Tuesday, 2 September 2008

Rrëfimi i dorës sime

tregim


Nga Fatime Kulli

Objekt i rëndësishëm me labirinte nga më të çuditshmit, herë si krijesë e pambuktë e herë si krijesë e hekurt.

Eh, si mund të jetë ky objekt hekur, kur ka krijesëza prej gjaku e mishi?!

Oh ç'mu kujtua krijesëza prej mishi!

Dora si lodër shkatërron murin e kujtesës sime dhe djersitet. Djersitet aq shumë, sikur të qe zhytur në lumin e dëshpërimit, dhe kërkon të fshijë mjegullën me peshqirin e shpresës.

Oh peshqiri, shpesh herë mbështjellë e than vetëm çastin, por s'fshin dot nga kujtesa ballafaqimin emocional.

Përshembull, ku dallon me dorën e një burri?

Nuk e di pse janë kaq të ndryshme, edhe pse janë ndërtuar me të njëjtët elementë ndjesorë.

Ah, ç'mu kujtua elementi i ndjesisë, ku dorëza ime zë një vend të rëndësishëm në rëndësinë e të qënurit frymë. Sa interesante është dora para qenieve disi të çoroditura që shpesh herë, nuk e pranojnë praninë e dorë sime.

- Si thatë ju, mos u mburr aq shumë se është vetëm një dorë femre?! Sa qesharakë më dukeni! Po të mos gjallojë dora ime, dora juaj do të paralizohej...

Hija e lëvizshme në imagjinatën time heshti, për tu treguar indiferente ndaj elementit të qenies mashkullore. Sa konfuze jam. Përse duhet të merrem me qenie që s'kanë rëndësi për mua?!

Jo, jo! Të gjitha qeniet kanë rëndësinë e vet, madje ato që ne i nënvleftësojmë, duhet t'i respektojmë me shumë humanitet dhe personalitet.

E si mund të jetë dora gjallesë?!

Po të mos ishte kështu, nuk mund të jetë nxitësja që ka ndezur në mënyrë të vrullshme zjarrin ndezës të emocioneve të padukshme.

Dora ime ka sjellë në gjendje normale, të panormalizuarin e buzëqeshjes mbytëse. Prandaj, unë dorën time e vë në shërbimin tim, dhe gjithmonë e ndiej se më ndien edhe ai që më urren.

Ç'më doli në shteg fjala urrejtje. Unë s'kam urryer kurrë. Edhe atë që më ka urryer, e kam përkëdhelur me këto duar.

U ndodha një ditë para ndjesisë vezulluese të një gjarpri dhe rashë pre e drithërimave gulçuese... Përjetova ndërthurje emocionesh... Dora mundohej ta prekte, ta ledhatonte, kurse ai sulej të më kafshonte me dhëmbë të çakërdisur.

Por unë nuk e mora inat, e vështrova qetësisht dhe i thashë:

- Çfarë ke që sillesh keq me mua? Unë s'dua të të bëj keq edhe pse je…

- Hiqmu sysh se do të bëj hatanë në ty. S'i duroj dot duart e buta se lëkura ime zhvishet vetë... Hajt largohu, se!...

Tension pasionant i përgatitur banalisht, por dora ime s'e meriton kafshimin, qoftë edhe ballor.

Dhe dora pyeti objektin e qendrës:

- Çfarë force duhet për të zbutur tensionin?…

Por qendra e dorës s'jep receta, ajo detyron arteriet për normalizimin e emocioneve të acaruara.

Gjarpri filloi të rrudhë buzët dhe lëvizi gjymtyrët e trupit për të sulmuar...

- Përse lëviz kaq pabesisht para dorës sime, o qenieve djallëzore? – foli hija e elementit ndiesorë.

- E dashur dorë! Ne përbëjmë elementët kryesorë të qenieve të kësaj bote. Bota është pjellë e jetës, prandaj moj dorë, vetë JETA është një gojë e madhe që kafshon me dhëmbë helmues. Kështuqë, ti mos u habit! – tha shikimi i qenies dinake dhe bëri një lëvizje tjetër të çuditshme.

Por dora vazhdonte qetësisht me elegancë emocionale, t'ia përkëdhelte bishtin, kurmin, ngadalë ngadalë deri tek kokëza. Ëmbëlsisht i ledhatoi mustaqet, ia krehu si flokëzat e kukullës dhe ia nxori pasqyrën përpara fytyrës së tij.

Pasqyra dhe gjarpri, ballë për ballë...

Befas, pasqyra plasi, u bë copë e çikë dhe gjarprit i ndërroi krejt çehrja. Sytë i morën një shkëlqim diellor. Shkundi trupin nga fijet e pushtetit mashkullor, çmontoi flegrat e krenarisë dhe u ul galuc. Çuditërisht, u mblodh sa një grusht. Dukej se po e rrihte kamxhiku i ndërgjegjes ndjesore... Uli kokëzën poshtë këmbëve të mia dhe pështyu me forcë helmin e padukshëm…

Dora vazhdonte përkëdheljet, dhe ndiente se mjekra po i dridhej nga emocioni i pendesës. Atëherë, ndodhi edhe mrekullia...

Gjarpri hapi gojëzën i uritur dhe lëpinte gishtërinjtë e mi gjithë afsh…

Me durimin e qenies femërore i bëra një masazh vrullndezës në objektin më të rëndësishëm që lidhet me fijet e ngatërruara, deri në qendër... Oh, sa gjatë… E megjithëse procesi ishte i vështirë, dora me trillet e saj dhe dëshirë të ethshme arriti t'ia dalë mbanë, duke mbjellë në kopshtin e ëndjeve, vetëm përkëdhelje...

Sa fjalë e ëmbël është fjala përkëdhelje, që mua s'ma ka dhuruar asnjë dorë mashkullore. Edhe pse, unë e kam ushtruar me specialitet e femëror, askush s'ka ditur të zbulojë të fshehtat e zjarrmisë sime.

Ndoshta dikush, ndonjë ditë të pezmët do të kujtohet dhe do të vijë të kërkojë dorën e dorës sime, nga mirënjohja. E ku i dihet, ndoshta s'ka për të ndodhur kurrë...

E megjithatë, unë i kam duart ende me shijen e kripur të qerpikëve të tij të ngrirë, që i shkriva me ngrohtësinë e shpirtit të duarve të mia.

Kur zemra e tij ishte çarë, e ndarë nga kraharori, unë e qepa me dorën time, duke e bërë funksionale për të pulsuar përsëri. Kur gjymtyrët e trupit të tij ishin harbuar, damarët e duarve të mia u tërbuan...

Hijet e elementeve ndjesore ranë në paqe...

Përplasje emocionesh midis harbimit dhe tërbimit… më në fund, gjetën gjuhën e përbashkët... Baticë e zbaticë me gjuhën e ndjesisë së dorës…

No comments: