Nga Pierre-Pandeli Simsia
Komuniteti Shqiptar në Nju Jork, ditën e Diel, më 14 Shtator 2004 përjetoi çaste emocionante dhe mbresëlënëse të paharuara.
Në gjirin e tij ndodheshin dy artistët e njohur vlonjatë, Vasil Qesari me banim në Bordo, Francë dhe Fate Velaj me banim në Vjenë, Austri.
"Shtëpia e Kulturës" e shqiptarëve, studioja e fotografit të mirënjohur Fadil Berisha ishte edhe streha mikpritëse për dy artistët vlonjatë.
Ekspozita në pikturë dhe në fotografi e artistëve vlonjatë, e hapur në zemër të Manhattani-t në Nju Jork, ishte organizuar nga Shoqata e Gruas Shqiptaro-Amerikane "Motrat Qiriazi" me Presidente Dr. Anna Kohen, e cila ishte edhe nismëtarja e hapjes së ekspozitave..
Dr. Kohen kishte marrë të gjitha masat që çdo gjë të shkonte këndshëm.
Në ambientet e dy sallave të mëdha të studios fotografike të zotit Fadil Berisha ishin vendosur punimet e dy artistëve, Qesari dhe Velaj.
Tingujt e ëmbël muzikorë që dilnin nga violina e luajtur nga artisti Adriatik Sefa, shoqëruan gjatë gjithë kohës, ndërsa të pranishmit shikonin me radhë pikturat dhe fotografitë e ndryshme, punime të dy artistëve vlonjatë.
Shumë nga bashkatdhetarët pjesëmarrës nuk njiheshin fizikisht me dy artistët vlonjatë, pothuajse një pjesë e mirë e tyre kishin njohje virtuale, nëpërmjet listave dhe forumeve të ndryshme të internetit.
E ndërsa takoheshin e përqafoheshin si vëllezër, si të njohur prej kohësh, i uronin njëri tjetrit: "Mirëseerdhët në Nju Jork!", "Ju faleminderit!", "Na gëzuat shumë me artdhjen tuaj...!"
"Mirësejugjetëm motra dhe vëllezër bashkatdhetarë!" "Ju faleminderit dhe j'u jemi shumë mirënjohës për respektin që tregoni ndaj nesh, me pjesëmarrjen tuaj...!"
Në hapjen e ekspozitave të artistëve vlonjatë merrnin pjesë personalitete të larta, përfaqësues diplomatikë të Shtetit Shqiptar në Nju Jork, njerëz të ndryshëm të Shkencës, Artit, Kulturës, Letërsisë Shqiptare:
Ishin të pranishëm Zv. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së, zoti Ljublin Dilja, Konsulli Shqiptar pranë OKB-së, zoti Albert Jerasi dhe bashkëshortja e tij Albana, Sekretari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane Dr. Namik Shehu, Dr. Selahedin Velaj, Shkrimtari i mirënjohur Naum Prifti dhe bashkëshortja e tij, znj. Rina Prifti, ish Gazetari pranë RTV të Prishtinës Muhamet Mjeku, Kryetari i Shoqatës "Çamëria" Sali Bollati dhe bashkëshortja e tij, znj Bule Bollati, z. Mark Roven, Shkrimtarja Albana Lifchin së bashku me bashkëshortin e saj, z. Paul Lifchin, Poetja Iliriana Sulkuqi, Filip Gazuli, Blerta Alikaj, Eleonora Gjoka, aktori shqiptar i Kinematografisë Amerikane Luan Bexheti, Rustem Guri, Agathia dhe Ylli Luka, Zihni Veshi, Dritan Haxhia, Muharem Bytyçi, Bukurie Agalliu, biznesmeni Bruno Selimaj, Spiro Gjikondi, Petro Sava....
Fjalën e hapjes e mbajti nismëtarja e atij takimi, Dr. Anna Kohen, e cila i përshëndeti dhe i uroi mirëseardhjen artistëve Qesari dhe Velaj. "Është kënaqësi për mua dhe auditorin tonë që sot kemi në mesin tonë këta dy artistë vlonjatë, që vijnë, njëri nga Austria dhe tjetri nga Franca, që i kanë dhënë shumë artit shqiptar dhe janë bërë të njohur në sferat e artit evropian dhe botëror..." tha midis të tjerash Dr. kohen.
Dr. Anna Kohen, falenderoi në mënyrë individuale, Fotografin e mirënjohur Fadil Berisha, i cili mundësoi hapjen e ekspozitës në studion e tij, Esmeralda Mosko, bashkatdhetaren e nderuar, e kudogjendura, e mirënjohura, koordinatore pranë Shoqatës "Motrat Qiriazi", zonjushën Elmira Muja, Dr. Selahedin Velaj, Tv "Kultura Shqiptare" dhe Gazetën "ILLYRIA".
Gjithashtu Dr. Kohen falenderoi sponsorët: Oleek inc, sittus Capital, dhe "Amici Restaurant"
Pastaj përshëndeti Konsulli Shqiptar pranë OKB-së, zoti Albert Jerasi, i cili i uroi mirëseardhjen në Nju Jork dhe i falenderoi dy artistët për gjithçka bëjnë në fushën e bukur të artit...
Artistët Vasil Qesari dhe Fate Velaj pasi përshëndetën pjesëmarrësit, shprehën gëzimin dhe emocionet e tyre për mikpritjen dhe ngrohtësinë që gjetën mes bashkatdhetarëve në Nju Jork.
Përshëndeti gjithashtu edhe Dr. Selahedin Velaj.
Ekspozitat në pikturë dhe në fotografi në Nju Jork, do të qendrojnë të hapura disa ditë.
Bostoni është një tjetër qytet i cili pas një jave do të jetë mikpritësi i dy artistëve vlonjatë.
Aktiviteti kulturor u përcoll nga gazetarët e mirënjohur Beqir Sina dhe Dalip Greca, Tv "Kultura Shqiptare" me producent z. Adem Belliu dhe RTV 21 me producent z. Halil Mula.
Për të pranishmit u shtrua një kokteil.
No comments:
Post a Comment