Thursday, 11 September 2008

Zgjohen ... “Gjumashët e Efesit”




Albert Zholi


INTERVISTA/Moikom Zeqo: Unë e konsideroj veprën në prozë më ambicioze dhe kam ndërtuar një tendencë të kaherëshme

Shkrimtari dhe poeti Moikom Zeqo ka nxjerrë këto ditë në treg librin me tregime “Gjumashët e Efesit”. Ky libër vjen fill pas korpusit të suksesshëm voluminoz me poezi “Miscelanea”. Në këtë libër vihet re një pëpjekje tepër serioze e autorit për të sjellë një lloj të ri të të shkruarit të tregimit të shkurtër. Kjo risi tregohet jo vetëm në mënyrën e të shkruarit, stilin, metaforën, por edhe në subjektin, ku është bazuar autori, kryesisht tek mitet, ato që japin magjinë e kureshtjes dhe enigmën e nxitjes për të lexuar. Në librat e fundit Moikom Zeqo shfaqet në dy përmasa, atë të të shkruarit në mënyrë të tjetërllojtë dhe të një risie në artin kohor të të shkruarit shqip. Eshtë një tendencë moderniste paksa e përhapur tek shkrimtarët latinoamerikanë, por sidomos spikat tek Bergesi, Donillo Kish dhe Umberto Eko, por në një mënyrë tjetër konceptuale në përputhje me ngjarjet, problemet, shqetësimet e vendit ku jeton.
Z Moikom, ju këto ditë keni nxjerrë një libër interesant “Gjumashët e Efesit”. Një libër me tregime. Pra fill pas vëllimit poetik voluminoz “Miscelanea”. Ç’përfaqëson në vetvete ky libër me tregime?

Unë e konsideroj veprën time në prozë më ambicioze dhe kam ndërtuar një tendencë të kaherëshme.Titulli “Gjumashët e Efesit” ka të bëjë me thelbin e një tregimi që mbështetet mbi një mit të vjetër që dokumentohet që në shekullin e dytë në periudhën e perandorit romak. Sipas këtij miti, 7 djelmosha të rinj që ishin të krishterë të atëhershëm, gjatë një persekutimi nga perandori pagan romak Deci shkojnë për të shpëtuar në atë shpellë dhe mbyllen në atë shpellë dhe flejnë 309 vjet. Pasi zgjohen pas 309 vjetësh shikojnë që bota ka ndryshuar dhe ky motiv tregon se si njerëzit që kanë një bindje humaniste nuk janë të vdekshëm, por mundet që ideali i tyre humanist dhe ideali letrar i vetë shkrimtarit mund të mbijetojë. Në të vërtetë ky tregim ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve të botës, përmendet dhe në Kuran pikërisht “Shpella e të fjeturve” ose “Eshtrat e gjumashëve” në qytetin e famshëm e Efesit që është në Azinë e Vogël. Në Xhaminë e Mbretit në Berat një pjesë e kësaj pikture (afresku) flet për gjumashët e Efesit është fiksuar në kaligrafitë e mrekullueshme dhe është rast unikal, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Gjeografia e këtij miti është në të gjithë Europën deri në Britani, është shumë i fortë në Francë është i përhapur edhe në vende të ndryshme.Unë kam bërë edhe një tregim tjetër që e alternoj këtë tregim, që titullohet “Prifti i Surukut”, i cili është një person që ka jetuar në Mesjetë dhe ka pas bërë shënime të ndryshme dhe veprime alegorike për “Gjumashët e Efesit”, të cilët i citon edhe një historian i madh, i cili është Giboni me librat e tij si “Fati dhe rënia e Perandorisë Romake”. Qëllimi im ka qenë që të krijoj një tregim prej metafore dhe njëkohësisht logjik dhe realist. Për të treguar që gjërat e rëndësishme, mesazhet e mëdha humanistike, janë të pavdekëshme, ashtu siç është edhe vetë misioni i letërsisë që është i pavdekshëm. Për momente të caktuara duket sikur ajo fle, por përgjithësisht ajo zgjohet. Në një farë kuptimi ringjallen “Gjumashët e Efesit” në shpirtërat e njerëzve. Ringjallen në të gjitha kohërat. Gjumashët e Efesit mund të jenë edhe lexuesit e ardhshëm që vijnë, që duket sikur janë në gjumë sot, për të kuptuar letërsinë, e cila duket një hije dhe nuk ka lexueshmërinë e duhur dhe epokën e vet. Ky ka qenë motivi që e emërton librin.
Sa tregime përmbledh ky libër?Libri është një koleksion prej afro 80 tregimesh kryesisht janë tregime të shkurtëra. Janë tregime me një stil epigramatik, me një stil alegorik, me një stil ku mistikja kthehet në një instrument vlerësimi dhe iluminizmi. Janë shumë tregime që lidhen me figura mistike të kohërave të ndryshme. Janë disa tregime që unë i kam pas përmbledhur edhe në librin tim “Syri i tretë” që është një nga librat e mi të rëndësishëm, ku flas për Naim Frashërin dhe figurat e dervishëve mistikë apo të shenjëtorëve të herëshëm të krishtërimit, apo me figura të tjera të ndryshme të historisë së botës, të cilët alternohen. Ka motive që nga Homeri, Platoni. Motive të ndryshme që lidhen me botën e sotme. Flitet për një sekt, që është sekti i realianëve. Realianët kanë një sekt të ditëve tona në Francë që është shumë i zhvilluar, ku një person takon jashtëtokësorët dhe krijon një lloj feje të jashtëtokësorëve në planetin tonë. Këto janë të shkruara me ironi. Ose një tregim flet për një person, i cili ka ngritur një Ambasadë të Hënës dhe fillon e shet tokat dhe pronat e Hënës tek tokësorët. Ky fakt nuk është i shpikur, por është real, i cili ka dalë në kronika gazetareske. Në këto faktorë që duken absurde janë produkt i realitetit dhe unë jam munduar të gjejë tek ato, atë që është më e çuditëshmja dhe t’i harmonizoj me idetë zhvilluese të librave të mi. Libri është i shkruar me një prozë, e cila nuk e synon karakterin linear të zhvillimit të subjektit. Subjektet janë, por të shkruar në mënyrë lakonike ka një fantazmagori të brendshme të fjalëve dhe të kuptimeve, ku stili është tepër i qartë gati magmatik dhe matematik në renditjen e fjalëve. Kurse ironia qëndron e brendshme për të tregur që mjetet e shprehjes të fjalëve janë të pafundëme. Shkrimtari është mjeshtri i vendosjes së unitetit të fjalëve në kozmos dhe në jetën njerëzore, këto janë një nga sekretet më të mëdha të letërsisë konceptuale. Koleksioni i prozave është përzgjedhur sipas një synimi të përcaktuar. Këto proza unë i kam quajtuar kallzime mistike. Fjala shqip kallzime, vjen nga fjala kallza që ka bima. Kallza më duket një fjalë më e bukur se fjala tregim, që lidhet me tregun, d.m.th nxjerr në treg. Pse i kam quajtur mistike? Këto kallzime kanë tema dhe subjekte të lindjes dhe perëndimit, pra janë të lira në hapësirë, ato janë në kohëra të ndryshme dhe sipas konceptit të kohës letrare, shpesh një ngjarje të së arshmes unë e zhvendos në të kaluarën, ose një personazh të mesjetës e bëj te jetojë në epokën e kozmosit. Këto kallzime janë larg eurocentrizmit, kanë një lloj globalizmi të kulturave dhe qytetërimeve. Natyrisht, që mistika është një ind i madh i letërsisë së madhe. Mistika është një mekanizëm onirik. Mistika për mua nuk është një botëkuptim, as doktrinë. Mistika për mua është një metaforë e pakufishme, ose një palimpsest metaforash. Prandaj unë e kam instrumentalizuar mistiken në një status letrar. Kallzimet janë të ndryshme, por kanë një substancë që i bashkon dhe përafërson. Shpresoj që lexuesi të më kuptojë, libri im është një grishje e veçantë për kuptimshëri të lartë. Ju folët për letërsinë konceptuale. Çfarë keni parasysh me këtë lloj letërsie?Në përgjithësi letërsia konceptuale është e rrallë dhe e vështirë dhe mjeshtri që ndryshoi letërsinë botërore dhe me të drejtë është pikë reference e pashmangëshme, është Borgesi. Një shkrimtar i madh Danillo Kish ka thënë që letërsia botërore ndahet në letërsinë para Borgesit dhe në letërsinë pas Borgesit. Ky përcaktim duket aq i skajshëm, por duhet kuptuar personaliteti real i këtij përcaktimi, sepse letërsia shtrihet në të gjithë planetin, ku përfshin emra nga më të mëdhenjtë. Por edhe ajo kërkon zhvillime të brendshme, ndryshime konceptuale të brendshme. Letërsia konceptuale është e vetmja që mund të ketë një tendencë më globale sot në botë. Sot letërsia e shekullit 21 ka një dendencë borgeziane, kjo duket shumë në shumë shkrimtarë. Elementi i parë i veçantë i këtij libri është se ju i përmbaheni miteve, përse keni menduar që t’i dhuroni lexuesit shqiptar mitet në këtë kohë moderne?

Mitet në strukturën e tyre e kanë pjellë letërsinë. Struktura e mitit ka edhe rrëfimin, por ka edhe alegorinë dhe siombolikën. Vetë Homeri letërsinë e tij e ka ndërthurur me mite.Vetë shkrimtarët e mëdhenj grekë sidomos Eskili, Euripidi, Aristofani, Sofokliu (që janë nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjithë kohërave) kanë vendosur një ekuilibër shumë delikat dhe shumë të logjikshëm për mitin. Shkrimtarët e mëdhenj modern të shekullit të 20-të, kanë menduar që kalimi nga e pabesueshmja e mitit, ose tek ajo që quhet realizmi magjik ka qenë një triumf i konceptit të një industrie të re. Në fakt Eskili dhe të tjerë kanë qenë më të saktë në ekuilibrin logjik midis mitit dhe realitetit. Këtu është edhe sekreti i letërsisë së madhe në raport me mitet. Mitet janë reale dhe ne jetojmë në një proces mitizues edhe në kohën e sotëme. Me të drejtë Roland Bart në një libër të tij botuar në vitin 1958, thotë se mekanizmi i mitizimit është funksionale edhe sot. Krahas motiveve të pavdekëshme që janë të vërteta, ka edhe mite të rreme. Edhe sot mekanizmi i mediave fabrikon mite Vip-ash të rremë, politikanësh që nuk janë politikanë, por që kanë poste, ose miti i parasë që është më i fuqishmi. Paraja zëvendëson monoteizëm ideologjik, një monoteizmin materialist, tepër sundues dhe është forma për të treguar tjetërsimin e njeriut, sepse është sendi që sundon njeriun dhe nuk është njeriu që sundon sendin. Kjo tregon se mitet janë reale dhe të pushtetshëm.


box
Risi në tregimin shqip

Të shkruarit nuk mund të jenë të ndarë vetëm në atë të poezisë dhe të prozës. I shkruari është konceptual. Që në vitet ‘70-të, të shekullit të kaluar me poezitë që kam shkruar ndryshe nga poezitë shqipe, (poezi të cilët u botuan edhe në Amerikë dhe patën sukses të veçantë), gjithmonë e kam pasur për famë të një konceptualiteti të ndryshëm të të shkruarit. Ky është thelbi që ka të bëjë me formimin tim dhe ndoshta me aftësitë perceptuese. Mendoj se tregime të shkurtëra janë prova më e madhe për një shkrimtar. Është një provë shumë më e rëndë dhe sfiduese se sa proza e gjatë. Tregimi nuk pranon zgjatje të tepërt dhe duhet të jetë i realizuar. Duhet që të ketë një finalizim të brendshëm. Kjo kërkon një sintezë dhe një mjeshtëri të pazakotë. Këto tregime nuk janë thjeshtë të bazuara mbi mite sepse një pjesë e madhe e miteve lidhet me epokën dixhitale, ku aty është një tregim që quhet “Njerëzimi virtual” dhe flitet për dy lezbike amerikane. Flitet edhe për klonimin njerëzor. Këto nuk janë mite të shpikura nga unë, por janë motive të rënda të jetës. Ka probleme që kanë të bëjë me probleme ekologjike, politike të njerëzimit, ku qëndron e ardhmja e këtij njerëzimi. Kjo e ardhme do të jetë një apokalips ekologjik. Dhe motivi i të gjithë kohërave që ka letërsia, është njeriu. Letërsia është një dukuri intelektuale, është një nga shpikjet më të mëdha të intelegjencë njerëzore të të gjithë kohërave, për të bërë që njeriu të realizohet si njeri. Njeriu real të kthehet në një njeri që në letërsi është i pavdekëshëm. Është njeriu që ka humanizmin si filozofi më të madhe se sa të gjithë doktrinat filozofike që zotërojnë.
Mungesa e përkthyesveGjuha shqipe është një gjuhë madhështore në vetvete. Është një gjuhë që ka mundësi të pakufijshme të shprehjes. Por duke qenë një pemë e vetmuar në gjuhët evropiane e ka shumë të vështirë që të jetë e njohur. Nuk ka përkthyes. Përkthyesit mund të njohin gjuhën që përkthejnë, por nuk njohin mirë gjuhën shqipe. Përkthyesit e mirëfilltë shqiptar thujase nuk ekzistojnë. Mund të përmendet vetëm rasti unikal i Isuf Vrionit, i cili ishte një përkthyes gjenial na gëzon, por nuk na ngushëllon sepse të tillë nuk ka më. Edhe ky problem do të jetë vazhdimisht në letërsinë shqipe.

Shteti duhet të ketë një interes më të madh për përkthimet. Ne jemi i vetmi vend që nuk kemi një Fakultet që të licensohen përkthyes. Duhet të njihen me licencë që janë përkthyes të një dy apo tre gjuhëve dhe që përgatiten. Ka shumë përkthime që bëhen sot. Këto janë përkthime mediokre dhe shumë kryevepra të botës janë përkthyer në mënyrë të mjerueshme në gjuhën shqipe. Por nuk është vetëm përkthimi nga gjuhët e huaja në gjuhët shqipe, sepse ky është një problem më i lehtë për t’u zgjedhur. Problemi është nga shqipja në gjuhët e tjera botërore dhe në gjuhën më të madhe të botës që është anglishtja, spanjishtja, frengjishtja, gjermanishtja dhe gjuhë të tjera.

Pjesa kryesore e këtij rinovimi të letërsisë do të ishte forca konceptuale më shumë se sa lojërat e formës. Pra përkthimi në gjuhët e huaja e ka lënë letërsinë shqipe në hije, pa i dhënë vlerat që i takojnë.
Pra nuk ekzistojnë përkthyes të licencuar, nuk ekziston një lidhje shkrimtarësh të organizuar, shteti nuk ka një strategji për letërsinë shqipe. E ardhmja e letërsisë shqipe në këto momente duket më e zymtë?

Këto organizma që përmendët nuk janë shumë vendimtarë, janë dytësorë. Shkrimtarët nuk janë shumë pjesë të organizimit. Shkrimtarët e vërtetë janë të vetmuar. Puna krijuese ka një proces vetmimi, por nuk është e vetmuar leximi i veprës. Duhet të ketë lexues të vërtetë. Rënia e lexuesve tek ne çon në teorinë që thuhet “vdekja e librit”. Kjo është fatale. Por një letërsi e re do të edukonte lexues të rinj. Kur lexuesi edukohet me një formë tjetër të shkruari, krijon disa mekanizma vlerësuese dhe për letërsinë paraardhëse dhe për letërsinë që ai që lexon. Është një proces i dyfishtë i shkrimtarit të mirë dhe i lexuesit të mirë. Lexuesi është seleksionues. Procesi i seleksionimit është një proces estetik i mirëfilltë. Është lexuesi ai që gjykon mbi vlerësimin e shkrimtarit. Po është shkrimtari që duhet të paraprijë. Shkrimtari dhe lexuesi janë një qënie e dyfishtë amfibe. Kjo qënie është një shpikje mendore dhe fizike e mrekullueshme e njerëzimit. Letërsia e ka këtë atribut të ndërthyrjes dhe bashkëjetesës deri në infinit. Niveli konceptual i një letërsie është dhe niveli intelektual i lexuesit të saj. Në këtë kupim bashkëpunimi është gati një institucion. Falenderoj me gjithë zemër Mira Meksin që përzgjodhi dhe përgatiti me shije dhe inteligjencë librin “Gjumashët e Efesit” si dhe botuesin e njohur Gëzim Tafa për botimin kaq cilësor të këtij libri tim të jetës.
Ky botim do të vazhdohet me ndonjë botim tjetër të këtij lloj tregimi që tashmë ka hyrë si një risi?

Unë kam gati librin e dytë me tregime, i cili quhet “Adami i fshehur”, i cili është pjesa e dytë i këtij korpusi. Pjesa dërmuese ka mite, motive ekstravagante të realitetit të sotëm, motive që lidhen me të ardhmen.

No comments: