Monday, 1 September 2008

Kronikë e Kalvarit të malësorëve



Fran Camaj është lindur në vitin 1949 në Spijë, Malësi e Madhe. ka mbaruar fakultetin për gjuhën shqipe dhe vite me radhë është i angazhuar si drejtues i programeve në gjuhën shqipe në Radio- Televizionin e Malit të Zi. Deri tash ka botuar veprat: "Rruga e pamëshirshme", roman (2004), "Dashuri e dhunuar", roman (2006), "Kohët flasin", përmbledhje punimesh publicistike (2007) dhe "Mëshira e pamëshirshme", roman (2008).


Anton Gojçaj


Fran Camaj ndër shqiptarët e Malit të Zi qe disa decenie njihet si arsimtar i mirë, pastaj si gazetar dhe redaktor i programeve në gjuhën shqipe në radio-televizionin e Malit të Zi. Veprën e parë letrare, romanin "Rruga e pamëshirshme", e publikoi në vitin 2004.
Me romanin "Mëshira e pamëshirshme" Fran Camaj rrumbullakëson trilogjinë romanore që filloi me veprën "Rruga e pamëshirshme" dhe vazhdon me "Dashuri e dhunuar". Kjo trilogji kohësisht mbulon pothuaj krejt shekullin XX, që nga luftërat ballkanike e deri në luftën e fundit në këtë rajon. Më tej, disa nga personazhet e "Mëshirës së pamëshirshme" janë po ata të "Rrugës së pamëshirshme", por natyrisht në kohën e pastajme, çka flet se ky roman është një vazhdim i natyrshëm i ngjarjeve të romanit të parë, gati si pjesa e dytë e tij, por që edhe si i mëvetësishëm është i realizuar mirë, i plotë dhe i vetëmjaftueshëm.
Mund të thuhet pa hezitim se "Mëshira e pamëshirshme" një konstruksion ky sa paradoksal (një lloj oksimoroni) aq edhe ironik në vetvete, shënon avancime të shumanshme stilore të autorit, qoftë në narracion, qoftë në dialogët e personazheve, në përshkrime etj.
Ngjarjet zhvillohen në Malësi, në Kosovë dhe në SHBA. Ato kanë lidhshmëri me njëra-tjetrën dhe prodhojnë një rrjetë unike kuptimore. Kohësisht ngjarjet e këtij romani zhvillohen në dy deceniet e fundit të shekullit XX.
Kisha thënë se Fran Camaj bën jo pak për të avancuar anën formale të shkrimit, pra ai përdor narracionin, përshkrimet, dialogët, letrat, emailet etj., por gjithmonë duke hulumtuar, duke përmirësuar stilin dhe duke fituar në siguri.
Stilemat e kësaj vepre janë realiste, por që nganjëherë gati kalojnë në natyralizëm. Forma në veprat e Camajt në përgjithësi, por edhe në këtë roman, është nën hijen e përmbajtjes. Sepse përmbajtja është shumë e pasur, me një tension që komandon edhe tempon e leximit.
Politika është njëra ndër temat kryesore të "Mëshirës së pamëshirshme", përkatësisht fatet e malësorëve që ndikohen nga politikat e caktuara që vazhdimisht janë shtypëse ndaj tyre.
Ky lloj i krijimtarisë paraqet një tip të letërsisë së angazhuar. Me vetëdije e angazhuar, sepse autori e shkruan me qëllim që të dëshmojë për ato që kanë mundur të ngjajnë, në kornizat e një kohë-hapësire, jo si formë e hakmarrjes por si përmendore kundër harresës dhe njëkohësisht si vërejtje për ato që mund të përsëriten edhe në të ardhmen.
Në aspektin zhanror, romani është i ndërlikuar, sepse ka elemente të romanit politik, të atij social, psikologjik, të trilerit (sidomos skenat me personazhet misterioze me syze që askush s'i njeh, ata me emrat e shifruar X, Y, shoqëruesi i parë, shoqëruesi i dytë).
Megjithëse libri rrezaton me një dashuri të madhe dhe të pafund për Malësinë dhe popullin që e banon, këndshikimi është kritik, pra jo glorifikues, por shumë, shumë kritik në përshkrimin e ngjarjeve, në zbërthimin e karaktereve, në arsyetimin e veprimeve të caktuara të personazheve.
Metoda e shkrimit është pa dyshim realiste, por kjo nuk pengon që aty të paraqiten edhe disa kafshë jo krejtësisht realiste, si p.sh. dhelpra e zezë me bisht të larmë, (që madje me një rast del e veshur me gëzof të qengjit), një kafshë alegorike me ngarkesë kuptimore të posaçme. Një specie tjetër edhe më e çuditshme që del nga laboratori krijues i Fran Camajt janë disa zogj të shqiponjës që sikur përjetuan një mutacion të çuditshëm gjenetik, një metamorfozë që rezultoi me një krijesë shumë të çuditshme:

" Në vend të sqepit kishin gojë si të qenit, krahët u ishin shndërruar në gjymtyrë të para, që nuk dukeshin as si këmbë as si duar, por diçka në mes, kurse në vend të puplave kishin qime si të dhelprës, por të zeza dhe pak më të rralla. Për çudi, këmbët dukeshin si të njeriut, me kthetra si të fajkoit. Kishin edhe sy e veshë si të hutit. barkun e bythën i kishin të mëdha në proporcion me trupin e përgjithshëm, ndërsa bishtin cubel. Këso krijese nuk ke parë kurrë, biri im!" (f. 273) .

Gjuha e romanit është e rrjedhshme, e dëlirë, e pastër shqipe. Narratori rrëfen në gjuhën standarde, por disa nga personazhet flasin në të folmen (idiomin) e Malësisë - asaj këndej kufirit. Me këtë formë të karakterizimit të disa personazheve autori arrin të pasurojë veprën në fjalë edhe me vlera të çmueshme gjuhësore. E folmja e Malësisë është e dhënë me saktësi dhe përkujdesje prej një eksperti dhe mund të shërbejë mjaft mirë edhe për hulumtime krahasuese në fushën e gjuhësisë.
Fran Camaj në studion e vet prej krijuesi i bën një analizë të gjithanshme Malësisë së shekullit XX, pra i bën psikogramin, EKG-në, analizën e gjakut e të urinës, dhe del me përfundimin se Malësia vazhdimisht dhe pa kohë për çlodhje lufton për ekzistencë, se ajo po boshatiset, po rrjedhë përjashta, e sulmuar jo nga viruset, por nga një dhelpër e zezë me bisht të larmë, të cilën e ndihmojnë disa zogj të çoroditur me origjinë shqiponje, e cila, siç do të mund të konkludohej nga përfundimi simbolik i romanit, (kthimi i Palit pas 30 vitesh në vendlindje), mund të shërohet, ose të shpëtojë, vetëm me kthimin e një pjesë të atyre që kanë ikur.
Camaj, duke paraqitur Kalvarin e malësorëve në shekullin e dy X-ve, (romani fillon me largimin plot dramacitet të brendshëm të Palit nga Malësia për të shkuar në studime në Kosovë), dëshmon për krejt një epokë, madje në përmasa mbinacionale. Sepse Malësia ishte për një gjysmëshekulli pjesë e një akullnaje të madhe që quhej "vendet komuniste" dhe paraqiste një mikromjedis që pasqyronte mjaft mirë natyrën falso të parajsës aq të proklamuar marksiste-leniniste.
E kam pas thënë për librin "Rruga e pamëshirshme", e përsëris edhe tani, romanet e Fran Camajt, një kronikë letrare e historisë së malësorëve në shek. XX, do të duhej t'i lexojë çdo malësor dhe ato t'i ketë në bibliotekën e vet si dokument për breznitë që vijnë. Kjo vlen sidomos për ata që duan të dinë diçka më shumë për atë se si e përjetuan, brenda shpirtit, (matanë fjalëve), banorët e Malësisë shekullin XX.

No comments: