeve dhe problematikës në fushën e kulturës dhe arteve, për një trajtim sa më profesional të fenomeneve kulturore, si edhe për të vlerësuar figurën dhe kontributin e shkrimtarit, gazetarit dhe politikanit të njohur Teodor Keko", - thuhej në urdhrin e firmosur nga ministri Pango. Dje më 2 shtator, në ditën e lindjes së Teodor Kekos, lajmi i këtij çmimi është përshëndetur nga gazetarë të shumtë, pjesa më e madhe e të cilëve, kanë pasur fatin të punojnë me të. Ndërkohë mbrëmë në një nga baret më të njohura të Tiranës, miq dhe kolegë të Kekos kanë kujtuar ditën e lindjes së mikut të tyre i njohur nga të gjithë për shpirtin e tij të lirë.
Teodor Keko, i njohur fillimisht si poet, gazetar dhe më pas si shkrimtar, është një nga emrat më në zë të letrave shqipe të pas viteve ‘90-të. Ai është themeluesi i gazetës dhe më pas revistës kulturore “AKS”, një ndër mediat që i dha konturë kulturës dhe problemeve të saj pas viteve ‘90-të.
Por po ashtu veprat e shkruara nga ai nuk rrëmbehen nga e jashtmja dhe as nga metafora e qëllimtë. Thjeshtësia dhe origjinaliteti i frazës krijojnë në prozën e tij një ansambël harmonik, dinamik dhe pa deklarata cerebrale. Veprat e tij dallojnë nga thellësia e mendimit, zbërthimi i natyrës së brendshme të karaktereve, nga autopsia që i bën shoqërisë së munduar shqiptare në 10 vitet e fundit. Dhe këto e bëjnë vetëdijshëm Teodor Kekon një nga shkrimtarët më të pëlqyer në kohë në Shqipëri dhe më gjerë.
"Në veprën e Teodor Kekos, nuk ka mllef ndaj problemeve që ofroi shoqëria shqiptare në 10-vjeçarin e fundit, sikundër ndodh rëndom tek shumë autorë. Në të gjitha romanet e Kekos ndihet keqardhja e shkrimtarit, i cili kërkon të ndryshojë shoqërinë", - thotë shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. "Dori e kuptoi misionin e artit për të ndryshuar shoqërinë përmes humanizmit", - cilëson Agolli.
Njeri, pastaj, poet, shkrimtar, publicist, politikan, për Teodor Kekon vdekja ishte sfida më e madhe. Njeriu dhe pastaj dëshira për jetën ishin gjithçka për Dorin që sikundër ishte në jetë pikërisht atë arriti të shkruajë me stil të kthjellët dhe mendim të sinqertë në tri gjinitë që punoi; publicistikë, poezi, ashtu edhe në tregimin dhe romanin shqiptar.
No comments:
Post a Comment