Thursday, 18 September 2008

Në njërën dorë ‘telekomanduesen’, në tjetrën gotën e ‘birrës’




Fatmir Terziu

Tre gjëra ndodhën në javën që më shtyu mua të mendoj për të shkruar këtë ese. E para, gazeta që unë drejtoj pati një shkrim me një okelio që frymëzohej nga disa ndodhi që reduktonin rolin dhe punën e burrit, pra nën titullin “Burr ii reduktuar”, jo për fajin e tij, por për hir të shkencës dhe ligjeve të ‘kohës’, ku gratë pa burra, mund të krijojnë fëmijë pa nevojën e burrit. Pra fëmijën me epruvetë! Tjetra ishte një artikull i botuar në një gazetë shqiptare, ku gruaja kishte vrarë burrin e saj. Një titull që skërmonte dhëmbë, thika e duar femërore në gjak. Dhe së fundi isha duke parë në televizion disa komente që lidheshin me afrimin e siguracioneve të makinave nga një kompani britanike për gratë shofere të kujdesshme. Dhe e gjitha ndodhte, ndërsa ndodhesha në shtëpinë e një miku tim në Londër, duke parë emisionin humoristik në shqip “Portokallia”. Ku c’të shihja! Burri me pantallona të shkurtra mbante në njërën dorë telekomanduesen dhe në tjetrën gotën e birrës. Gruaja?!

Mënjanim i burrit?!

Në asnjë kohë të historisë, burri ka qenë kaq shumë i mënjanuar, dhe e ndodhura mëkaton vetveten. Ne asnjëherë s’kemi qenë në dilemë për qenien ‘burrë’, për rolin e tij. Sigurisht, shumë libra kanë ekzistuar se si duhet të jetë një femër, por me gishta për burra. Të paktën deri më sot.
Eseja është për të kuptuar se si ne jemi burra, në kuptimin e sotëm, apo më saktë si ndjehemi si burra. Kur jemi vetëm. Kur jemi me shokët tanë. Me gra. Me televizionin dhe heronjtë e filmave që i kanë ‘rrëmbyer’ burrit gjithshka që njeriu njeh dhe di.
Unë dëshiroj të bëjë të kristaltë qartësinë se kjo ese nuk është një udhëzues, nuk është as edhe një burim debatesh me mendime të kundërta: askush prej nesh do të lexojë këtë dhe nuk do të mendojë të hedhë dy rrjeshta në letër.

Burra dhe gra

Ne, burrat, e dimë atë se jemi shumë ndryshe nga gratë dhe po aq dihet se gratë janë ndryshe nga ne. Por unë nuk mendoj se ne jemi nga planete të ndryshme, nga planete të tjera. Unë nga gazetat shqiptare, më së shumti nga disa televizione dhe nga disa politikanë e krijues, kam nënvizuar se ne jemi nga ‘galaktika të ndryshme’.
Shkencëtarët kanë kohë që kanë zbuluar se midis këtyre krijesave njerëzore të seksit të kundërt ka 78 diferenca gjenetike. Për herë të parë në histori janë zbuluar dhe publikuar detalet e këtyre diferencave. Puna është bazuar në një kërkim intensive të fushës përkatëse mediatike, dhe mjaft gabimeve të bëra në këto përcaktime. Ja ku janë disa nga këto 78 gjene.

