Ndue Ukaj
Shkronjat si gurë zbresin
Në alfabetin me figura të pakuptimta
Fragmenti i jetës sime kthen në udhëkryq
Sikur nëpër ëndrra të çmendura
E nuhat ikjen deri në skëterrë
Alfabeti im
E zgjatë rritën prej poezi
Duke i zgjeruar pasionet deri në qiell
Dhe zanoret e afshit që shpërthejnë
Mbi sytë e mijë
Pezmi i shkronjave të gurta,
Prish gjumin e kufijve
Në universin e kohës pa poezi
Si leckaman metropoleve të botës
Kërkoj këshilla nga poetë
Të kuptoj fjalën prej guri
Si i trazon mendimet abstrakte
Unë jam hapi im dhe rruga deri tek atdheu i poezisë
Në rrugën që prehet pas çdo ecje
Nga injorantë që vallëzojnë me zhurmën
Maratona e poezisë nëpër shpirtra të dergjur
Shumëzon ujin, tamam si Krisht
Arti i dashurisë
Nata po bie shpirtushka ime,
Sythi yt i etur për puthje të ëmbla
Zgjat afshin deri në qiell
Fli e qetë në lumin e dashurisë,
Dimri ka zhveshur rrobat e rënda,
Është pranverë e nxehtë –
Nuk mërdhihesh si e ke zakon
Nudo pranvera dhe trupi yt
Më le të puth shumë
Të çmendem në hijen e prushit
Mos u merakos engjullushka ime
Unë bëjë gjumë në gjoksin tënd qumështor
Dhe loja luhet me ritmet e njëjta
Dora ime në të qarat tua
Ëmbëlsisht përhumbet
Dymijë pash në kohë
Pëllumbesha ime
*
Lumenjtë e marrëzisë kanë dal nga shtrati,
Lumturia e pangushëllueshme e ylli vetmitar
Bëjnë udhë me afshin tim.
Të kesh për kujtim pranverën,
Dimri vjen shpejt dhe vesh rrobat e mërzitshme,
Neruda thoshte se dashuria e tij për gruan ka dy jetë,
Prandaj e donte edhe kur se donte...
Ti mërzitesh me këto frazeologji.
Ora e kësaj poezie është përpjekur,
Çuditërisht trishtimi dhe estetika e artit Bodlerian
Zbresin me nuanca të makthit mbi penën time
Më duhet të zhytëm nëpër labirinte misteresh
Kopertinat e këtij libri janë të djegura,
Nuk shkruhet dashuria në poezi.
E pamundshme të futen brenda librit një oqean ndjenjash,
Kurrën e kurrës të njëjta gjithmonë të reja,
Se duron dot pëlcet si tërmet
Mbledh emocionet e shkapërderdhura,
T’i burgos me vargje
Frikohem mos trazohen metaforat
Të gozhduara me fjalë.
Sa e vështirë mi gozhdue ndjenjat me shkronja të rënda.
Kësaj disi i thonë e pamundshme.
Në atdheun e bukurisë thithë bojë pena ime.
Dhe sikurse në një ëndërr me çudira erotike
Më duhet doemos më duhet të kaloj nëpër shtratin e Helenes,
Të kuptoj pse u bë shkaktare për tragjedinë antike,
Dhe shpikjen Homerit,
Gjithsesi më duhet të mësoj si eci Serembe nëpër dete e oqeane
Me shputat e tij të vogla, e shëndetin e ligë,
Të shpëtoj një çikë dashuri.
Poezia
Kur të mbushet shpirti helm
Kur të përdhosen trutë
Kur t’i kafshojnë ndjenjat,
Ëndrrat kur t’i vjedhin
Kur mendimin ta vrasin mu në ballë
Kur s’ke me kënd të çelësh gojën
Të cakërrosh ndonjë gotë uiski
Në botën që ec me erën
T'i shtrydhësh koqet mbushur me spermë
Poezia është terapi
Mos klith
Mos derdh lot
Mos shkruaj elegji e balada mbytëse
Vargje pikëllimesh trishtimesh largo
Mos e përul synimin,
Shiko poezinë mu në ballë
Ushqehu kur të mungon buka
Kripa dashuria e shkrimi
Mos vajto vetminë asnjëherë
Edhe kur të përbuzin
Të shajnë e të gozhdojnë në kryq
Të shpallin çmendurak
Të anatemojnë
Dashurinë ta përdhosin
Poezia është shpëtim
Klithmë e ëmbël me gëzim
Përralla e moçme
Nga të vërtetat dalin rrenat si buburreca
Ndërsa këmbët tona nga turbulenca e mendimeve
Humbasin drejtpeshimin
Në kozmosin e fjalës e tundin pendimin
Një përrallë e moçme s’ u tregua me shekuj
Pastaj për të njëjtën u bënë beteja të çmendura
Plotë vite u rropat dora jonë prej hijesh,
Si flamur disfatash e arenë takimesh
Të gjejë gjurmët e vërtetës në ngrehinat prej lotësh
Trotuareve të akullta ku këmbët rrëshqisnin tmerrshëm
Ecën injorantët të vërsulur pas tempullit të marrinave
E mjerë ne për përrallën e moçme
No comments:
Post a Comment