Tuesday, 16 September 2008

MOTIVET E DHIMBSHME TË IKJES SË PADËSHIRUAR

Anton Cefaj

-“Vjeshta në aeroporte”- poezi nga Luigj Çekaj

“Eh toka ime e shtrenjtë, vetën nga ti s’ka ikje”



Duket se kur teoricieni francez i kritikës së artit, Peltie, aq i pëlqyer prej poetit tonë të madh, Migjenit, shprehej se “…në art ligjet e psikologjia e luftës së klasave shfaqen po aq qartë sa edhe në fushat e tjera të ndërgjegjes shoqërore”, nuk mund ta parashikonte se si regjimi komunist në Shqipëri nuk do të priste “të shfaqeshin këto ligje” në artin tonë të realizmit socialist, por do t’i kultivonte ato përdhunshëm dhe në mënyrën më paradoksale, më të çuditshme e më të çoroditur. Dhe as Migjeni, poeti ynë i “kangëve të pakëndueme” nuk mund ta merrte me mend se sa “kangë të pakëndueme” do të mbeteshin në vendin tonë, mbas vendosjes së rendit shoqëror, të ngritur sipas yrnekut të “Diellit alegorik”.

Zbatimi absurd me një tendenciozitet fanatik dhe shtrembërimet e tejskajshme,që iu bënë, fatkeqësisht, këtij ligji në Shqipëri, e shfytyruan deri në çligjësim artin poetik dhe të gjitha llojet e arteve. Shfaqej ose nuk shfaqej ky “ligj” në veprën artistike, ai paraprakisht shmangte e mohonte prodhimin artistik të shumë shkrimtarëve e artistëve me pretekste qesharake “biografike”, duke mos pranuar krijimtarinë e atyre që, me vullnetin apo pa vullnetin e tyre, qëndronin në barrikadën kundërshtare të përleshjes klasore, të gjallë ose të vdekur të ishin. “Ndër shpikjet më të çmendura të këtij shekulli/ biografia/ alkimi e sjellë fshehtas nga Uralet larg”, do të shkruaj poeti Luigj Çekaj në vëllimin poetik, që po shqyrtojmë, botuar në Nju-Jork këtë vit.

Veç kësaj, “të shfaqurit e kësaj ligjësie” të artit kërkonte t’i thurje himne diktaturës, partisë, socializmit. Ky parim qe conditio sine qua non i realizmit socialist; përndryshe nuk pranoheshe në vandakun e shkrimtarëve e të artistëve. Mjaft poetë të talentuar u lajthitën dhe mjaft të tjerë “e kapërdinë këtë hap” dhe shkruan një poezi të shplarë e hipokrite, duke dëmtuar së tepërmi jo vetëm talentin e tyre, por, ajo çka është më e rendësishmja e të rëndësishmeve, duke dëmtuar edukimin estetik e patriotik të breznive të reja.

Indi poetik, siç dihet, është i endur me fijet e ndjenjave, çoroditja e të cilave në pëlhurën e artit duhet të jetë, mendoj, një nga çoroditjet më të çoroditura të vetëdijes artistike.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që edhe në këto rrethana nuk u bë art, ai art i vlertë që do t’i mbetet thesar kulturës kombëtare, mbasi të tëharret prej tij ideologjia partiake. Sepse ndodhi gjithsesi. Kur një poet të talentuar, që kishte shkruar vëllime poetike të bukura, por ku nuk mungonin poezi që himnizonin partinë dhe jetën e lulëzuar socialiste, dhe filloi të shkruaj lirshëm menjëherë mbas përmbysjes së diktaturës, e ngacmuan gjatë një interviste për këtë gjë, ai u përgjigj se poezitë në fjalë kishin qenë “bakshishi”që i duhej dhënë kamerierit për shërbimin që të bën. Por, e keqja është se paradokset nuk mbarojnë. Atyre që kishin “kleçka” në biografi, siç thuhej, jo pa një dozë ironie, nuk u pranohej as “bakshishi” ose duhej të ishte një “bakshish” tepër i rëndë, një “bakshish” që nuk i dhurohej kamerierit, por që i detyrohej sigurimit. Kjo qe tragjedia, kjo qe komedia. “Moj kasolle, ku na mblodhe!”, thotë populli.

Këtu po bej një parantezë, me që është e nevojshme të thuhet edhe kjo. Nuk qenë të paktë ata të rinj e të moshuar, që nuk u renditën në këtë hulli, edhe pse qenë të talentuar, por “e thyen penën”, siç është bërë zakon të thuhet në raste të tilla. Heshtën, u vetëmohuan. Në qytetin tim të lindjes, në Shkodër, kam njohur disa prej tyre, që nuk ia lejuan vetes të bëjnë vargje e vepra hipokrite e të dëmshme, duke shkruar kështu diç më me vlerë, më madhështore: poemën më të bukur të jetës, poemën e karakterit, që u lexohet në ballë, edhe pse nuk kanë vepra e tituj. Këta, së paku, nuk ndihmuan në formimin e “njeriut të ri”.

Të gjitha këto ma ngacmuan kujtesën, duke lexuar poezitë e bukura të Çekajt, i cili nuk iu nënshtrua “bakshisheve”, por priti me këmbëngulje e durim derisa u flakën tej e përtej absurditetet e paradokset e rendit që u përmbys, për të artikulluar me çiltërsi njerëzore e atdhetare zërin e tij poetik, duke qëndruar besnik i vetes:



“Udhë të mbarë, Zogu im! Aq sa mund të fluturosh së paku.

(Trafiku yt i kaltër, hapësirat i bëftë shoshë!)

Por derisa krah’t e tu të shterrin edhe pikëlzën e fundit të gjakut

Drejtimit të erës, mos i kërko lëmoshë!”

Kështu e ka shpallë poeti kredon e tij poetike në poezinë “Zogut tim”, f.19.

* * *

Të shumta janë motivet poetike të përmbledhjes me poezi të Çekajt, por, për t’ju qasur një shqyrtimi sa më të saktë, ato mund të përvijohen në tri hulli kryesore: atdheu i kërrusur nën peshën e rëndë të diktaturës, me vlerat shpirtërore e historike të tij, ikja e dhimbshme dhe e padëshiruar nga ai, që është më e gjera, dhe motivet e Nju-Jorkut e, në përgjithësi, të Amerikës.

Jeta e rëndë dhe e vështirë shpirtërore, me liri të mohuar, në një Atdhe mohues(që të mohon jo vetëm si poet e si artist, por edhe si qytetar), diktatura e krisur me një terror të pa parë e të pandërprerë, frika, përndjekjet, burgimet, internimet, varfëria përbëjnë një burim për objektin poetik të poezisë së Çekajt, shtjellimi i të cilit shquhet për konkretësinë e përvojës personale dhe të përgjithtë popullore dhe mjeshtërinë artistike të sendërtimit të tij:



“Me frikën e hedhur supeve

Si xhaketë të rendë plumbi,

I kaluam të gjitha mbrëmjet

Me lapsat që na dridheshin në duar, si gishtat e të internuarve,

I shkruam të gjitha këngët,

Kur “Mbi supet e mëhallës(qëndronte) arkivoli i autoburgut”

“Rini e frikshme”, f.12

Edhe pse pau gjyshin t’i pushkatohej dhe nënën t’i lidhnin prangat, edhe pse “ia lidhën zërin e i kryqëzuan emrin” dhe provoi gjithë vrazhdësinë kriminale të diktaturës, vargjet janë të çliruara nga urrejtja; ai nuk thërret në asnjë rast “Hakmarrje rini!”, por, duke dhënë skena të sakta nga jeta nën diktaturë, ai dëshmon me përbuzje dhe akuzon:



“Ne ishim gjahu, ju ndjekësit tanë, sherifët,

Jetuam si në filmat kaubojë!

Ata që s’provuan Teksasin e dëbimit,

Lidheshin me kalin e arresteve,

Trojë…

Ne ishim, ju ishit:

Tani folje zgjedhojmë,

Dhe qajmë e qeshim

.Dhe nuk harrojmë!

“Ne ishim, ju ishit”,f. 104



Duke “zgjedhuar foljet”, me njëfarë pëbuzje neveritëse, poeti gjithsesi kujton:



“Me mua të pangopur

Mbetën veç spiunët…!

Tani nëpër mitingje ata gishtat i mbajnë lart

Në shenjë të fitores mbi ne,

Jo se janë demokratë…!”

“Netët e rinisë”, f.18.



Rënia e komunizmit në Atdhe nuk qe thjeshtë një rënie diktature a një ndërrim i një sistemi shoqëror, por një përmbysje e ortekshme, një shëmbje e rrëmujshme, tronditëse, befasuese, një katrahurë që shkaktoi atë traumatizim të përgjithtë, marramendës, çekuilibrues, një lloj epidemie shpirtërore e panjohur, që zuri si një flamë e keqe popullin, një mori intelektualësh dhe vetë poetin.

Mbas një gjysmë shekulli të paarsyeshëm, asfiksues, robërues, depersonalizues, popullit i erdhi liria, një liri e pabesueshme. Ajo erdhi, kur ai i pati harruar edhe shijën, edhe tingullin, kur i qe fshirë nga kujtesa koncepti fisnik i saj, dhe ai nuk dinte si ta përdorte. Pikërisht në këtë gjendje të tallazitur shpirtërore, në këtë truall gjykimi të verbër, si një stihi kërcënuese u fanit ikja, braktisja e Atdheut. Si një shkoqje e dhimbshme dhe e përtejdhimbshme kraharori, së cilës më shumë në mënyrë të pavetëdijshme iu dorëzuan edhe “rriska” të vetëdijes kombëtare. Sa është e pabesueshme, aq është e vërtetë.

Kjo dukuri-braktisja e Atdheut- sa e ndërgjegjshme aq e nëndërgjegjshme- është mishëruar me një vërtetësi të çuditshme në poezinë e këtij vëllimi. Poeti është viktimë e ikjes. Për të, braktisja e Atdheut është tejet e dhimbshme dhe plotësisht e padëshirueshme:



“Unë jam gërmadhë

Rrënuar në termetin e ikjes”.

“Në Shkrel, te shtëpia e prindërve te mi”, f. 30.



“Pyes veten i tronditur:ç’do me thënë fjala Rinas?

Dhe ndjej se si në mua rënkon papritmas vjeshta”

“Vjeshtë në aeroporte”, f.14.

Në shumë poezi është “argumentuar”, apo “vetargumentuar” kjo dukuri. Ajo nuk ndodh për të kërkuar mirëqenie në dhe të huaj, begati ekonomike e, aq më tepër, lumturi shpirtërore, për të cilën ka nevojë poeti. Ai e di mirë, e ka të qartë pasigurinë e emigrimit:

“Lamtumirë, ti vjeshtë e Helespontit,

Në ç’dimër do të zbresim?”,

“Erërat e fundit të Mesdheut”, f.109.



Pyet poeti, duke shprehur jo aq dyshimin, frikën për të pritmën, por më së tepërmi, vetëdijen për “dimrin” e mërgimit.

Gjithsesi, poezia e këtij vëllimi nuk dimensionohet vetën si poezi e ikjes së padëshiruar, e braktisjes, e largimit të detyrueshëm nga Atdheu, sepse ajo, më së shumti është vetëm një distancim fizik, i plazmuar gjithnjë mbi truallin e një dëshire të ndezur për kthim:

“Eh, ti toka ime e shtrenjtë: vetëm nga ti s’ka ikje”

“Si në kohë biblike”, f.142.



Veç kësaj dhe veç të gjithave sa thamë, kjo dukuri, sa është ikje nga Atdheu, aq është edhe dëbim nga ai, një dëbim tragjik e fatal. Poeti e ndjen veten “si gjethi i një reje dëbuar nga vjeshta…” e Atdheut.(“Si në kohë biblike”,f.42) dhe prandaj, ai e akuzon Atdheun, sepse nuk i mbajti bijtë e vet. Akuzë që shpërthen si një nëmë: është mallkimi i një dhimbjeje të thekshme dhe i një dashurie të pakufishme për Atdheun-realizuar mbi bazën e një fakti jetësor, që u bë aq i rëndomtë në këtë periudhë përmbysjeje të historisë sonë, që premtoi e duhej të ishte një ngjitje drejt lartësive por u shndërrua në një kataklizmë.

Në Kurbnesh, një qytet i vogël e i humbur minatorësh në krahinën e Mirditës, i njohur për minierën e bakrit dhe për fabrikën e pasurimit të tij, që do të mjaftonte të pasuronte jo vetëm jetën e Kurbneshit, por edhe të krejt Mirditës, po i njohur edhe për varfërinë e tejskajshme të popullit, vdes një plakë, Prenda e Marka Lleshit, në vetmi e pa u ndjerë, ashtu siç vdesin zakonisht pleqtë tonë. Djemtë kanë mërguar, kanë ikur të kërkojnë botën me sy për të gjetur punë dhe atje ku janë organizojnë pritje (pamje) dhe dërgojnë telegrame ngushëllimi:

“Ngushëllime nga Itaka, pritje për ty në Kretë,

S’është Ulisi, janë djemtë!

E pika i raftë Kurbneshit!” Pren

“Prenda e Marka Lleshit”,f. 62.



Me gjithë neverinë e saj, braktisja e Atdheut duket së nuk paskësh qenë edhe aq e neveritshme. Kjo dukuri e ndërlikuar, sa braktisje aq dëbim, sa ikje fizike aq torturë shpirtërore, sa aspiratë për largim aq afsh për kthim, vjen e na formësohet në poezi sa si rrjedhim logjik, po aq edhe si pasojë fataliteti tragjik, i mbjellë në genet e shqiptarëve që në kohërat e tejpërtejme.

Arbërori ynë i njohur erudit, Aristidh Kolja, rrënjët e kësaj dukurie të ikjes masive të shqiptarëve në vitet e fundit, më tepër se në “reagimin popullor të natyrshëm ndaj shtypjes se regjimit të kaluar”, më tepër se në “varfërinë që ka goditur popullin shqiptar në këtë fazë të kalimit nga ekonomia e drejtuar në ekonominë e tregut të lirë”, i gjen tek historia e popullit tonë. Kjo “predispozitë ataviste”, kjo “tendencë tradicionale e emigracionit dhe e dëshirës për kthim…karakterizonte dhe karakterizon pasardhësit bashkëkohorë të etnosit të madh pellazgjik”.(Aristidh Kolja “Diaspora shqiptare nga pikëpamja historike”, në librin “Kombi”,f.94-95).

Dëshira për kthim, e konkretizuar në poezinë e Çekajt, si dhimbje e si mall, dritësohet që në minutat e parë të ikjes:“Ja edhe minutat e parë larg Atdheut / Me valixhet e harrueme të lumturisë në aeroport” (“Larg Atdheut”, f. 117).

Ende në udhëtim, në brigjet e Danubit, poetit i kujtohen lumenjtë e Shqipërisë:

“Natën e mirë, lumenjtë e mi,

Brigjet tuaja nga vërshimi përkohësisht i humbëm ne!

Por në qoftë se gjumi na zuri në metro

Zgjimin e kemi në Atdhe!”

“Larg Atdheut”,f.117.



Nuk është një zgjim i thjeshtë nga malli, por një zotim fisnik:

“Avullon shpirti nën një qiell të huaj

Të ringjallet prapë atje sa herë ta thërrasësh ti”.

“Si në kohë biblike”, f.142



Që në takimin e parë me botën e huaj, me një tjetër qytetërim, që ka arritur kulme të pabesueshme, por që ka në vetvete edhe rrafshe të çoroditura; veç mallit, poetit i zbulohet më qartë se më parë atdheu me vlerat e tij, paja fizike dhe shpirtërore e vendit dhe e popullit tonë: lashtësia, fisnikëria, nderi, besa, mikpritja, karakteri luftarak, pa lënë mangut fatin tragjik. Eshtë një argument psikologjik: mbasi e ke humbur një gjë, ia kupton e ia peshon më mirë vlerën. Janë të shumta poezitë që ngërthehen rreth këtij motivi: “Për Malësinë e Madhe mendoj shpesh në Amerikë”,“Rapsoditë e Jutbinës”,“Shqiptarët”,“Vendi im”, “Portret i malësorit të hershëm”,“Kemi 100 vjet që jetojmë në Veri”,“Amaneti i gjyshit tim”, etj.

Shqipëria “e gdhendur në muret e kështjellave të veta / ose në tempuj malorë të relievit / është vendi“ku pejsazhi lëkundet para madhështisë së njeriut / ku guri bëhet njeri dhe merr emrin e heroit” (“Vendi im”,f.41). Në poezinë“Për Malësinë e Madhe mendoj shpesh në Amerikë”(f.25), poeti shkruan:

“E pra, unë që botës kryq e tërthor i rashë

Për gjëmë burrash kund nuk ndjeva,

Dhe as Bjeshkë të Namuna kund nuk pashë!

Dhe askush bujrëm s’më tha

Dhe askush s’më tregoi për krajli

Dhe askush Besë s’më dha

Dhe as s’më shpalli mik der’ n’armiqësi”.



Si kundërpeshë e të gjitha vlerave, vjen padrejtësia që iu bë e po i bëhet çdo ditë këtij populli tragjik nga bashkësia ndërkombëtare:

“Ç’të mallkoj trembëdhjetën,

Kur s’di cilin vit të mallkoj më parë?

Këndo, muzë, vërbërinë e Kombeve të Bashkuara

Që s’panë gjysmë shekulli copëtimin e Shqipërisë!”

. “Kosovë moj, skeleti i dhëmbjes sime”, f.47.



Me një frymëmarrje të thellë poetike dhe me një dendësi mbresash, që karakterizojnë motivet e Nju-Jorkut e të Amerikës, poeti ka pasuruar poezinë tonë, jo vetëm të bashkësisë sonë. Në këtë vëllim poetik është sendërtuar, me penelata të pakta por të sakta, aq e gjallë e reale tabloja e Amerikës dhe,në veçanti, e Nju-Jorkut. Para së gjithash e mbi të gjitha, poeti i gëzohet lirisë, aq të munguar e aq të dëshiruar në Atdhe. Dhe atë e gjen në fakte krejt të thjeshta, por shumë sinjifikative. Ai udhëton nga Nju-Jorku në Vashington: “S’na kontrolluan si të dyshimtë rojet./ Bile as pasaportën s’na e zuri kush me gojë”(“Ditën e hymjes sime në Washington”, f.125), në kundërshtim me atdheun, ku për të shkuar nga Shkodra në plazhin eVelipojës, në një ditë vere, policët, sigurimi dhe argatë të shumtë të tij të binin shpirtin në majë të hundës, duke të kontrolluar tesh e parë për letrat e njoftimit.

Nju-Jorku i bukur, që në natën e dimrit me borë shembëllën me një “kopsht mermeri të bardhë” është “hamalli i të gjitha pritjeve”. “Këtu janë të gjitha kombet, të gjitha stinët, fundi dhe fillimi këtu”dhe këtu“gjithkush e ndjen veten në Atdhe”. Ai është qyteti që pret me zemërgjerësi të gjithë, ngado që vijnë, pa asnjë dallim, ai është

“Shpresëza e fundit e botës

Ku skulptura e famshme e gruas me pishtarin e lirisë në dorë

…Zërin tim e kthen në një trafik të gjallë njerëzor

Për racat e dënuara!

Dhe për turmat e irrituara!

Të pastrehët, të përzënët,

Të fyerit!

Të çmendurit

“Statue of Liberty”,f.146.



Me vërtetësi e art, me anën e antitezave të goditura është dhënë imazhi i plotë i Nju-Jorkut dhe i Amerikës, ku “lumturia me dhimbjen krah për krah ecin bashkë”. Në përshtatje me dimensionet e madhësisë e të madhështisë së këtij shteti, është dhënë edhe dimensioni i krimit: “Shiu me gjak foshnjesh bie në Oklahoma City”. Ja një portret i gdhendur poetikisht i Nju Jorkut:

“Nju-Jorku i bardhë, Nju-Jorku i zi

Gjysma përbindësh, gjysma mrekulli”

“Në Fordham Road”, f.128.

Sepse ai është qyteti, ku“90 mijë shtëpihumbur mbetën çdo natë jashtë” dhe “ku nuk mungojnë“krijesa shpirtërash të mardhur”(f.128), dhe ku:

“Te qoshja e tmerrshme rrafsh me hiç

E ndyrë ngjan veç drita!

Në anën tjetër të rrugës

Vjeshta hap ngadalë ekspresin e parë të vdekjes

Të të sëmurëve nga SIDA”

“Pa tjetër mbrëmja…”, f. 130.



Poezia e Çekajt, e lindur në nji truall ideoemocional të begatshëm nëpërmjet një frymëzimi lirik të natyrshëm e të vetvetishëm, e veshur me një tis të tejdukshëm meditativ dhe e trupëzuar me një figuracion të dendur, na paraqitet si një poezi e arrirë lirike, shpesh me nota epike.

Poeti me një stil të shtruar e në të njëjtën kohë me hove të fuqishme lirike, duke i vënë gishtin plagëve shoqërore që krijoi diktatura: padrejtësisë, mohimit të lirisë, luftës së klasave, depersonalizimit të njeriut, krimit etj. akuzon ashpër, por me një qetësi të çuditshme shpirtërore, do të thoja: burrërore, shqiptare. Edhe pse brenga është e thellë dhe aq i shëmtuar e tragjik është krimi, stili mbetet i qetë-si një puls që rreh dhimbshëm, por normal- deri në atë shkallë sa edhe prangat në duart e nënës shkëlqejnë:



“Stoli e papërsëritshme në kujtesën time ngeli

Shkëlqimi i prangave në duart e nënës”.

“Kujtime nga fëminia”, f. 16



Në përputhje me motivin që trajton, stili vjen e bëhet krenar, kur flitet për vlerat e larta morale të shqiptarit (duhet të themi, të dikurshëm) dhe momentet e lavdishme të historisë sonë; konkret e i kursyer, kur flitet për Amerikën e Nju-Jorkun; i qartë gjithandej, larg errësirave hermetike dhe abuzimeve poetike, që po i hasim çdo ditë e më shpesh.

Në hullinë e ndërtimit të pasur figurativ, rrezëllon me bukurinë, qartësinë , thjeshtësinë e saj, mbretëresha e tropeve, metafora, a më mirë, një sendërtim i tërë metaforik: “Tani kur vjen pranvera / te pema e zërit tim / bleron stina e dhimbjes” (f. 15), “Duke pritur gruan dhe fëmijët, zemra ime, duart, çdo gjë kthehej në pistë” (f. 81), “Nën një hënë të përgjakur nga sopatat e Orestit / Antigona bëhej det” (f. 21), “Limonat e shtrydhur të reve / këputën tak-tuk në det” (f. 43), “Peshkatarët me pelerinën e mjegullave veshur” (f. 45), “Në derë shfaqen zhurmat, strehët pikojnë britma” (f. 56), “Gropat e syve t’u bënë lugina të bardha, / Mollëzat e faqeve, kodra të zhveshura u bënë” (f. 69), “Qelqe kujtimesh thyhen nga patkoj sysh bluh” (f.82), etj.

Më i rrallë, po edhe ai i goditur, vjen krahasimi: “Qeleshja e bardhë si ylli i mëngjesit / bëri zgjimin e veriut atë ditë” (f. 63), “Si pranvera nga kjo fjalë bëhej shpirti i botës” (f.59), “Vjeshta në oborr, si telegram ngushëllimi / Rrëzonte gjethin e qërshisë (f. 73), “Vezuvi i luftës së klasave, si Pompeun / Më kishte ngrirë ngadalë” (f. 101), “I lirë si era në shkretëtirën e pafund të ikjes” (f.112). Befasues është shpesh përdorimi me mjeshtëri i paralelizmit figurativ. Vë re, p.sh., shtjellimin e motiveve në poezitë: “Relievi i mollëve” (f. 38), “Martin Camajt” (f. 57), “Vdekja e një malësori në shkretëtirë” (f. 72), “Përrallëza e dashurisë” (f. 87).

Përshkrimet e ngjarjeve janë dhënë me nota të sakta, konkrete. Kujto poezinë “Dita e 7 prillit 1939”. Vargjet ku është pikëzuar bukuria e peisazheve- sidomos atyre të Atdheut- kanë aq dritë e aromë bjeshke, aq kaltërsi mesdhetare e bardhësi bore, sa të lëbyrin sytë e shpirtin, të tallazisin ndjenjat dhe të robërojnë kujtesën. Në vendlindje, në malësi: “Drita kullon rrezen në filtra resh / Te Kroi i Lotit: korrila ma jep mua / Palcën e bjeshkës./ Prej mallit që kam ardhë / Guri i zi bëhet i bardhë!”. Peisazhi merr ndonjëherë tonalitete të veçanta të një fryme epike, si në poezinë “Kthimi i Oso Kukës”, në të cilën përshkruhet ishulli i Vraninës, ku Oso Kuka hodhi në erë depon e barotit, duke u bërë fli bashkë me të nipin dhe me bashkëluftëtarë të tjerë:



“Tej fushave veriore nën një qiell të pjerrët

Si pejsazh i rrëzuar nga shpina e Majes së Helmit

Me ballin e lidhur në ujërat e Moraçës

Dhe sytë e vërbuar kallamishteve të liqenit

Shtrihej Vranina”

“Kthimi i Oso Kukës”, f. 33

Më vjen mbarë të them një fjalë edhe për piktorin Vasil Rakaj, që ka sendërtuar një kopertinë në përshtatje me historinë e frymëzimit të Çekajt: një gjeth i blertë, disi i shpërndarë nga erërat e kohës, që vjen e skuqet ngadalë derisa fillon të pikojë gjak-sintezë simbolike e poezisë nën diktaturë.

No comments: