Wednesday, 17 September 2008

Letërsia fillon tek hapësira




Fatmir Terziu

Që kur është shfaqur letërsia njeriu ka shtruar para saj disa kërkesa. Njëra prej të cilave kërkon që letërsia të argëtojë lexuesin. Këtu nuk bëhet fjalë për intelektualin, por për lexuesin e zakonshëm, për të cilin letërsia e mirëfilltë është e pakuptueshme, si rrjedhojë edhe e mërzitshme. Kjo ndodh ngaqë letërsia e mirëfilltë kërkon që lexuesi të ketë njëfarë përgatitjeje për të mos hasur vështirësi në të kuptuarit e të përjetuarit e saj si krijim estetik. Por shumë prej lexuesve këtë përgatitje nuk e kanë. Ata mund të kenë kryer një shkollë të caktuar profesionale dhe kanë shije për një tip të vecantë letërsie, që e lexojnë gjatë kohës së lirë për t’u argëtuar.
Që kur lindi letërsia, ka pasur vepra të tilla që parapëlqeheshin nga shtresa të caktuara. Kërkesat kryesore të kësaj letërsie janë skemat pothuajse të njëjta, që përsëriten nga një vepër në tjetrën. Kështu karakteret janë ose të mira, ose të këqija, në luftë me njëri-tjetrin ku triumfon gjithmonë e mira. Intriga është e qartë, skenat janë të rëndomta, por që zakonisht nuk ndodhin në jetën e zakonshme. Këto vepra përshkohen nga një shkallë e lartë naiviteti. Por në plan të parë këto vepra edhe pse duken të tilla, kanë rrokur prej kohësh tregun e librit në perëndim, dhe lexohen nga një numër i madh njerëzish. Kjo ka shtruar shumë pyetje jo vetëm para studiuesve të letërsisë, por edhe atyre të fushave të ndryshme të dijes.

Letërsia ‘shtrat-pa-gjetur’

Në letërsinë shqiptare ka pak tentativa të tilla. Shumë pak shkrimtarë kanë hyrë në këtë modë perëndimore dhe shumë pak që kanë provuar situata të ngjashme të romanit me aventura, romanit kriminalistik, pornografik, që përshkruan skena të lira seksuale apo romanin sentimental që e trajton dashurinë në mënyrë sentimentale, ose janë ngjeshur me kritika, ose janë eleminuar pa parë dritën e ‘diellit’. Pra është ende një tulatje shqiptare në fushën e gjerë të shkrimeve. Kështu kjo lloj letërsie ende ndjehet e pashtruar, e tillë si është mund të quhet ‘letërsia shtrat-pa-gjetur’. Edhe pse nuk duhet menduar për këtë grup, ku mund të përfshihen një sërë krijimesh, se janë të zhveshura nga vlera të vecanta letrare, prapë një lloj mendësie ekziston.
Kjo lloj mendësie ekziston edhe për një pjesë të krijimtarisë së mirëfilltë, edhe për një pjesë të shkrimtarëve shqiptarë të mirëfilltë të Shqipërisë, Kosovës dhe atyre që jetojnë në vise të tjera. Kjo lloj mendësie më së shumti nuk lidhet vetëm me lexuesin. Ajo nuk determinohet as nga vetë shkrimtarët. Në fakt ajo mbetet një modë sublime thjesht e gatuar në shije, mentalitete dhe kreshenca moshore. Ne shugurojmë në këtë stinë letrare dhe riskojmë ndjesinë dhe idenë. Riskojmë se kemi arsye që lidhen me mentalitetin, natyrën, ambientin dhe kushtet social-ekonomike që na ndikojnë. McLuhan, tek vepra e tij fantastike “Të Kuptosh Median” në faqen e pesëdhjetë e gjashtë shprehet: “duke kërkuar të kuptosh shumë media, konflikti nga ata lulëzojnë, madje dhe të konflikteve të mëdha të cilave [mediat] u japin ritje, mban jashtë premtimin e reduktimit të këtyre konflikteve me ritjen e autonomisë njerëzore”. Të perifrazosh kuptimin e McLuhan, do të thotë të siglosh ‘efektet e mediave hibride’, sidomos krijimeve letrare domethënëse, ose të interpretimit të një krijimtarie me tjetrën.

Treg-letërsia shpesh prodhon dhimbje

Në këtë mes simptoma e indiferencës dhe tulatjes është asgjë para mposhtjes. Mposhtja më saktë duket se po e mbyt lidhjen shkrimtar-ide-audiencë, më saktë lexues në këtë rast. Themi kështu, pasi në ekonominë e tregut, natyrshëm kjo është ‘alfa dhe gama’ e suksesit. Mendo të shkruash e të bitisesh së shkruari, kur nuk blihesh, dhe jo gjthmonë për cilësi shterpë, por për humbje të lidhjes së lartpërmendur, pra të ‘shterpësisë’ treg-letërsi. Dhe treg-letërsia shpesh prodhon dhimbje, por jo si ato të vetë letërsisë krijuese. Elsa Demo në këtë kontekst thotë se “letërsia fillon tek dhimbja”. Më tej ajo shton se “Të shkruarit nuk është qëllim që mund të kënaqë vetëm veten. Ky është vetëm fillimi, sepse më pas vjen lexuesi.” Dhe këdo që pyet për këtë marrëdhënie, sipas Demos, mund të të japë një përgjigje si kjo më sipër, pasi gjithë ç’ndodh në momentin kur hidhen vargjet, përpos çlirimit kalimtar, vjen edhe guximi dhe hapja që jep krijimtaria letrare.

Miti si shembull

Por ndërsa sipas McLuhan shembulli i fjalës së shkruar vjen në “siparin e syrit dhe veshit mbi bazën e mitit”. Dhe këtu një shembull i prurë prej tij, pikërisht atë të mitit Grek të alfabetit, që ishte Kadmusi, përsëritshëm Mbreti që prezantoi gërmat fonetike nëpër Greqi, është një kuptim i qartë. Mbreti mbolli dhëmbët e dragoit dhe ata lindën ushtri të armatosura. Si të gjithë mitet edhe ky mit i prurë nga McLuhan ndjeshëm gjen lidhje. “Alfabeti nënkupton fuqi dhe autoritet dhe kontroll të strukturave ushtarake në distancë” (McLuhan, 1964:90). Por më tej sipas këtij akademiku, ‘kur këto gërma u kombinuan me papiruset, alfabeti shqiptoi fundin e burokracisë së tempujve dhe mopoleve të njohurive dhe fuqisë së priftërinjve”. Ajo kohë mitesh të tilla duhet lexuar e tillë në sintaksën e shtruar të McLuhan. Por në situatën e krijimtarisë shqiptare, ‘alfabeti’ i sotëm duhet parë si një domosdoshmëri për të këputur lidhjet e errëta që pengojnë fuqinë e krijuesit, madje është koha që të thuhet me gojën e letrave fuqishëm për fundin e lakut mbi krijuesin. Hapësira duhet shfrytëzuar. Duhet ndjerë si hapësirë, pasi vetëm aty është fusha ku krijuesi i gjithë zhanreve gjen lirinë e penës së tij. Le të urojmë këtë fat, jashtë politikës dhe politikave, jashtë paragjykuesve dhe paragjykimeve. Le të shijojmë kohën e gjerë të literaturës, ‘mitit’ tonë të domosdoshëm dhe frymëzues në fushën e medias.

No comments: