Sunday, 14 September 2008

SHPIRTI QË PIKON VESË…- LUIGJ ÇEKAJ






Sado që ja turbulluan jetën, gjithmonë mbeti i pastër e i kulluar, ndaj aq fort i shkon për shtat shprehja e Friedrich Nietzsches: "Vesa bie mbi bar tamam atëherë kur nata është më e heshtur."


nga KOLEC TRABOINI

Jeta e Luigj Çekajt në Shqipëri ka qenë një ofshamë e thellë në kupë të qiellit. E përfytyroj gjithmonë si një njeri që rrezikohej të mbytej e të përpihej nga dallgët mizore të detit. Viktor Hygoi ka një përshkrim tronditës për këtë skenë, rendi a sistemi - ai farë dreqi, që thuhej me demagogji se ishte për ta shpëtuar njeriun- i zgjaste një shkop, e ky shkop, ku varej në fije të perit shpresa e jetës, vetëm se e zhyste më thellë, pa e lënë as të shpëtonte, as të vdiste. E thënë ndryshe- një jetë plot tension e mundime, një torturë që edhe karakterin më të fortë njerëzor do ta thyente. Ase edhe sikur të mos e thyente, e tromakste aq thellë në shpirt sa, tmerri i përjetuar do të linte në mënyrë të pashmangshme gjurmë në psiqikën e njeriut për gjithë jetën. Ne themi shpesh se, ani pse tepër vonë, kemi shpëtuar nga një diktaturë, mirëpo harrojmë se kemi kaluar në shtratin e Prokustit, disa fizikisht e disa moralisht e të shumtit në të dyja këto mizori të një shoqërie totalitare. Dolëm të gjymtë, dikush nga trupi e dikush nga shpirti e tmerri i asaj ëndrre hjekakeqe, që kurrë nuk mund të na ikë, madje sado larg e sado kohë të kalojë, do të mbetemi gjithësesi peng i një jete të cunguar, apo më keq, të përçudnuar, nëpë r të cilën kaloi populli që i përkasim, jo pak, por gjysëm shekulli shtypje e dhune.

Luigj Çekaj ishte një fëmijë me shpirt të brishtë, përkundër kësaj dhe një karakter i fortë, si trashëgim i cilësive të banorëve të malësisë së veriut. Ky karakter do të vezullonte kur ende ferishte do të ndodhej në oborrin e Degës së Brendshme në Shkodër, në mes të shumë familjeve që do t’i internonin në Tepelenë për shkaqe biografike. I ndodhur përpara gjeneralit komunist, i cili i stigmatizonte të arratisurit, duke thënë se si i braktisin “armiqtë e popullit" këto fëmijë si trëndafila, vogëlushi malësor nuk ka duruar më dhe në praninë e dhjetra e dhjetra njerëzeve, ka rrëmbyer një gur të vogël dhe ka qëlluar në drejtim të gjeneralit. Gjenerali ka qeshur, por Luigji i vogël as ka qeshur, as ka qarë. Ai pati guximin për të bërë ata çfarë në atë çast i tha zemra dhe të tjerat nuk kishin më rëndësi. Kjo do të thotë se ai ishte poet që i vogël, ashtu siç do të parathoshte mundimet e tij të ardhshme nën diktaturë.

Më pas, kurrkush nuk do t’ia kujtonte atë gur, sepse ai detaj ishte harruar, aq më tepër se gjenerali Hilmi Seiti më pas ka vdekur ( thonë se e kanë helmuar në zyrën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë me kafe), por është vetë Luigji që risjell në travajat e jetës së tij, emocionalisht, përshkruar aq bukur në librin : ”Unë vij nga Shkodra", i cili me shumë se sprovëz letrare, siç e ka cilësuar autori, është një dëshmi autentike për fatet njerëzore, për tmerrin e diktaturës, dhunimin e të drejtave, por gjithashtu dalin në pah edhe mirësitë e njerëzeve shpirtmëdhej çfarë sintetizohet në rrëfimet për mjekun Sandër Ashta apo edhe për një ushtarak si Sejdi Miloti, më vonë i vetëvrarë, që i shpëtoi jetën Kol Çekës, babës së Luigjit, i cili nën kërcënimin e ekzekutimit, u largua nga Shqipëria, duke lënë gruan me fëmijë të vegjël.

Luigji, duke qenë i biri i një të arratisuri, nuk mund të shkonte shumë kohë e shumë larg pa u ndeshur me barrierën “biri i tradhëtarit". I mbrojtur sido kudo nga dajat, të cilët kishin reputacion, ai arrin të gjejë një shteg për të vazhduar studimet për inxhinieri, pa shkëputje nga puna. Por vjen një ditë që farkëtuesit e luftës së klasave e mbërthejnë, e përjashtojnë nga e drejta për të vazhduar studimet e, çfarë ishte më e keqja, edhe nga puna, deri në absurditetin, të dëbohet nga qyteti.

Luigj Çekaj gjithë jetën kishte ëndërr të merrej me letërsi. Bota e letrave ku përhumbej orë e ditë të tëra, ishte ai mjedis e ajo hapësirë lirie, ku kurrkush nuk të përbuzte, kurrkush nuk të zbonte si një qen prej shtëpisë tënde e ku e ndjeje vehten krejt ndryshe.

Ja çfarë do të shkruante për dramën e tij që nuk ish vetëm e tij:

Në prill vjen urdhëri, përjashtim nga Universiteti!

Në maj vjen urdhëri tjetër: Të pushohet nga puna!
Dhe në qershor i treti: të dëbohet nga qyteti.
Kështu që dekanati, shefi kuadrit, policia,
Shpirtrat tanë si dreqër i përzinin nga Shqipëria"...

Luftoi sa mundi për ta mbrojtur jetën e vet, atë jetë në kushte modeste që ja kafshonin aq ligsht, aq pa mëshirë, luftoi për drejtën për të jetuar i qetë, për të patur një punë, një shkollë, një shtëpi për vehte e familjen e vet, por hienat e diktaturës nuk i ndaheshin. E në një çast të errët, kur ju duk se në ketë botë kishte ardhur fatalisht, sepse përbuzej e dëbohej e tregohej me gishtin e tmerrshëm të luftës së klasave, duke mos parë kurrkund dritë, e kurrkund fije shprese, tenton të ikë nga bota e të gjallëve. Po ja që nuk të lenë të ikësh ata që të duan.

Ju gjendën afër e në krah shokët e miqtë, iu gjend një mjek si Sandër Ashta, që jo vetëm e mjekoi por iu bë si vëlla e shkuar vëllait. Për Sandër Ashtën, që tashmë nuk ndodhet ndër të gjallë, pikëllon me vargje nostalgjie Luigj Çekaj, sepse mjeku jo vetëm e kishte shpëtuar, por edhe e kish mësuar ta dojë e të luftojë për jetën. Shkatrrimi i sistemit barbar komunist e çliroi prej makthesh, e, siç do të bënte çdo kush në këtë botë, për të takuar prindin qe i mungoi tërë jetën, Luigj Çekaj kalon shtete pas shtetesh dhe u shfaq në Nju Jork në shkurt 1993. Trokiti në derën e shtëpisë dhe në ballë të saj pa një burrë të plakur, të cilin e përqafoi përmallshëm e aq tronditshëm sa edhe fjalët nuk kishin kuptim. Kol Çekaj ishte martuar në Amerikë. Kishte edhe fëmijë. Vëllain e vet nga baba që ishte rritur e bërë burrë, s’e kishte parë kurrë në jetën e tij Luigj Çekaj.

Erdhi një ditë që ai fitoi të drejtën të jetojë në tokën e lirë, erdhi një ditë që solli familjen nga Shqipëria, erdhi një ditë të gëzojë në strehëzën e vet e me femijët e vet si zogj; erdhi një ditë që e ndjeu sadisfaksionin që të jep puna në një revistë si “Jeta katolike", erdhi një ditë që ndjeu dhembje për nënën që vdiq larg në Shkodër, erdhi një ditë që t’i gëzohet pasionit të jetës së tij për letërsinë duke venë në dorën e miqve e shokëve librin e tij poetik “Vjeshta në aeroporte", ku kish derdhur tërë ndjenjat e shpirtit të vet, tërë dhimbjen e dashurinë. Më pas do të botonte edhe kujtimet e përshkrimet e jetës së vet në librin”Unë vij nga Shkodra". Erdhi edhe një ditë tjetër, ashtu si vjen pas ditës nata, pas reve shiu, pas vjeshtës dimri....dhe një aksident në punë, goditje në kokë tek punonte mekanik, do të ishte gati fatale për të… Falë zotit e falë një mjeku shqiptar aq të përkushtuar si Agim Leka, Luigj Çekaj do të vinte sërish në gëzimin e jetës.

Veç, ato re të errta që gjithë jetën ia kishin kërcënuar qiellin, nuk mund të ishin pa një gjurmë, herë - herë edhe dyndeshin përmes subkoshiencës së tij. Ato dilema, ato lodhje, ajo psiqikë e vrarë, ato ëndrra të shtypura, ajo jetë e nëpërkëmbur nuk mund të shuheshin krejtësisht. Ashtu sikur ndërrohen stinët që diç lenë pas, ashtu sikurse vjen pranvera e diku, në gji të shkëmbenjve gjen ende borë. Madje nëpër alpe gjen borë edhe në mes të verës. Edhe me jetën njerëzore kështu është. Ne mund që t’i kemi harruar shumë tmerre që kemi kaluar, por ato brenda nesh vegjetojnë si drurët në dimër, e vjen një ditë, që miku ynë i përbashkët Astrit Tota në telefon të më thotë, Luigj Çekaj ka qenë fort i sëmurë. E kur hyj në lidhje me Luigjin të më thotë se qenka e vështirë të shpëtosh nga e keqja që koha vrasëse e prokusteve komuniste na e ka ngjitur, por falë mjekut Graig Kordick dhe kësaj Amerike e hodha të keqen. Pra kishin ikur retë e vranta nëpër horizonte të tjera, e në ato ditë me vranësina të turbullta Luigji kishte shkruar shumë poezi, një prej të cilave në telefon ma këndoi. Them këndoi sepse vargjet i ka si këngë shpirti, i ka edhe si dramë edhe si lirika dashurie, i ka edhe si bashkëbisedim me miqtë, por edhe si elegji dhembje për ata që nuk janë më.

Duke e mbyllur këtë esè, në këto çaste kur ai është kthyer serish nën pushtetin e peisazheve të vranta përtej xhamave të Pressbyterian Hospital, ku nuk ndalon të shkruaj vargje, rri e mendoj për mikun tim poet e them, sado që ia turbulluan jetën, gjithmonë mbeti i pastër e i kulluar, ndaj aq fort i shkon për shtat shprehja e Friedrich Nietzsches "Vesa bie mbi bar tamam atëhere kur nata është më e heshtur."

Gjithë jetën i duroi në heshtje dhembjet poeti Luigj Çekaj, ndaj dhe shpirti i tij gjithëherë pikoi vesë...

No comments: