Fatmir Terziu
Tre fenomene gjejnë shtrat në poezinë e vëllimit poetik “Trëndafili që çelte në janar”. Tre fenomene poetike. Të tre kanë një burim. Tre fenomet që ushqehen tek rruga jetike e Kostaq Dukës, janë lindja, jeta dhe fundi i saj. Të tre këto pika kyçe të jetës në fakt hyjnë në poezinë e autorit dhe dalin në strukturën e saj si tipare të veçanta, si shtysa frymëzimi real. Nuk ka dyshim se ajo që i lidh të tre këto tipare apo fenomene është krijesa poetike, ose më saktë sipas Demos, “janë rravgimet e dashurisë të cilat nga libri në libër janë bërë një nyje e vetme e pashpleksur, e ngjitur nga një lloj mërzitie, e veshur me lirizëm”. Duka e riciklon dashurinë në një gjeografi të gjerë për t’u rikthyer në një tunel në fund të të cilit nuk duket fije drite. A nuk shkruan Emili Dikinson se ajo që dimë për dashurinë është vetëm kaq: “dashuria është gjithçka”. Në vargjet e Dukës njeriu del prej dashurisë më i paditur dhe më i dobët se kurrë. Aty krijohet pra ajo “Dalldisje” që sipas Dukës vjen në “heshtje…”, pa “asnjë fjalë”. Në këtë zbrazëtirë jete filozofia e jetës prodhon vdekjen, vdekjen anatomike të përkthyer në vlera artistike, në vlera letrare.
Materie e prekshme
Në këtë pikë ana poetike lëvrohet si një materie e prekshme, si një dritare jete. Në këtë dritare vargjet zgjojnë vlera:
“… Shqiptimi
do të kish damkosje,
për një ndjenjë mister, fisnike.
Pas çdo puthjeje
Gremisje
Në humbëtirën e viteve.
Pas çdo puthjeje
Rend të gjej adoleshentin kaçurrel
Marrosur pas një biondine.
Pas çdo puthjeje
E kuptoj sa larg jam prej jetës
Sa pranë i qëndroj ikjes, mosekzistencës”.
Dhe vlera nuk është thjesht tek renditja. Vlera gjendet tek burimi i shumëkuptimshëm i tyre, tek gjeografia e pashterur e mendimit dhe fizionomisë së fjalës poetike të Dukës. Në një rast tjetër të ngjashëm poezia “Dashuria me një moshë në Perëndim” sintetizon tërë lidhësinë trup-shpirt, duke sakatuar metamorfozat e padukshmërisë dhe privuar paduksinë, në mënyrë që fjala të dominojë mbi çdo gjë. Dhe këtu natyrshëm ‘dalldisja’ e fjalës poetike lëshohet si në një ujëvarë shpirtërore duke marë koloritin temperativ të njeriut në atmosferë të tillë.
“Trazova një zjarr
që ishte shfytyruar,
as kuq, as i zi.
Trazova një zjarr në vdekje.
Një zjarr që drithërohej në ankth shprese.
Trazova një zjarr në fikje,
Një zjarr që s’ishte zjarr,
Ishte tmerr, dhimbje…”
Antiteza, si armë shëndoshëse e vargut të Dukës, natyrshëm vjen këtu si një model.
Enumeracioni tipik i Dukës
Poezia “Mësuesit dhe ‘biznesmenët’”, ka një motiv të ngjashëm me poezinë “Ne të dy” të të lavdishmit Pol Elyar. Pikërisht ky motiv ngjashmërie nuk vjen si riskim vlerash, apo huazim, por si një enumeracion tipik i vërejtur në mjaft poezi të këtij autori. Enumeracioni, kjo figurë që shërben për të bërë përshkrime sa më të gjalla e më konkrete, plot fakte të larmishme nga realiteti, që numërohen njëri pas tjetrit, gjen këtë pikëlidhje në poezinë e Dukës:
“Ne “shesim” dije,
ata shesin mallra.
Ne numërojmë qindarka,
Ata thyejnë dollarë e marka.
Ne natën e vrasim në ëndrra,
Ata s’flejnë
Kokën e varin tavernave nëpër tavolina…”
Dhe natyrshëm në këtë hapësirë poetike ndeshet edhe shkallëzimi, që është një figurë që del nga enumeracioni. Në poezinë e Dukës hasim një organizi shkallë-shkallë, ku shprehet një veprim, mendim ose peisazh. Dhe natyrshëm shumica e fjalëve janë të afërta nga kuptimi, herë sinonime e herë antonime me kuptime antagoniste, por të përafruara logjikisht. Duke u lidhur në këtë mënyrë afrohen kuptimet e tyre. Kuptimi i fjalëve në poezinë e Dukës herë ka rrjedhë ngjitëse dhe herë zbritëse. Poezia “Çdo natë” ka një pamje reale. Këtu shifrat janë një argument numerik, por edhe një tis poetik i domosdoshëm për të siguruar vlerën e shkallëzimit.
Asonanca dhe fraza dominuese
Duke kredhur poezinë e Dukës, ndjeshëm gjendet edhe asonanca, pasi përsëritja e një zanoreje ose në disa raste e mjaft zanoreve të njëjta në varg e në frazë janë dominuese. Si një term që vjen nga latinishtja, ‘assonare’, këtu kuptohet qartë si një bashkëtingëllimë, pra një tingëllim i harmonishëm.
Urime autorit në këtë pikë dhe ndjeshëm mund të themi se këtu është vetë rruga e mbarë që flet qartë. Por në një aspekt më dedikues poezia e Dukës, në pak raste ka një dalje të vogël nga korniza reale. Kjo dalje sado e vogël, shpeshherë i jep ton prozatorik, fjaligjatë dhe sensin gazetaresk, si tek vargje të tilla: “një zjarr që drithërohej në ankth shprese”(Dashuri me një moshë në Perëndim, fq. 81); “ditën robëtohem e grindem me jetën”(Më jepni një shuplakë burri, fq. 91) etj. Me pak punë ajo shkon në vlerat kryesore që Duka ka prurë me “Trëndafili që çelte në janar”.
No comments:
Post a Comment