Duke pretenduar ‘falje’ për gratë

Rreth 17 872 burra thonë se janë gati ti thonë ‘më fal’ gruas. Por ‘më fal’ e tyre nuk ka ndonjë ide reale. Por vetëm duke qenë burra të kulturuar ata janë në këtë ‘më fal’. Këtu është një mënyrë shqiptare për të thënë ‘më fal’. Dhe mënyra shqiptare është pikturuar me kohë nga mjeshtrat shqiptarë të penelatave. Artistikisht femra apo gruaja shqiptare ka zënë figurën e saj në historinë shqiptare, por në historinë e burrit, madje edhe të vetë atij që e penelaton, zor se ka fituar rëndësinë e vërtetë ‘më fal’.
Kolë Idromeno ka pikturuar një ngjashmëri të përafërt, por është lexuar ndryshe. Nexhmedin Zajmi e ka kryer artistikisht këtë. Roland Gjoza në një nga tregimet e tij përafron një realitet. Zija Cela dhe Luljeta Lleshanaku, thuajse kanë sjellë një medium. Por më shumë se cdokush në këtë mesele të ngatërruar është vetë ‘misioni’ më fal i kërkuar në aspektin njerëzor, humano-qenësor. Është kërkesa për ‘më fal’ edhe pse pakkush e ka idenë e përse duhet ‘më fal’ në ndonjë rast të tillë.

Poezia si shtysë

Që hershëm në poezinë shqiptare, aspekti burrë-grua është ndërtuar në sinteza të ndryshme. Poeti Andon Zako Cajupi, në poezinë e tij të ndaluar në kohën e komunizmit në Shqipëri e ka përshkruar këtë si një shtysë ‘burrërore’ që lidhet me fatin dialektik dhe natyror të të qenit njeri në lidhjet me femrën. Në poezinë “Elegji në pleqëri për të shkretën djalëri”, ‘kandari’ i tij është një arsye më shumë në këtë shtysë. Më pas, Fatos Arapi, në “Alarme të përgjakura” mbolli idealin e kohës, duke e barazuar femrën në fushën e luftës, betejës me cdo gjë që shënohet për të, nën sedrën e moralit, respektit apo ideologjisë:

“Margarité, moj.
Motra ime, rnoj.
Shoqja ime,
moj…”


Një nga poetët shqiptarë, Maks Velo e gjen në mënyrë tjetër këtë diagramë metafizike. Ai në një nga poezitë e tij, “Poetes”, shprehet duke i kënduar poetes femër:

“Grua nudo
shtrirë diagonalisht
mbi qilimin
letrar-poetik.
Bukën jete
e shijon
me verë fjalësh…”


Në vëzhgimin detajues, këto poezi të krijuara nga burrat kanë gjuhën e tyre. Në poezitë e krijuara nga femrat poete, një grimë tjetër afrohet dhe ne natyrshëm marim drejtqëndrim për rolin e elementit femëror në bashkëjetesën tonë. Mimoza Ahmeti në poezinë e saj “Mama dhe bijtë” sfidon prezencën e mashkullit, madje e injoron atë, duke përdorur heshtjen dhe folur për atë që në thelb ajo duhet ta shprehë:

“Jane te virgjer, mama, te perdalet e tu,
jane te virgjer,
lakuriq te pambrojtur, me gjithcka te fituar me
dhembe.

Mos i shaj, mama, se ben faj. Mos i truaj.
Te kane dashur, mama, te kane dashur.
I duaj. (Kurre prindi nuk mund te
mberrije dashurine efemijes.)

Kthehu, ece ne vete, mama,
mos qaj me.
Jane te fundit vjete te tute, ne
kete femijeri te dyte
mund te ngrohe pak dielli,
po t'i teresh syte.
Fshiji lotet, mama, jemi dermuar,
te buzeqeshesh pak, kjo eshte buke per ne.

O femija im i deshperuar,
mekati me i madh i perendise mbi dhe…”

Kështu duke gërmuar më tej në hapësirën pafund të poetikës shqiptare, e rrëndësishmja që duhet theksuar është se sot ‘menaxherët’ e rrinj janë të ngjizur me kohën, ndaj dhe koha ka krijuar tendeca të reja komunikimi në mes kësaj bashkëjetese. E thënë më hapur. Nëse ne do të rikrijonim filmin “Kapedani”, natyrshëm duhet të kishim edhe një ekip ‘politik’ që ai do ta drejtonte. Gjasat janë se më shumë do të ishin nga politika e sotme shqiptare. Por, pa mënjanuar edhe krijuesit, sidomos krijuesit jolexues.

No comments: