Thursday, 18 September 2008

‘Panoptikoni’ shqiptar në penelatën e Myrtajt



Fatmir Terziu


Është i prekshëm. Motivues. Mbi të gjitha lexohet dhe madje ajo që lexohet shikohet qartë si një element viziv i panjohur, por me një mori imazhesh prezente. Një tregim që vjen në kuadraturë tipike. Një kuadraturë letrare që vjen si në një ekran. Në një ekran, që pak rëndësi ka, në është i ngushtë, i gjerë apo thjesht një ekran i qelqtë. Ekran i ftohtë?! Vjen në këtë fushë, si një skenar i qartë dhe plotëson parametrat narrativë të fushës përkatëse. Model i ngjashëm me atë që një ushtri e tërë e Hollyvudit gatuan në fakt. Vetëm me një ndryshim, aty thyhen ‘miliona’ dollarë nën akt-marrëveshje, këtu thyhet shpirti i një karakteri vuajtës, dilema e një shpirti të fushës së letrave, krijuesi të mirëformuar dhe ekzistent. Prekës. Askush nuk e vë në dyshim këtë realitet. Madje edhe pse në heshtje ai miratohet edhe nga potenca kundërshtare. A nuk flet ai me gojën origjinale? A nuk ka sintaksën e tij të plotë? Por më saktë le të shohim gjuhën e tij tipike, fjalën e tij të vecantë treguese.


Shpjegimi i titullit


Në analizat e sotme letrare pikërisht që nga titulli fillon ‘mirëkuptimi’ i heshtur me gjuhën tipike të autorit në tregimin e tij, fjalën e tij të vecantë. Në këtë tregim të shkrimtarit Myrtaj, ai është i përshtatshëm për tregimin në tre rrugë. Rruga e parë është vetë materialja, jetikja që lidhet me njeriun, pikërisht buka. Buka është mjeti që vjen si një detaj modelimi filozofik, si një pasqyrë veprimesh të tërthorta. Së dyti është shumëkuptimi i fjalës bartëse në tregim, dimensioni logjik që ajo krijon në të. Së treti është vetë organizimi i bukës si kontekst, që vjen nëpërmjet djersës dhe ushtron ndikimin tek njeriu, lidhja me jetën e tij. Në këtë rast ‘njeriu është prej buke’, por ai mund të jetë prej guri, bronxi, plasteline, apo edhe thjesht prej mishi. Askush nuk e vë në dyshim jashtë titullit, njeriun-karakter në tregimin që analizohet apo lexohet thjesht për dëshirë. Në këtë aspekt vetë titulli të gërric, të kërkon të udhëtosh më tej.


Elementi predominues i tregimit


Tregimi vjen me temën e vet, karakteret e tij, plotin dhe zhvillimin e ngjarjes. Është një tregim i plotë. Por në tërë këtë ‘kompeticion’ të tij vjen predominantja, pra ajo që bie në sy më shumë. Këtu është së pari ngjarja. Pastaj vijnë me radhë shtrirja, gjeografia, historia, vendi, koha, hapësira, kronologjia tematike, diferenca, mosha, lidhja me ambientin rrethues, politika, socialja, vetë ambienti dhe një sërë komponentësh socialë. Predominuesja është brenda një ‘xhuktapozicioni’ (nyjëlidhjeje) midis konceptit të njeriut të lirë dhe situatës ku ky njeri e koncepton atë pak liri të tij. Një plot që ndeshet në konfliktin e brendshëm, ku njeriu i burgosur dhe gardiani kanë një simbolikë mes tisit ambient rrethues. Në këtë ‘panoptikon’ të treguar dhe të shfaqur me imazhin e krijuar pas leximit, natyrshëm ajo që madhërishëm Foucault e ka shprehur me kohë, është fokusuar mjeshtërisht nga Faruk Myrtaj, të cilit, ndoshta më tepër se diktimi i filozofit francez dhe ndikimi nga burgjet franceze të një kohe tjetër, i është vizionuar jetikja e heshtur e njeriut nën diktaturë, njeriut në ‘panoptikonin’ jetë-burg e nën kontroll. Tërë ky kompleks që anëson tjetërsinë dhe fokuson dhimbjen si detaj, hera-herës spërkat stërkala loti nën gërma.


Karakteri kryesor


Në sy bie rrethana. Bie rrethana në të cilën ne lexojmë karakterin dhe fatin e tij të përcaktuar nga tjetri, ose ashtu si vetë autori shprehet: “..robërohemi për liri...”. Në këtë robërim në liri, natyrshëm mbetet veç leximit edhe ana tjetër që pikturon imazhin e karakterit, vendit ku ai sfumon lirinë dhe të paktën e quan diçka të tillë. Hyrja e Myrtajt e përcakton qartë: “Gardiani nuk po bëhej i gjallë dhe unë u ngrita.
Në një hapësirë sa kjo e qelive, “të ngrihesh” s’ka asnjë kuptim, nuk ia vlen të ngrihesh për të kryer ndonjë veprim. Mjafton të zgjatësh dorën dhe arrin kudo, në secilën qoshkë të qelisë. Por ngritja më këmbë është instiktive, përpjekje për lëvizje, orvatje për të mos humbur vetinë e të gjallit. U çova dhe bëra një gjysëm hapi për nga dera e qelisë, preka shufrat e hekurta, futa turinjtë midis tyre. Doja të këqyrja korridorin. Gardiani ishte edhe më tej atje, ulur në karrigen prej hekuri. Kryembështetur midis pëllëmbëve të duarve, dremiste. Nuk them ëndërronte, jo pse ishte gardian, por sepse asgjë nuk do të ndryshonte në këtë mes. Dukej se flinte, pra unë isha i lirë të merresha me veten. Kjo më duhej. Këtë prisja. U zhvendosa një gjysmë hapi, për nga qoshku i djathtë. Gjithnjë brenda qelisë sime. Atje kisha lënë pjesën e kursyer prej racionit tim të bukës. Në këtë lloj qelie s’është e nevojshme të hapësh sirtarë e dollapë e bufera. Ajo është e lehtësuar prej formaliteteve. Edhe në errësirë të plotë, e di se ku e kam vendosur bukën, brenda një shamie të bardhë, aq të pastër sa mund të ketë kuptim pastërtia në një qeli pa ujë e pa dritë. Shamia është e mbështjellë me një copë plastmasi, lëndë që mbron bukën nga tharja e ashpërimi. E marrë në duar, si me kujdes nënash për foshnjën e tyre.

Janë orët më të veçanta të jetës. Të jetës sime në burg. Kudo e kurdo, njeriu gjen kohë për tu gëzuar. Mbase kjo është arsyeja që marrin vlerë të veçantë cigari i fundit, fjala e fundit përpara togës së pushkatimit, apo ato ca pak grimasa më parë se njeriu të jap frymën e fundit për të ndërruar jetë.

“Ah, jeta ime...!”, thashë si përvajshëm, pa zë.”

Tregimi i Myrtajt pra përqendron vëmendjen tek ky karakter, të cilin ne e lexojmë dhe e fiksojmë si të ishët para syve tanë. Konflikti që ai konfronton është i dyfishtë. Ai është një konflikt i brendshëm dhe i jashtëm. I brendshmi është shpeshherë një model shekspirian ku karakteri gjen forcë të ‘fusë turirin në mes të hekurave’, ku autori vetëm me një fjalë garanton qenien e tij me diçka tjetër, me një frymor jashtë familjes së tij origjinale, për trajtesën ndaj tij në këtë dyanësi konfliktesh. Këtu sërish “fuqia dhe njohuria” e Foucault vijnë si një përkushtim tejet filozofik. Është pikërisht më pas edhe mënyra se si ky konflikt zgjidhet mjeshtërisht nga autori. Madje Myrtaj prezanton në mënyrë funksionale edhe karakterizimin, duke i dhënë ngjyrimin real, sipas përshkrimit, bashkëbisedimit mes karaktereve, herë i heshtur e herë revoltues, aksionit tipik, kombinimit të metodave dhe pika të tjera të ngjashme deri në detaje prekëse.

Tregimi vjen në vetën e parë. Por shpeshherë mund të lexohet si një monolog i heshtur. Në formën e një ‘flashback’ krijohet dhe realizohet modeli i komunikimit. Liria është pika orientuese dhe personi i parë ndodhet gjithmonë në fokusin e njohjes së ngadaltë, ose më saktë ‘omnishente’. Aksioni i parë fillon në ndërgjegjen e njeriut, pra në vetveten e tij...

Vazhdon ...

No comments: